Panariti për tri ligjet: Bllokimi i PS-së është absurd, statusi, i mundshëm në pranverë

0
137

Florenc Drizari

panaritiRreziku për rikthimin e vizave, Panariti: Shqipëria nuk është e përfshirë në listën e vendeve problematike për thyerje të regjimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj

 

Votimi sa më parë i tri ligjeve do t’i krijonte Shqipërisë shansin për ta marrë statusin e vendit kandidat në pranverë. Kështu shprehet ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, lidhur me mundësitë që ka ende Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat, para zgjedhjeve të 23 qershorit. Gjatë një interviste të dhënë për radion “DW”, kreu i diplomacisë shqiptare e quajti absurd mosdhënien e votës për tri ligjet e integrimit nga opozita. “Përmes një akti absurd, të konsumuar nga një veto e pakuptimtë nga ana e opozitës, politika shqiptare shndërroi një realizim, pra rekomandimin për dhënien e statusit, në një mosrealizim, në mosmarrjen e tij ashtu sikundër pritej në dhjetorin e vitit të shkuar. Kjo u arrit duke bllokuar miratimin e dy ligjeve dhe të një rregulloreje, si pjesë e detyrimeve që mbeteshin për t’u plotësuar pas rekomandimit të Komisionit Evropian… Nuk ekzistonte asnjë arsye që këto ligje të mos miratoheshin me tri të pestat e votave në Kuvend, ashtu sikundër ndodhi në qershor me ligjin për Kodin Zgjedhor dhe ligjin për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjykatësit. Por, për fat të keq, arsyeja u gjend te mosarsyeja si pretekst i bllokimit të procesit. Zhbllokimi mbetet thjesht peng i vullnetit politik deri tani të munguar”, – tha Panariti.

Për vizat Shengen

Shqetësimet e kohëve të fundit të ardhura nga Brukseli dhe disa vende anëtare të BE-së për rritjen e fluksit të kërkesave për azil nga qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor duket se ka vënë në lëvizje edhe diplomacinë në Tiranë. Në intervistën e tij ministri i Jashtëm Edmond Panariti thotë se Shqipëria nuk është e përfshirë në listën e vendeve problematike për thyerjen e regjimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, por ai bën thirrje që mos të rriten kërkesat për azil në vendet e BE-së. “Shqipëria nuk është e përfshirë në listën e vendeve problematike për thyerje të regjimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj, prandaj nuk është e rrezikuar për rikthimin e regjimit të vizave. Por duke qenë se autoritetet e BE-së, kanë vendosur si kriter të rikthimit të regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse do të konstatohet një rritje në mbi 50% të numrit të kërkuesve të azilit nga këto vende për te vendet e BE-së në shifrat e raportit të vlerësimit, atëherë vendi ynë duhet të bëjë padyshim shumë kujdes që të mos arrijë në këto kuota, sikundër edhe po ndodh edhe falë forcimit të kontrolleve dhe ndërgjegjësimit publik”, – tha ministri i Jashtëm.

Marrëdhëniet me fqinjët

Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, duke folur për marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë, tha se po punohet për njohjen e përbashkët të pasaportave dhe dokumenteve të tjera zyrtare, ndërsa për Maqedoninë vuri theksin në respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

Vizita ime zyrtare në Greqi synoi dhe arriti të hapte një kapitull të ri të marrëdhënieve midis dy vendeve në frymën e diskutimit të hapur, bashkëpunues dhe jo paragjykues të çështjeve të së kaluarës dhe të atyre të aktualitetit. Synojmë që këtë frymë të vullnetit të mirë për bashkëpunim, ta materializojmë me nënshkrimin së shpejti të marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e njohjes reciproke të pasaportave dhe dokumenteve zyrtare, duke arritur një qëndrim të unifikuar për sa u takon toponimeve të përfshira në këto dokumente. Kjo do të hiqte plotësisht pengesat e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit sipas kritereve të marrëveshjes së Shengenit.

Për sa i takon ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ecuria e marrëdhënieve me këtë shtet do të kushtëzohet me shkallën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve, përfshirjen e duhur të tyre në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, sipas detyrimeve të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit.

 

Për Kosovën

Lidhur me Kosovën, ministri i Jashtëm Edmond Panariti tha se diplomacia shqiptare po punon për rritjen e njohjeve të reja, ndërkohë që objektiv për 2013-ën, sipas tij, është edhe rritja e anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare. “Objektiv i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe imi personal është intensifikimi në fillim të këtij viti i lobingut që do të kryejmë për njohjet e reja të Kosovës, në koordinim me qeverinë e Kosovës. Aktualisht po punojmë për rritjen e hartës së njohjeve të reja për Kosovën. Jemi fokusuar kryesisht në vendet e Lindjes së Mesme. Ky është objektiv i përbashkët i qeverisë së Shqipërisë dhe i qeverisë së Kosovës që në fillim të vitit të arrijmë numrin 100 të njohjeve që të vazhdojmë më pas me njohjet e reja dhe aplikimin e Kosovës për statusin e vëzhguesit në OKB për të synuar pastaj me arritjen e 2/3 të njohjeve në OKB dhe anëtarësimin e plotë në këtë organizatë…

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency