Pranga korrespodentit të ATSH-së gjobiti 3 mijë euro policin

0
166

prangaI bënte shantazh se do t’i nxirrte një video korruptive në televizor, arrestohet Bektash Zeneli

 

Arrestohet për mitmarrje korrespodenti i ATSH-së në Lezhë, shtetasi Bektash Zeneli. Arrestimi i këtij të fundit është bërë gjatë ditës së djeshme nga Grupi i Operacioneve Speciale në Tiranë, ku Zeneli sapo i kishte marrë një shumë financiare prej tre mijë euro, një efektivi të policisë së Gjirokastrës me inicialet K. B. Dorëzimi i kontrolluar i lekëve është bërë në zonën e Zogut të Zi në Tiranë, ku sapo gazetari Zeneli ka marrë lekët ai është arrestuar nga forcat e policisë së Tiranës. Vendimi për arrestimin e tij e ka lëshuar prokuroria e Gjirokastrës, pasi pikërisht në këtë prokurori është bërë dhe denoncimi për mitmarrje nga ana e efektivit të policisë, i cili punonte si kontrollier në pikën doganore të Kakavijës. Nga burime pranë kësaj prokurorie, mësohet se gazetari e ka telefonuar disa herë, punonjësin e policisë me inicialet K. B., duke i kërkuar këtij të fundit një shumë prej 3 mijë euro, pasi në të kundërt ai do i publikonte në televizion një video ku kontrollieri i doganës së Kakavijës, shfaqej duke i marrë një shumë parash disa emigrantëve. Nisur nga kjo situatë, punonjësi i doganës ka pranuar ta takojë në Tiranë, gazetarin me qëllim dhënien e shumës së kërkuar prej tij. Mirëpo nga ana tjetër punonjësi i policie ka njoftuar dhe kolegët e tij, lidhur me rastin në fjalë duke organizuar një dorëzim të kontrolluar të shumës financiare prej 3 mijë euro.

Takimi tek Zogu i Zi

Mbi bazën e kallëzimit penal të bërë nga shtetasi K. B.,administruar në prokurori në datë 4 janar 2013, në këtë datë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Njësia Task-Force, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale ”Korrupsioni pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K. Penal. Në zbatim të autorizimit të Prokurorit për lejimin e përdorimit të metodave speciale të hetimit të datës 7 janar 2013, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokuroria ka mbajtur nën vëzhgim shtetasin Bektash Zeneli, i cili ka komunikuar me shtetasin K. B. nëpërmjet telefonit ku ky i fundit do ti jepte sasinë prej 3000 euro me qëllimin që shtetasi Bektash Zeneli të mos transmetonte në një stacion televiziv një filmim me të cilin pretendon se i ka bërë shtetasit K. B. në kryerjen e detyrës së tij në stacionin kufitar Kakavijë, vulosja e pasaportave për jashtë shtetit. Vëzhgimi ka filluar në Laprakë, Tiranë dhe është përqendruar në një lokal pranë ”Zogut të Zi”, Tiranë, ku dy shtetasit kanë biseduar me njëri-tjetrin. Shtetasi K. B. I ka dhënë shtetasit Bektash Zeneli zarfin brenda të cilit kishte sasinë prej 3000 euro. Shtetasi Bektash Zeneli ka marrë zarfin dhe është ngritur për të dalë nga lokali. Në këtë moment kanë ndërhyrë specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Bektash Zeneli dhe është shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Kapja në flagrancë e shtetasit Bektash Zeneli është bërë për veprën penale ”Korrupsioni pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”.

ATSH distancohet

Menjëherë pas arrestimit të gazetarit Agjencia Telegrafike Shqiptare u distancua dhe dënoi veprimin e Bektash Zenelit, i cili u ndalua nga Policia e Gjirokastrës me urdhër të Prokurorit për korrupsion pasiv personal dhe e pushoi menjëherë nga puna. “Drejtoria dhe gazetarët e ATSH-së, distancohen dhe dënojnë këtë akt korruptiv, që është në kundërshtim të plotë me misionin fisnik të gazetarëve të këtij institucioni mediatik, që në radhë të parë kanë informimin e saktë të opinionit publik dhe ruajtjes së etikës profesionale gjatë ushtrimit të aktivitetit”,-nënvizon Agjencia Telegrafike Shqiptare. Bektash Zeneli, kishte vetëm dy muaj që kishte filluar punë në ATSH.

 

Vdekja e 21-vjeçares në aksidentin mbi shina, arrestohet shoferi

 

Një ditë pas përplasjes së trenit me një automjet, ku gjeti vdekjen një 21-vjeçare, është vënë në pranga pronari i mjetit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, është arrestuar Qani Hysenaj, 62 vjeç, pasi mjeti i tij ishte i ndaluar në traversat e hekurudhës dhe për pasojë është përplasur nga treni i udhëtarëve i linjës Tiranë – Durrës. Sipas burimeve jozyrtare, shkak i arrestimit të tij ka qenë mungesa e dokumentacionit, pasi Hysenaj punonte me mjetin e tij si taksi pa licencë. Nga ngjarja e rëndë humbi jetën Kristjana Ndosha nga Puka, e cila ka qenë pasagjere, ndërsa ndodhet në spital në gjendje të rëndë vëllai i saj. Ndërkaq hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

Vodhi milionat në kasafortë për të dashurin, lihet në burg adoleshentja

 

Gjykata e Durrësit ka dhënë masën “Arrest me burg” për 18-vjeçaren, Fatma Buziu, e cila akuzohet për vjedhjen e 4 milionë lekëve dhe 88 mijë franga zvicerane në shtëpinë e të atit. Prokurorja e çështjes, Rabjana Halili, e cilësoi si të ligjshëm arrestimin e vajzës ndërkohë që kërkoi masën “Arrest me burg” që dhe vendosi trupi gjykues. Nga ana tjetër, avokati i të pandehurës, Halil Hoxha, ka kundërshtuar arrestimin e vajzës, pasi nuk është kapur gjatë kryerjes së veprës penale, duke hedhur poshtë arrestimin në flagrancë. Avokati ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 18-vjeçares. Në lidhje me këtë ngjarje, policia e Durrësit arrestoi dhe të fejuarin e vajzës, i cili akuzohet për bashkëpunim në vjedhje dhe moskallëzim të krimit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency