I siguruari që për shkak të aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale, humbet aftësinë për punë, përfiton të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale
Shumë prej punonjësve, edhe pse mund të pësojnë një fatkeqësi në punë apo të vuajnë nga një sëmundje e veçantë, nuk e përfitojnë pensionin që u njihet me ligj. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se pension për çdo aksident apo sëmundje përfitojnë të gjithë punonjësit, pavarësisht nga statusi.
Pensioni për aksidentet në punë
Të gjithë të dëmtuarit nga aksidentet, por dhe nga sëmundjet kanë mundësi të jenë përfitues të një pensioni të veçantë, i cili sigurohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kështu, i siguruari që për shkak të aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale, humbet aftësinë për punë, do të përfitojë: Të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale; të ardhura për invaliditet të përhershëm nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale; të ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale; të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël, nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale.
Kushtet e përfitimit
a) Pagesë për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale, përfitojnë vetëm të punësuarit;
b) Ky raport jepet nga spitali ose KML, deri në 12 muaj.
Dokumentacioni
a) Raportet mjekësore për aksident në punë;b) Proces-verbali tip i aksidentit në punë, i cili plotësohet nga subjekti dhe konfirmohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës;c) Formulari i bazës së vlerësuar të tri viteve të fundit të punës. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);
d) Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e pikës “a”, plotëson formularin tip-listëpagesë të përfitimeve afatshkurtra dhe e dërgon atë në ALSSH, ku ka aktivitetin subjekti;
e) ALSSH, pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet, i kalon pagesat në llogarinë personale bankare të përfituesit, ose në atë të subjektit.
Masa e përfitimit:
a) 100% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar, të tri viteve të fundit kalendarikë;
b) Kjo masë përfitimi vazhdon deri në 12 muaj.
Pension për paaftësi nga sëmundjet
Kushtet e përfitimit
a) Pagesë për paaftësi nga sëmundjet përfitojnë vetëm të punësuarit;
b) 14-ditëshi i parë paguhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi;
c) Mbi ditën e 14-të të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjeko-Ligjor (KML), raportet paguhen nga sigurimet shoqërore. Por gjithmonë llogaritjet bëhen nga subjekti;
d) Raporti mjekësor paguhet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë dhe pagesën prej 14 ditësh.
Dokumentacioni
a) i punësuari duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon këto dokumenta:
b) Raportet mjekësore;
c) Librezën e punës;
d) Formularin e bazës së vlerësuar të vitit paraardhës. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);
e) Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e pikës “a”, plotëson formularin tip-listëpagesë e përfitimeve afatshkurtra, dhe e dërgon atë në ALSSH-në, ku ka aktivitetin subjekti;
f) ALSSH pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet e sjella, i kalon pagesat në llogarinë personale të përfituesit, ose në llogarinë e subjektit.
Masa e përfitimit
– 70% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka deri në 10 vjet periudha sigurimi;
– 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka mbi – vjet periudha sigurimi.
Si përfitohet pensioni shtetëror
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta. Kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës. Kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist.
Dokumentacioni
a) Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror bëhet nga:
– Personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
– Organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
– Titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës;
– Kryeministri;
– Kryetari i Kuvendit;
– Presidenti i Republikës.
b) Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet, si vijojnë:
– Fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile;
– Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit;
– Vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë;
– Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhrat etj.;
– Kopjen e noterizuar të statusit të të përndjekurit politik.
Përfitimit
– Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që iu takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore;
– Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës;
– Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal.





