Alibia e 3 personave:Nuk kishim armë, i vetmi që qëlloi qe Fitimi

0
139

Elton Qyno

ambulncaBashkëpunëtorët e 19-vjeçarit Alla sqarojnë momentet e përplasjes. Asnjë shpjegim për destinacionin e municioneve

Prokuroria, verifikim tabulateve të telefonave për të mësuar bashkëpunëtorët e këtij grupi

 

Tre bashkëpunëtorët e Fitim Allës, që ndodheshin me të mbrëmjen e plagosjes me armë të shefit të Krimeve Musa Skura, kanë akuzuar 19-vjeçarin se ishte ai që kishte qëlluar me automatik mbi oficerin e policisë, dhe jo ata. Gjatë dëshmisë paraprake të dhënë mbrëmjen e arrestimin në komisariatin e Matit, tre adoleshentët Vilson Milkurti 18 vjeç; Edison Lleshi, 18 vjeç; dhe A. Ll., 15 vjeç, kanë treguar se ata nuk kanë qenë të armatosur dhe i vetmi që mbante armë ka qenë shoku i tyre, Fitim Alla. Nisur nga kjo alibi, ata kanë tentuar të shmangin veten nga akuza e plagosjes së policit, ndërkohë që për sa i përket destinacionit final të fishekëve, tre të rinjtë s’kanë pranuar të flasin jo vetëm me procesverbal, por edhe jo zyrtarisht, duke kërkuar vënien në dispozicion të një avokati për t’u mbrojtur. “Ne nuk kemi marrë vesh se çfarë ka ndodhur, pasi për shkak të errësirës në zonë nuk kemi qenë në gjendje të shihnim se kush ishin personat që na kishin dalë përpara. Pasi kemi dëgjuar disa britma, kemi dëgjuar të shtëna, të cilat vinin nga automatiku, që mbahej nga Fitim Alla, i cili ka qëlluar disa herë. Të shtënat janë kryer gjatë largimit dhe pas disa minutash, Alla është rrëzuar duke mos qëlluar më. Kemi ikur me vrap, në drejtime të ndryshme, ndërsa shoferi i furgonit, Riza Barçi, e ka braktisur mjetin disa metra më larg vendit të ngjarjes dhe është larguar me vrap”, – kanë treguar tre bashkëpunëtorët e Fitim Allës, të dyshuarit kryesor për plagosjen e rëndë të shefit të Krimeve në komisariatin e Burrelit, Musa Skura.

Akuzat për të arrestuarit

Katër të arrestuarit e policisë janë transportuar nga Burreli në Tiranë, ku janë izoluar në burgun 313 në kryeqytet. Pritet që brenda ditës së sotme ose nesër ata të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të njihen me masën e sigurisë “Arrest me burg”, që do kërkojë përfaqësuesja e prokurorisë Elisabeta Imeraj. Burime pranë prokurorisë, thanë se ditën e sotme do analizojnë të gjitha materialin e dërguar nga ana e Policisë së Shtetit, dhe se do vendosin për ngritjen e akuzave për katër të arrestuarit. Nga të dhënat paraprake mësohet se vetëm njëri prej të arrestuarve, shtetasi Fitim Alla, do të akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj punonjësit të policisë” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që personat e tjerë pritet të akuzohen për akuzën e “Tregtimit të municioneve luftarake” dhe “Mbajtjes pa lejë të municioneve”. Gjithmonë sipas burimeve të prokurorisë, tre personat e tjerë Vilson Milkurti, 18 vjeç; Edison Lleshi, 18 vjeç; dhe A. Ll., 15 vjeç, nuk kanë qenë të armatosur gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe se nuk kanë qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë së Matit. Nisur nga kjo situatë, ata nuk mund të akuzohen për akuzën e vrasjes, kur në një kohë në duar s’kanë pasur asnjë mjet luftarak për të qëlluar.

Verifikim telefonatave

Automatiku model-56 dhe gëzhojat e qitura prej tij mbrëmjen e 13 janarit, janë dërguar në laboratorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, me qëllim kryerjen e ekzaminimeve. Veç këtyre provave të sekuestruar në vendin e ngjarjes, një sërë provash të tjera, janë administruar në dosje, të cilat tregojnë rreth aktivitetit kriminal të pesë autorëve të këtij krimi të rëndë. Ndërkohë që për të hedhur dritë mbi tregtinë e municioneve, strukturat e prokurorisë tashmë kanë urdhëruar marrjen e tabulateve të tre personave të arrestuar, por edhe të drejtuesit të furgonit Riza Barçi që tashmë është shpallur në kërkim. Që prej ditës së djeshme prokuroria u është drejtuar me një kërkesë të gjitha kompanive celulare me qëllim vënien në dispozicion të tabulateve telefonike, ndërkohë që telefonat e autorëve janë dërguar në laboratorin e policisë, me qëllim kryerjen e ekspertimit teknik, nga ku mund të nxirren të dhëna të vlefshme për hetimin e këtij procedimi penal. Pritet që në ditët në vijim, prokuroria të bëjë verifikimin e numrave të telefonit, me qëllim zbulimin e edhe personave të tjerë që janë përfshirë në këtë trafik të municioneve luftarake në zonën e Burrelit, ku dhe u plagos rëndë shefi i krimeve Musa Skura. Ky i fundit së bashku me disa nga punonjësit e tjerë të policisë, mbrëmjen e 13 janarit kishte ngritur një postbllok policie në afërsi të fshatit Soç, ku dhe janë qëlluar me automatik. Pas hapjes zjarr nga ana e autorëve të krimit, janë kundërpërgjigjur efektivët e policisë, të cilët bënë të mundur plagosjen e Fitim Allës dhe arrestimin e tij së bashku me tre persona të tjerë.

 

Orët e pritjes në Spitalin Ushtarak

Shefi i Krimeve niset në Itali me avionin

sanitar, familjarët shpërthejnë në lot

Rreth 1 orë e 30 minuta ka qenë vonesa në Spitalin Ushtarak, prej nga ka dalë i shtrirë në barelë shefi i Krimeve të komisariatit të Matit, Musa Skura. Kjo vonesë ka qenë periudhë ankthi për të gjithë ata që qëndronin në Spitalin Ushtarak, pasi teksa është njoftuar mbërritja e avionit në Rinas dhe dislokimi i një autoambulance në derën e urgjencës së spitalit, askush nuk mundësonte nxjerrjen e Skurës nga ambientet e spitalit. Kjo, për shkak se gjatë orëve të mëngjesit, Skura kishte pasur komplikacione në shëndet, duke u rënduar së tepërmi. Nisur nga kjo situatë, bluzat e bardha, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit kanë biseduar me mjekët, me qëllim bërjen të pamundur transportimin e Musa Skurës në drejtim të spitalit “Padre Poi” në Foxha të Italisë, aty ku do të marrë një mjekim të specializuar. Pas 1 ore e 30 minutash pritje më së fundi, mes lotëve të familjarëve është mundësuar nxjerrja e trupit të Skurës nga spitali dhe futja e tij në autoambulancë. Ky proces është bërë me shumë ngadalë, ndërkohë që një gjë e tillë është kryer edhe në momentin kur është lëvizur trupi, për ta futur brenda në ambientin e avionit sanitar, që kishte mbërritur në Rinas nga Italia. Gjithçka është kryer me përpikmëri të lartë, ndërkohë që për të shoqëruar trupin në bordin e avionin kanë hipur familjarë, mjekë të Spitalit Ushtarak si dhe mjekë të Spitalit Italian. Pas disa orë udhëtim, avioni sanitar është ulur në aeroportin e Foxhas, ku dhe është bërë transportimi në spitalin, që kishte marrë përsipër kurimin e shefit të komisariatit Musa Skura. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë se pas ndërhyrjes mjekësore, shëndeti i Skurës ka shfaqur përmirësime, ndërkohë që bluzat e bardha janë duke bërë të pamundurën për shpëtimin e jetës së efektivit të policisë, i cili u qëllua me armë në krye të detyrës. Nga kjo goditje, Musa Skura pati dëmtime në stomak, në njërën veshkë, në zorrën e hollë dhe të trashë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency