Letërsi/ Një antologji e rezistencës; dashuritë dhe diktatura!

 

dashuriNë ditët e fundit të 2012-ës është botuar në Belgjikë një antologji e poezisë shqipe, e konceptuar në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë. Poetët e përfshirë në këtë antologji janë me origjinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Çamëria, Arbëreshët e Italisë. Një e katërta e poetëve janë nga diaspora: Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Franca, Greqia dhe Belgjika. “Ne jemi krenarë që botuam për herë të parë në Belgjikë në gjuhën frënge një antologji të poetëve nga trevat e të gjithë botës ku prodhohet poezi shqipe. Tetëdhjetë janë poetët e përfshirë në antologji”, thotë Vasil Çapeqi, përkthyesi dhe përgatitësi i antologjisë.

Në antologji janë përfshirë poetët e njohur: Migjeni, Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Ismail Kadare, Agim Vinca, Esad Mekuli, Fatos Arapi, Xhevair Spahiu, Arshi Pipa, Martin Camaj, Azem Shkreli etj.; rezistentë të vërtetë ndaj çdo lloj diktature: Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Trifon Xhagjika; poetët e burgosur: Arshi Pipa, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Flora Brovina, Jamarbër Marko, Maks Velo dhe poetët e internuar ose të persekutuar prej regjimeve totalitare të Ballkanit. “Brezi i ri i cili imponohet me dinamizmin e tij, me mjetet moderne të shprehjes artistike, por që rigjen në gjuhën e tij të amshuar themelet e identitetit të vet. Poetët e diasporë së re. Emigracioni shqiptar i këtyre njëzetë viteve të fundit është një fenomen i rrallë në historinë e emigracioneve të të gjitha kohërave. Dhe kjo për numrin e personave të emigruar në raport me popullsinë shqiptare, por edhe për numrin e poetëve që e kanë shoqëruar këtë emigracion. Ata kanë meritën që ushqejnë lidhjet me Atdheun dhe që rilidhin kulturën shqiptare me Perëndimin të cilit ajo i përket. Ata janë kthyer në përkthyes të poezisë në të dyja drejtimet, botues librash dhe organizatorë evenimentesh kulturore në vendet pritëse. Mund të citoj Adnan Mehmetin, Elinda Markun dhe Kolec Traboini në Shtetet e Bashkuara, Lindita Arapin dhe Ferdinand Lahollin në Gjermani, Romeo Çollakun në Greqi, Flurans Ilian në Kanada. Në Belgjikë Shqiponja Duro”, shkruan Çapeqi. Ky i fundit ka paraqitur dhe një parathënie ku prezantohet situata letrare për rrjedhojë atmosfera historike e Shqipërisë kur shkruan poetët e antologjisë

“Të burgosur ose të internuar, të pushkatuar, masakruar prej shtetit të tyre dhe të injoruar apo të dëbuar prej regjimeve të huaja, ose të këputur nga malli për Atdheun e braktisur… Me mua, si përshtatës që prej vitit 2007, Francis Chenot, poet dhe, për një kohë të gjatë, drejtor i revistës Arbre à paroles. Kam përshtypjen se ai e njeh tashmë më mirë se sa unë shprehjen poetike shqipe. Të dy, pas një pune pasionante pesëvjeçare, ne shpresojmë t’i japim lexuesit frëngjishtfolës një informacion të gjerë dhe të aktualizuar mbi prodhimin poetik në gjuhën shqipe që do ta zbulojnë ndoshta shqipfolësit…”

Ndërsa përshtatësi në gjuhën frënge, tashmë I njohur për mjediset letrare shqiptare, poeti Francis Chenot shkruan: “Është e vërtetë se ne Ballkan, më shumë se gjetiu, shpesh kufijtë nuk korrespondojnë me realitetin e popujve dhe të gjuhëve. Flitet shqip në Shqipëri, sigurisht, në Kosovë (ku shqiptarët përbëjnë padyshim shumicën), në Maqedoni, në Mal të Zi, në disa lugina te jugut të Serbisë, në Çamëri në veri të Greqisë… Shkurt, në atë çka thirrej qëmoti Arbëri. Shtojmë këtu arbëreshët e Kalabrisë, këta shqiptarë që braktisën perandorinë otomane në shekujt e XV-të dhe të XVI-të. Janë më në fund, të gjithë shqiptarët e diasporës, në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut. Bëhet fjalë pra për poezi shqiptare – llojshmëria e tyre imponon numrin shumës – të cilat janë krijuar gjatë shekullit të kaluar… tetëdhjetë poetë janë përfshirë këtu në version dygjuhësh. Ata paraqesin një numër karakteristikash të përbashkëta: kujtesën e miteve greke dhe ilirë, dashurinë për atdheun dhe një aftësi për t’i rezistuar çdo lloj forme të diktaturave”. Përkthyesi Vasil Çapeqi ka lindur më 3 maj 1951 në Sarandë në Shqipëri. Ai u largua nga vendi i lindjes në vitin 1997 dhe u vendos në Belgjikë e më saktë në Amay ku ai banon. Ai punon aktualisht ndërmjet Belgjikës dhe vendeve të Ballkanit perëndimor – Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Në kohën e lirë interesohet për poezinë (ka botuar – në frëngjisht – Mon atelier) dhe i kushtohet përkthimit në frëngjisht të poetëve shqipfolës. Ndërsa përshtatësi në frëngjisht i antologjisë, Francis Chenot ka lindur më 6 mars 1942 në Ardenne. Dyzet vjet gazetari. Njëzetë libra me poezi, midis të cilëve Kujtesë reshpe, Parimi i heshtjes, Ditari lëkurës së pemës, Zhbirimi i heshtjes dhe Shtigjet e dyshimit. Bashkëthemelues – me Francis Tessa – i shtëpisë së poezisë të Amay dhe të Arbre à paroles. Përkthyes nga spanjishtja dhe portugalishtja, përshtatës nga gjuha shqipe.

 

 

 

 

 

 

 

Share it :