Trafiku i heroinës për në Itali, dënohet 16 vjet Endrit Dokle

0
307

Sonja Caka

endrit dokleAkuza: Kreu i “Bandës së Durrësit” e drejtonte aktivitetin kriminal me telefon nga burgu. Vendimi, gjykata dënon me 16 vite edhe bashkëpunëtorin e tij, Izet Krasniqi

 

Endrit Dokle, i njohur si një nga krerët e fraksionit të grupit kriminal të “Bandës së Durrësit” është dënuar për herë të dytë dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kësaj radhe për akuzën e trafikut të heroinës. Trupa gjyqësore e ka dënuar me 16 vite Doklen dhe me aq vite edhe bashkëpunëtorin e tij Izet Krasniqi, po për të njëjtën akuzë. Sipas organit të akuzës, megjithëse i arrestuar, Endrit Dokle, ka arritur të menaxhojë dhe drejtojë trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike që nga qelitë e burgut 302, ndërsa ishte duke u gjykuar për krimet e kryera si drejtues i Bandës së Durrësit. Sipas akuzës, Dokle, Krasniqi dhe pjesa tjetër e grupit, e cila është dënuar më parë nga e njëjta gjykatë por me një tjetër trupë gjyqësore, janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Ura”, ndërsa prej kohësh ishin në përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Grupi kriminal përbëhej nga 9 të pandehur, 7 prej të cilëve janë dënuar një vit më parë nga e njëjta gjykatë, ndërsa dosja për Doklen dhe Krasniqin ishte veçuar. Ky është vendimi i dytë ndaj të pandehurit Dokle, pasi më parë u dënua me burgim të përjetshëm për krimet e kryera si drejtues i Bandës së Durrësit.

Hetimi

Sipas akuzës, hetimet për këtë çështje kanë nisur më 9.10.2008, pasi dosja me materialet hetimore kishte ardhur nga kolegët e Durrësit. Fillimi i hetimeve nisi me vrasjen e vëllait të Klodian Saliut, Arjanit dhe plagosjen e shtetasit Denis Hoxha. Në interes te hetimit të këtij procedimi, Prokuroria e Durrësit kishte autorizuar kryesisht, si dhe marrë autorizime në gjykatë lidhur me përgjimin e bisedave telefonike për disa numra telefoni celularë në përdorim të të pandehurve Isuf Bunaj, Endrit Dokle, Jorid Xhunga etj. Nga transkriptimi i këtyre bisedave ishin krijuar dyshime se këta të pandehur, në bashkëpunim me shtetas të tjerë si në Durrës e më gjerë, merreshin me aktivitet të kundërligjshëm në drejtim të trafikimit të narkotikeve, konkretisht heroinës. Nga hetimet 2-vjeçare ka rezultuar se në harkun kohor gusht 2008 – prill 2009, të pandehurit Isuf Bunaj, Shefqet Vata, Endrit Dokle e Izet Krasniqi kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal në përbërje të të cilit ishte dhe i pandehuri Jorid Xhunga, me qëllim trafikimin e drogës në drejtim të Italisë.

Bashkëpunimi me drejtësinë italiane

Duke qene se që nga fillimi i hetimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda u evidentua qëllimi kriminal i të pandehurve Isuf Bunaj, Jorid Xhunga, Endit Dokle etj u kërkua dhe u arrit të bashkëpunohej me autoritetet e drejtësisë italiane, për një hetim paralel në drejtimin të dokumentimit me prova të veprimtarisë së tyre kriminale. Sipas hetimeve, lënda narkotike financohej për t’u blerë nga të pandehurit Isuf Bunaj e Shefqet Vata, dërgohej në Itali si treg më i mirë dhe më i madh për t’u shpërndarë nga i pandehuri Izet Krasniqi dhe në Itali shpërndarjen e kryenin shtetas të ndryshëm, sipas rastit, ku kontribut kryesor për gjetjen e tyre kanë të pandehurit Endrit Dokle, Jorid Xhunga e Edmond Taulla.

Episodet kriminale

-Në muajt gusht-shtator 2008 kanë bashkëpunuar me shtetasit shqiptarë Ervin Bakri, Flameng Kërtusha dhe Fisnik Meçe, të cilët më datë 12.9.2008 janë arrestuar nga personeli i kompanisë Carabinieri në Chieti, Itali pasi në automjetin e tyre tip “Volkswagen Golf” me targa CP264HP janë gjetur dhe sekuestruar 13.760 kg heroinë, 4000 euro, si dhe disa sende të tjera.

-Në muajin dhjetor 2008 kanë angazhuar duke bashkëpunuar me ta shtetasin Elis Deda, banor të qytetit Durrës. I pandehuri Edmond Taulla, banor i qytetit Durrës ka ndërmjetësuar shokun e tij shtetasin Elis Deda që banon në Itali me pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal Isuf Bunaj, Shefqet Vata e Jorid Xhunga me qëllim që Elisi të priste një ngarkesë prej 20 kg lëndë narkotike në Itali dhe pastaj shpërndarjen e saj në territorin Italian.

-Në muajt janar-shkurt 2009, pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal kanë angazhuar duke bashkëpunuar me të pandehurin Bledar Prendi, lindur ne Kuçovë dhe banues në Tiranë, i cili nëpërmjet shtetasit italian Giuseppe Bottone ka marrë nga shtetasi Elis afërsisht 8.5 kg lëndë narkotike të dërguar nga grupi i strukturuar kriminal në Itali. Më datë 3.2.2009, shtetasi Italian Giuseppe Bottone lindur më datë 25.08.1955 në Napoli, është arrestuar në Milano dhe i është sekuestruar sasia prej 8.340 kg heroinë.

-Në muajt janar-shkurt-mars 2009, pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, nisur nga kontradiktat me shtetasin Elis Deda, lidhur me shpërndarjen e lëndës narkotike bashkëpunojnë me të pandehurit Vito Biba e Eglantina Lulo (Biba) të cilët janë bashkëshortë. I pandehuri Vito jeton në Tiranë, ndërsa e pandehura Eglantina jetonte në Itali.

-Më datë 7.4.2009 shtetasit Elis Deda së bashku me shtetasit Eleonora Billeci e Fatmir Pjetri janë arrestuar nga karabinierët e Porta Magenta MI dhe u janë sekuestruar 6.250 kg lëndë narkotike të llojit heroinë, pjesë nga sasia prej 20 kg lëndë narkotike e dërguar në Itali për Elisin nga grupi i strukturuar kriminal.

U dënuan

Endrit Dokle

Izet Krasniqi

Pjesa tjetër e grupit kriminal

Isuf Bunaj

Shefqet Vata

Jorid Xhunga

Edmond Taulla

Blendi Bledar Prendi

Vito Vehap Biba

Eglantina Biba Lulo

Akuzat

Trafikim i narkotikeve në bashkëpunim në dy raste

Grup i strukturuar kriminal

Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal te parashikuara nga nenet 283/a/2 333/a/1 dhe 334/1 te Kodit Penal

Prodhim dhe shitje e narkotikeve në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 283/2 të Kodit Penal

 

Shorti

Caktohet gjyqtari që do të gjykojë Ilir Xhaken, më 18 janar nis gjyqi

Një ditë pas hedhjes së shortit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila ka caktuar gjyqtarin Bardhyl Dhama si kryesues të trupës gjyqësore që do të gjykojë vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, dje u caktua edhe data e seancës së parë. Më 18 janar fillon gjyqi ndaj të pandehurit Ilir Xhakja, i akuzuar për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, parashikuar nga nenet 79/c, 76-22, 236, 278/2 të Kodit Penal. I pandehuri akuzohet se më 13 shtator të vitit të kaluar vrau kreun e komisariatit të Shijakut, i cili kishte qenë në krye të detyrës, duke kryer një kontroll për personat e shpallur në kërkim. Sipas dosjes së dërguar në gjykatë nga prokurori Eugen Beçi, mësohet se gjithçka ka nisur pasditen e datës 13 shtator 2012, kur kryekomisar Tahiraj, i shoqëruar nga shoferi i tij personal Fatmir Hoxha dhe inspektori i krimeve Kastriot Gosturani, kanë dalë për të zbatuar një plan masash për bllokimin e mjeteve pa dokumente. “Në fshatin Katund i ri të komunës Sukth, rreth orës 17:45 minuta, policia ka konstatuar anash rrugës të parkuar pranë një floktoreje, një makinë e tipit “Opel” pa targa dhe me xhama të zinj. Sapo janë afruar pranë makinës policët, aty pranë është afruar 18-vjeçari L. Krasniqi, i njohur edhe si nipi i Ilir Xhakes. Efektivët e policisë i kanë kërkuar dokumentet e makinës 18-vjeçarit. “Makina është pa dokumente dhe është e dajës tim, që quhet Ilir Xhakja”, – është shprehur Krasniqi. Pas kësaj përgjigjeje, mësohet se kryepolici Tahiraj ka urdhëruar bllokimin e mjetit dhe dërgimin e tij në komisariat. 18-vjeçari duke parë se nuk po i mbushte mendjen kryekomisar Tahirajt që mos t’i bllokonte makinën, ka njoftuar dajën, të dyshuarin Xhakja për bllokimin e makinës. Rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes ndodhet shtëpia e familjes Xhakja, çka ka bërë që i dyshuari të vinte për pak minuta me makinën e tij të tipit “Benz” me targa italiane (false). “Në momentin që Ilir Xhakja ka ardhur tek vendi i ngjarjes, në sediljen e shoferit të makinës “Opel” ndodhej shoferi i shefit të Komisariatit, polici Hoxha, i cili ishte urdhëruar ta dërgonte makinën në pikën e bllokimit. Kjo pamje e ka acaruar të dyshuarin, i cili ka nisur të debatojë me shoferin, për shkak edhe të një konflikti të vjetër mes tyre. Duke parë se debati mes Xhakjes dhe shoferit po agravohej, kryekomisar Tahiraj ka ndërhyrë duke i kërkuar Xhakjes të largohet pasi makina do të bllokohet për shkak të mungesës së dokumentacionit. Në këtë kohë, i dyshuari dhe Tahiraj kanë shkëmbyer fyerje e ofendime mes tyre, duke përfunduar me shtyrjen e njëri-tjetrit. Në momentin që Tahiraj ka kthyer shpinën për t’u larguar nga Xhakja, ky i fundit ka nxjerrë pistoletën dhe nga një distancë rreth 3 metra ka shkrehur në drejtim të Tahirajt 5 plumba, të cilët i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme”, – thuhet në dosjen që ndodhet tashmë në gjykatë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency