Dëshmia e autorit: Qëllova nga prapa, s’e dija që ishin efektivë të policisë

0
133

Elton Qyno

fitim allaFitim Alla: Vrapoja dhe qëlloja, u dorëzova. Policët më thanë: “…Na vrave shokun more qen…”

Arrestohen katër persona, drejtuesi i furgonit në kërkim. Bllokohen mbi 5760 fishekë automatiku

 

Plagosja e shefit të Krimeve Musa Skura në ditën e 100-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ka ngritur në këmbë specialistët më të mirë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Brenda një kohe të shkurtër, është bërë i mundur arrestimi i katër personave ndërkohë që është shpallur në kërkim, një shofer furgoni. Sipas policisë të arrestuarit quhen Fitim Alla, 19 vjeç; Vilson Milkurti 18 vjeç; Edison Lleshi 18 vjeç; A. Ll., 15 vjeç, dhe drejtuesi i furgonit me të cilin po transportonin 26 arka me fishekë, shtetasi Riza Barçi. Njeriu që ka qëlluar në drejtim të shefit të Krimeve është shtetasi i plagosur Fitim Alla, i cili gjatë marrjes në pyetje ka pranuar autorësinë e krijimit, ndërkohë që është shprehur se ka qëlluar pasi nuk dinte se ata ishin policë, për shkak se ndodheshin me makina dhe rroba civile. Të vënë në dijeni rreth aktivitetin kriminal të këtij grupi, që dyshohet edhe në dhjetëra raste të grabitjes së udhëtarëve në rrugë, shefi i krimeve Musa Skura së bashku me disa efektivë të tjerë, kanë ngritur një postbllok në vendin e quajtur “Përroi i Keqit”. Sipas policisë gjatë qëndrimit për disa minuta në postbllok, në drejtim të efektivave të policisë janë parë të vijnë dy persona me automatik, të cilëve pasi u është bërë shenjë për të ndaluar kanë hapur menjëherë zjarr, duke plagosur rëndë me një plumb të vetëm shefin e Krimeve Musa Skura. Pas kësaj ka ardhur dhe kundërpërgjigjja e policisë, të cilët kanë qëlluar me armë në drejtimin ku dilte flaka e automatikut, duke lënë të plagosur shtetasin Fitim Alla.

Dëshmia e Fitim Allës

Pas arrestimit të autorëve të krimit, të katër personat janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të Matit, ku gjatë mbrëmjes së djeshme janë marrë në pyetje, në prani edhe prokurores së çështjes Elisabeta Imeraj. Nga pyetja e katër personave ata kanë treguar se, njeriu që kishte qëlluar në drejtim të policisë është shoku i tyre Fitim Alla. Në dëshminë e tij, ky i fundit pranuar se ka qëlluar në drejtim të personave që kishin qëndruar në rrugë. “Sapo kemi dëgjuar një person që po na thërriste që të ndalonin, unë së bashku me Vilsonin jemi larguar me vrap. Personat kanë vazhduar të na bërtasin, por unë siç isha duke ecur, kam qëlluar nga prapa me automatik, vetëm për ti trembur, pasi nuk e dija që ishin policia. Nga ana tjetër, është kundërpërgjigjur me armë, dhe se në këtë kohë nga prapa kam qëlluar disa herë me automatik. Më pas, diçka më ka përshkuar trupin dhe kam rënë në tokë. Kam vënë dorën në vendin ku po më dhimbte dhe pashë që gishtat mu mbushën me gjak. Gjatë kësaj kohe, kam dëgjuar personat civilë, që bërtisnin “…dorëzohu jemi policia…” dhe i jam bindur kësaj thirrje. Kur jam arrestuar njëri nga policët më pohoi “…se çfarë na bërë more qen…, na vrave shokun”. Nuk e dija që ishin punonjës policie dhe se nuk i kam dalluar pasi ishin me rroba dhe makinë civile. Në ato momente kam menduar se personat që më thërrisnin, mund të ishin grabitës në rrugë.

Dinamika e krimit  

Nga veprimet e kryera përgjatë orëve të natës dhe mëngjesit të djeshëm, specialistët e policisë dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë arritur të ndërtojnë dhe dinamikën e ndodhjes së përplasjes me armë mes strukturave të policisë dhe personave të armatosur. Duke iu referuar këtyre burimeve, mësohet se dy personat Fitim Alla dhe Vilson Milkurti, janë parë mes errësirës, duke ecur në këmbë dhe njëri prej tyre i armatosur. Këta persona, po afroheshin drejt vendit ku ishte ngritur postblloku, pasi kanë menduar se në të qëndronin personat që kishin ardhur për të blerë, municionet. Mirëpo pikërisht në vendin ku, tregtarët e armëve kishin lënë takimin, shefi i krimeve kishte ngritur një postbllok policor, pasi në rrugë operative kishte marrë informacione se në atë segment rrugor ishin parë të lëviznin persona me precedentë penalë, dhe që dyshoheshin si grabitës me armë të udhëtarëve në rrugë. Në pritje se mos evidentonin ndonjë automjet të dyshimtë, pranë tyre po afrohen dy persona të armatosur të cilët kanë qenë shtetasit Fitim Alla dhe Vilson Milkurti. Ndërkohë që prapa tyre vinte një furgon. Sapo kanë parë armët, shefi i krimeve u ka bërë thirrje dy personave që të dorëzoheshin. Me fjalët “…ndal policia, dorëzohuni…”, Musa Skura u ka bërë thirrje autorëve të dorëzoheshin, por pas kësaj, njëri prej tyre ka hapur zjarr me automatik, ku njëri nga plumbat ka marrë shefin e komisariatit. Pas disa të shtënave, dy autorët janë larguar me vrap, jashtë rrugës, dhe se Fitim Alla ka vazhduar të qëllojë me breshëri të tjera, në drejtim të postbllokut të policisë. Nga ana tjetër, drejtuesi i furgonit ka kthyer mjetin në rrugë dhe është larguar disa metra nga vendi i ngjarjes, duke braktisur furgonin, së bashku me arkat e municioneve. Pas këtyre të shtënave, kanë reaguar strukturat e policisë, të cilat kanë hapur zjarr në drejtimin nga dilte flaka e armës, pasi në momentin kur ndodhi ngjarja në zonë kishte rënë errësira. Pas disa minuta shkëmbim zjarri nga të dyja palët, personi që qëllonte me breshëri ka ulur intensitetin, ndërkohë që efektivët e policisë në mënyrë të vazhdueshme i kanë bërë thirrje të dorëzohej. Kësaj thirrje ai i është përgjigjur pozitivisht, duke bërë të mundur dhe arrestimin e tij nga ana e policisë. Pas tij në pranga ka rënë dhe shoku tjetër, shtetasi Vilson Milkurti, ndërkohë që gjatë natës forcat speciale RENEA, kanë bërë të mundur arrestimin edhe të dy personave të tjerë, ndërkohë që shoferi i furgonit është shpallur në kërkim. Aktualisht ndaj Fitim Allës, Vilson Milkurtit, Edison Lleshit, A. Ll., dhe Riza Barçit, është ngritur akuza “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë e kryer ne bashkëpunim, si dhe “Shitje dhe mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve luftarake”.

 

Sot udhëtimi në një spital në Foxha

Noka: Do të bëjmë të pamundurën

për t’i shpëtuar jetën Skurës

 

Teksa qëndron i shtruar prej 24 orësh në Spitalin Ushtarak shefi i Krimeve Musa Skura, është vizituar gjatë ditësh së djeshme nga ministri i Brendshëm Flamur Noka. Në vizitën e tij, ky i fundit ka garantuar familjarët e shefit të krimit se do të bëjnë të pamundur, për shpëtimin e jetës duke mundësuar një mjekim më të specializuar në Itali. Noka përgëzoi dhe bluzat e bardha të Spitalit Ushtarak, të cilët kanë kryer një operacion shumë të gjatë dhe të vështirë, duke arritur ti rikuperojnë disa nga organet jetësore, shefit të Krimeve në Komisariatin e Matit Musa Skura. “Do të bëjmë gjithçka për përmirësimin e gjendjes së Skurës. Është marrë një vendim nga ana e qeverisë për të bërë të mundur që Skurës t’i jepet ndihma e nevojshme. Kemi siguri për shpëtimin e jetës së Musa Skurës. Tani janë realizuar kontaktet në Itali për Skurën, i cili do të transportohet me avion sanitar”, – vuri në dukje ministri Noka, pas vizitës në Spitalin Ushtarak. Pritet që ditën e sotme, Musa Skura të udhëtojë në drejtim të spitalit “San Giovani” që ndodhet në Foxha të Italisë, për të marrë mjekimin më të specializuar.

 

Bardhi Kurti, gjendja e shefit, e vështirë

Mjeku: I hoqëm njërën veshkë dhe

i qepëm stomakun dhe zorrët

 

Shefi i Krimeve në policinë e Burrelit, Musa Skura, iu nënshtrua një operacioni të vështirë mbrëmjen e djeshme në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Sipas mjekut reanimator Bardhi Kurti, Skura u paraqit në spital në gjendje shoku hemorragjik, ndërsa plumbat i kishin prekur 5 organe. Sipas mjekut, gjendja e shefit të krimeve është e stabilizuar, por nuk është tejkaluar ende rreziku për jetën. “Pacienti kishte dëmtim të veshkës së djathtë, e cila iu hoq farë, dëmtim të stomakut që iu qep, çarje të zorrëve të trasha dhe të holla të cilat u qepën. Mori rreth 9 qese gjak. I sëmuri është në parametra stabël, por situata mbetet e rëndë, për shkak të dëmtimit të shumë organeve. Ka ende rrezik për jetën, pasi ka komplikacione respiratore”, – bëri të ditur mjeku. Sipas mjekut Kurti, momentalisht nuk është i nevojshëm transportimi jashtë shtetit, por nëse një gjë e tillë është vendosur nga organet shtetërore, spitali ushtarak, do të verë në dispozicion mjekët më të mirë me qëllim shoqërimin e Skurës gjatë udhëtimit drejt spitalit Italian.

 

Tabela

  1. Fitim Alla,                              19 vjeç
  2. Vilson Milkurti,                      18 vjeç
  3. Edison Lleshi,                      18 vjeç
  4. A. Ll.,                                      15 vjeç
  5. Riza Barçi                              në kërkim
  6. 26 arka me municion          (fishekë)
  7. 5760                                       Fishekë
  8. Një armë kallashnikov
  9. Një furgon

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency