Ekzekutimi Lidhja intime me babain, 2 vëllezër organizuan vrasjen e Aksinja Krythës

0
195

Elton Qyno

asinjaNjë muaj hetime, policia arreston autorin e krimit, një 30-vjeçar, dhe njërin nga vëllezërit. I dyti, në kërkim

 

Një lidhje intime mes viktimës Aksinja Krytha dhe babait të dy vëllezërve të arrestuar si autorë të vrasjes së saj duket se është bërë shkak i kryerjes së krimit të rëndë të ndodhur një muaj më parë në qytetin e Fierit. Hetimet njëmujore të kryera nga policia dhe prokuroria e Fierit kanë nxjerrë në dritë historinë e një lidhje sentimentale që 49-vjeçarja kishte me një banor të Fierit, babai i dy vëllezërve, me inicialet G. D., 19 vjeç, dhe Xh. D., 17 vjeç. Që prej mbrëmjes së djeshme, policia ka bërë arrestimin e njërit prej vëllezërve 19-vjeçarit me inicialet G. D., si dhe shokut të tij, bashkëpunëtorit në krim Mandi Arapi. Ndërkohë, është shpallur në kërkim ndërkombëtar vëllai tjetër 17-vjeçar Xh. D., për të cilin prokuroria dhe policia e Fierit vijojnë kërkimet me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tij. Burime pranë policisë së Fierit thanë për gazetën “Standard” se dy vëllezërit, në bashkëpunim edhe me të njohurin e tyre Mandi Arapi, e kanë kryer krimit, pas refuzimeve që i kishte bërë viktima kërkesës së tyre për të hequr dorë nga lidhja intime që kishte krijuar ajo me babain e dy vëllezërve. Nisur nga kjo situatë, ata kanë vendosur ta vrasin nënën e dy fëmijëve, pasi nëse lidhja mes saj dhe babait të tyre do të vazhdonte, ata kanë menduar se kjo lidhje do t’u shkatërronte familjen.

Sherri dy javë para

Pyetja e shumë personave dhe vënia në përgjim e individëve të dyshuar në vrasje ka bërë që policia të bjerë në gjurmët e autorëve të krimit, të cilët në datën 12 dhjetor të vitit të kaluar, në orët e mbrëmjes, ekzekutuan me 15 thika nënën e dy fëmijëve, Aksinja Krytha. Hetimet kanë treguar se kjo e fundit, dy javë më parë, kishte zhvilluar një debat të ashpër me dy vëllezërit G. D., 19 vjeç, dhe Xh. D., 17 vjeç, të cilët, pasi kanë mësuar lidhjen intime të saj me babain e tyre, i kanë kërkuar që të shkëpuste çdo marrëdhënie me të, pasi vijimi i historisë jashtëmartesore do të sillte krizë dhe konflikte në familjen e tyre. Mirëpo kësaj kërkese mësohet se fillimisht i është përgjigjur negativisht Aksinja Krytha, e cila u ka bërë me dije dy vëllezërve se nuk kishte asnjë histori intime me babain e tyre, por me të veç përshëndetej në rrugë, pasi kishin njohje të vjetra, për shkak edhe se ishin të dy nga Fieri. Kjo ka acaruar dy vëllezërit, të cilët i kanë bërë presion se nëse nuk ndahej nga babai i tyre, atëherë punët do të shkonin shumë keq. Gjatë diskutimit, Krytha, e cila punonte në një kazino që administrohej nga vëllai i saj, është përfshirë në një debat me dy vëllezërit, duke i kundërshtuar ata në çdo kërkesë që i bënin.

Thirrja në telefon

Dy javë pas konfliktit mes tyre, vëllezërit kanë vendosur ta vrasin të dashurën e babait të tyre, për shkak se 49-vjeçarja ishte parë sërish të shoqërohej me të atin. Nisur nga kjo situatë, ata kanë zgjedhur mbrëmjen, kur në lagjen “Kryengritja e Fierit” mungonte edhe energjia elektrike, çka ka sjellë një errësirë të plotë në rrugët e kësaj lagjeje. Së bashku me dy vëllezërit ka qenë edhe shtetasi 30-vjeçar Mandi Arapi, i cili, siç mësohet, ka bërë thirrjen me telefon në drejtim të numrit të Aksinja Krythës. Kjo e fundit, sapo ka marrë telefonatën, ka vendosur të dalë jashtë nga banesa e saj, duke u pohuar të pranishmëve se do të shkonte në dyqan, por në fakt ka qenë e vetëdijshme se do të takonte dy djemtë e të dashurit të saj. Mirëpo teksa ishte duke ecur rrugës, dy vëllezërit, sipas policisë së Fierit, i kanë bërë me dije shtetasit Mandi Arapi se gruaja që kalonte ishte objektivi tyre. Arapi i është afruar dhe ka qëlluar me 15 thika nënën e dy fëmijëve, duke i sjellë asaj vdekjen e menjëhershme në mes të rrugicës së lagjes. Menjëherë pas këtij krimi, të tre autorët janë larguar me shpejtësi, ndërkohë që mendohet se dy vëllezërit kanë paguar 30-vjeçarin për të vrarë 49-vjeçaren e ndarë nga bashkëshorti i saj në Shkodër.

