Katër “pista” për Ujkanin
Janë katër skuadra të interesuara për Samir Ujkanin. Edhe pse nuk kanë “qëllime” të njëjta për shqiptarin të gjithë këto ekipe po ndjekin nga afër lojtarin që me sa duket po sheh të ardhmen larg Sicilisë. Një lajm të tillë e bëri dje të ditur “Sky Sport”. Tani për tani është Kievo skuadra që ka më shumë besim tek shqiptari. Sipas mediave italiane ekipi veronez kërkon që të zëvendësojë Sorention dhe mund t’i ofrojë një shans për të qenë titullar Ujkanit. Ndërsa skuadrat e tjera e duan vetëm për t’i zënë një vend në bankinë. E para është Lacio që nëse i jep Karrizon ekipit të Kievos pretendon të marrë Ujkanin si zëvendësuesin e parë të Marketit. Një tjetër skuadër që pretendon shërbimet e 24-vjeçarit është edhe ekipi i Fiorentinës. Siç dihet fare mirë Montela ka zgjedhur si portier të parë Neton kështu Viviano do të shkojë tek Bolonja. Pikërisht vendin e ish portierit që ka dalë nga akademia e Interit do të zërë Ujkani. Pra edhe në Firence shqiptari do të ishte thjesht i dytë. Nëse pretendon më shumë minuta lojë atëherë Ujkani mund edhe të fillojë gjithçka nga Seria B. Sipas “SKy Sport” janë një sërë skuadrash të këtij divizioni që pretendojnë kartonin e shqiptarit. Sa i përket të tashmes mësohet se Ujkani nuk është stërvitur dje me ekipin, pasi ishte helmuar.
Zgjidhja
Tifozët kuqezi japin ide për bashkimin e ligave të futbollit
Grupi i mirënjohur tifozëve të kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuqezi”, një ndër zërat e parë të bashkimit të dy ligave të futbollit, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka argumentuar, sipas tyre, se si mund të bëhet bashkimi në një ligë. “Tifozat Kuqezi” kanë bërë me dije se Kampionati Kombëtar përveç ekipeve nga Shqipëria e Kosova duhet të përfshijë edhe ekipet shqiptare në Maqedoni dhe ato në Mal të Zi. “Nuk është hera e parë që iu drejtohemi. Politika, qeveritë dhe federatat janë informuar prej kohësh si realizohet kjo pa i marrë leje askujt. Pse nuk e realizojnë të përgjigjen ata! Duam vepra, jo fjalë. Për të treguar që Tifozat Kuqezi nuk janë organizëm që japin vetëm kritika, por që ofrojnë edhe zgjidhje për kritikat që japin, po japim një zgjidhje. Konkretisht, Statuti i FIFA-s tregon se ky organ nuk lejon vende dhe klube joanëtare të luajnë me vende dhe klube anëtare. Kosova nuk është anëtare. Sa i përket zgjidhjes mjafton që klubet e Kosovës të regjistrohen në Republikën e Shqipërisë. Klubi Prishtina ka kërkuar prej kohësh tek Kryeministri, ministri dhe federatat, por ende nuk ka marrë përgjigje. Problemi? (po i paraprijmë problemit që do ngrejë FSHF pas zgjidhjes më lart). Klubi Prishtina duhet të regjistrohet në Kategorinë e tretë në Shqipëri”, – thuhet në komunikatë të shpërndarë në faqen zyrtare në rrjetin social të Facebook nga Tifozat Kuqezi. Bashkimi i dy ligave të futbollit është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratës së Kryeministrit Berisha në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit. Kryeministri i kërkoi ministrit të Sporteve, Aldo Bumçi të nisë menjëherë punën për realizimin e kësaj. E në frymën e këtij urdhri, ministri Bumçi pak ditë më parë u takua me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Në përfundim të takimit, kreu i FSHF-së tha: “Nuk lejohet që një vend anëtar i FIFA-s të zhvillojë ndeshje me klube joanëtare, por gjithsesi ka një vendim të Komitetit Ekzekutiv që lejon zhvillimin e miqësoreve, hapësirë që mund të realizohet për turne mes ekipeve shqiptare dhe kosovare”.