 

Dy vjet në task-forcë

Dorëhiqet për arsye familjare kreu

i njësisë antikorrupsion Dritan Rreshka

Dorëhiqet nga posti i drejtuesit të njësisë hetimore task-forcë, prokurori Dritan Rreshka. Ky i fundit i ka paraqitur i dorëheqjen drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, Adnand Kosova, mbrëmjen e dy ditëve më parë dhe motivacion kanë qenë arsyet familjare. Dorëheqjen e ka konfirmuar vetë prokurori Dritan Rreshka, i cili ka treguar se prej dy ditësh nuk drejton më njësinë antikorrupsion, pasi ka vendosur të largohet për arsye familjare. Pritet që prokurori Rreshka të qëndrojë brenda kësaj strukture, duke shërbyer si prokuror i thjeshtë. Ndërkohë, lidhur me këtë dorëheqje, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serjani, ka pohuar se dorëheqja ende nuk është paraqitur me shkrim në zyrën e kryeprokurorit Llalla dhe se në momentin që do të paraqitet ajo do të shqyrtohet, me qëllim pranimin ose jo të saj. Dritan Rreshka ishte një nga prokurorët më të besuar të Ina Ramës, ndërkohë që ka drejtuar njësinë antikorrupsion për rreth dy vite me radhë. Këtë detyrë ai e mori pasi la detyrën e drejtuesit të njësisë antikorrupsion në Durrës. Gjatë drejtim të njësisë së Tiranës, nën drejtimin e hetimit nga Dritan Rreshka, janë kryer dhjetëra operacione, duke sekuestruar pasuri dhe duke arrestuar shumë persona.

 

Nuk duroi vdekjen e babait, 17-vjeçari i jep fund jetës

Një 17-vjeçar nga Fushë-Kruja i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, në fshatin Hasan, ku 17-vjeçari i identifikuar si Sandër Meta, është gjetur i varur në dhomën e tij nga vetë familjarët. Paraprakisht, shkak për këtë akt ekstrem dyshohet të jetë bërë vdekja e babait të tij vetëm pak kohë më parë. Nisur nga kjo fatkeqësi, 17-vjeçari ka hyrë në gjendje depresive dhe për pasojë, ka vendosur t’i japë fund jetës duke u varur me perdet e dhomës së tij. Ndërkaq, policia ka nisur hetimet në vendngjarje për të sqaruar më tej detajet dhe rrethanat që çuan të riun drejt aktit ekstrem.

 

Tiranë, kapen tre hajdutët e pompave dhe sahatëve

Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që vidhnin sahatët elektrikë dhe pompat e ujit. Sipas burimeve zyrtare, Miklovan Demiri, 18 vjeç, Sh. Likaj, 17 vjeç, dhe Marjo Doda, 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë në rrugën “5 Maji”, duke vjedhur një sasi pompash në një dyqan. Nga hetimet e mëvonshme u zbulua se ata janë autorë të mbi 20 vjedhjeve të ndryshme në kryeqytet. Nisur nga kjo situatë, ndaj tre të rinjve është marrë masa e menjëhershme e arrestit, duke i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.

 

Korçë, nën hetim avokati, mashtroi klienten e tij

E mashtroi se do ta përfaqësonte në gjyq, por jo vetëm që nuk e përfaqësoi, por nuk i ktheu as lekët. Policia e Korçës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për avokatin Gj. Gj., 63 vjeç, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim D. B., 62 vjeçe, nga Pogradeci. “Gj. Gj. e ka mashtruar duke i marrë një shumë prej 30.000 lekësh (të reja) për ta përfaqësuar në një gjyq, por jo vetëm që nuk e ka përfaqësuar, por nuk i kthen më as lekët”, – thuhet në njoftimin e policisë së Korçës. 62-vjeçarja ka kallëzuar gjithashtu edhe një 52-vjeçar, pasi pretendon se ai ka përdorur në gjyq një testament që dyshohet se është i falsifikuar. Çështja gjyqësore ka të bëjë me një ndarje pasurie dhe ndaj të dy personave rëndon akuza e mashtrimit dhe e falsifikimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency