Bashkëbisedimi në Facebook, Arvizu: Për zgjedhjet e 2013-ës të zbatohet porosia e Clinton-it

0
116

Gëzim Saliu

Çështja e Fierit, Arvizu: Situata e papranueshme, politika përgjegjëse për rrëmujën

Ambasadori amerikan: SHBA nuk favorizon Nabucco-n, politizimi i vendimeve në KQZ, jo ogur i mirë për 23 qershorin

 

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, ka zhvilluar dje një bashkëbisedim online për rreth dy orë me fansat e tij në rrjetin social Facebook, ku ka komentuar dhe analizuar një sërë çështjesh të rëndësishme të aktualitetit politik në vend. Në programin e titulluar “Pyet Ambasadorin”, Arvizu iu përgjigj fluksit të madh të pyetjeve të qytetarëve në një chat direkt online. Ai e ka quajtur kënaqësi bashkëbisedimin online me të interesuarit, duke premtuar se do ta kthejë në një rubrikë të përhershme. “Falënderimet e mia për këtë eksperiencë. E shijova shumë dhe shpresoj që të kem dhënë përgjigje për shumë pyetje tuaja. Do të monitoroj më pas të shoh se si shkoi e gjitha kjo. Kam menduar që ta ripërsëris këtë të sotmen, por gjithmonë nëse ka interes mjaftueshëm nga ana juaj. Më vini në dijeni nëpërmjet kësaj faqeje. AA”, – shkruante ambasadori në Facebook pas përfundimit të programit online.

 

Zgjedhjet e 23 qershorit

Për kryediplomatin amerikan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013 përbëjnë sfidën e politikës shqiptare për të arritur standard evropiane. Në këtë kontekst, Arvizu theksoi se me rëndësi themelore mbetet zbatimi i porosisë së Sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton gjatë vizitës së saj në Tiranë, e cila nënvizoi se parlamentaret e 2013-ës duhet të jenë të drejta dhe të lira. “Për sa u përket zgjedhjeve, unë mendoj se Sekretarja Clinton ishte shumë e qartë kur ajo tha “është e rëndësishme për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të drejta, dhe të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Së pari dhe më e rëndësishmja është që shqiptarët duhet të besojnë tek rezultatet”, – u shpreh ambasadori.

KQZ-ja

I pyetur lidhur me polemikat e forta nga opozita rreth vendimeve të Kolegjit Zgjedhor mbi disa vendime të KQZ-së dhe nëse pas këtyre polemikave a mund të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, Arvizu tha: “Jam pak i shqetësuar rreth KQZ-së. Kanë qenë çështje që më kanë habitur, pasi kanë qenë çështje administrative, të cilat janë politizuar. Kjo nuk do të ishte ogur i mirë për zgjedhjet e 23 qershorit”.

Çështja e Fierit

Një tjetër çështje e trajtuar në bashkëbisedimin online me qytetarët nga ana e ambasadorit amerikan ishte ajo për “Fierin”. Arvizu e cilësoi si një problem të papranueshëm situatën, duke nënvizuar se përgjegjësja kryesore për këtë fakt mbetet klasa politike shqiptare. “Fieri është një problem i vërtetë. Një gjë është e qartë – politika është e përgjegjshme për krijimin e kësaj rrëmuje. Në të njëjtën kohë, qytetarët e Fierit janë pa një Këshill Qarku funksional. Kjo është e papranueshme”, – shkruante Arvizu.

 

Nacionalizmi

Sa i përket nacionalizmit, i cili është kthyer në një temë debati në jetën politike shqiptare, ambasadori amerikan pohoi se Shqipëria duhet të vijojë të luajë rolin pozitiv në rajon. “Unë do t’i referohesha fjalimit që mbajta në 15 dhjetor. Më lejo të nënvizoj se është shumë i vlerësuar kontributi pozitiv i Shqipërisë për stabilitetin në rajon dhe është në interesin e Shqipërisë që kjo gjë të vazhdojë”, – deklaroi Arvizu.

 

Projekti TAP

Një tjetër pyetje me interes drejtuar kryediplomatit amerikan ishte edhe ajo që lidhej me qëndrimin e SHBA-së për projektet gazsjellëse TAP dhe Nabucco, për të cilën Arvizu tha: “Me TAP besoj se i referoheni raportit të Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Senat. Në qeverinë amerikane, dega legjislative ka përgjegjësi për të informuar administratën e marrëdhënieve me jashtë. Qeveria amerikane mbështet diversitetin e burimeve për energjinë në Evropë. Politika e administratës për asnjanësi midis TAP dhe Nabucco West nuk ka ndryshuar”.

 

Sulmet politike ndaj familjarëve

I pyetur se si veprohet në SHBA me rastin kur aktorët politik përdorin sulmet ndaj familjarëve për qëllime politike, Arvizu sqaroi: “ Shqipëria ka një nevojë kritike për statistika dhe informacion objektiv, të saktë dhe jo të njëanshëm, pasi ato lidhen me informacion zyrtar. Burime të ardhurash, deklarata asetesh etj.”, – pohoi Arvizu.

Act Now

Një tjetër pyetja ndaj kryediplomatit amerikan ishte lidhur me pritshmëritë e lëvizjes ACT Now, për të cilën Arviu u shpreh i prekur nga suksesi dhe ndryshimi që kanë mundur të sjellin njerëzit. “Mendoj se ACT Now! po funksionon. Jam shumë i inkurajuar nga reagimet që kemi marrë. Kanë kaluar vetëm 6 muaj. E kam thënë dhe më parë – do të duhet kohë për të ndërtuar një kulturë të angazhimit social, përgjegjësie vetjake, dhe përgjegjshmërie zyrtare. Unë jam prekur shume nga ata njerëz që kanë arritur të sjellin ndryshim”, – shprehet Arvizu.

 

Ambasadorët

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me akuzat që politika dhe analistë shqiptarë bëjnë ndaj disa ambasadorëve të atashuar në vendin tonë, Arvizu vlerësoi se çdokush është i lirë që të ketë opinionin e tij. “Unë jam këtu për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara. Çdokush ka të drejtën të ketë një opinion apo mendim se sa i efektshëm është një ambasador në punën e tij”, – tha Arvizu.

 

Shoqëria civile

Sa i përket shoqërisë civile, ambasadori amerikan nuk nguroi të shprehë kritikën e tij e po ashtu nga ana tjetër të vlerësojë ato organizata që kanë dhënë kontribut të veçantë. “Unë gjithashtu kam dëgjuar disa akuza se si disa organizata joqeveritare janë të korruptuara dhe me qëllime përfitimi për veten e tyre. Çdo shoqatë joqeveritare e besueshme duhet të jetë transparente në burim, përdorim dhe raportim të fondeve. Ka disa kampionë të vërtetë në shoqërinë civile, ashtu si ka edhe disa në shoqëri civile të cilat janë shumë të politizuara, gjë e cila pengon efektshmërinë e tyre. Sfida që shtrihet përpara nuk është për shoqërinë civile në vetvete, por një angazhim qytetar i gjerë dhe i thellë”, – pohoi Arvizu.

 

21 Janari

Ambasadori Arvizu duke kujtuar ditën e emërimit të kreut të ri të organit të akuzës Adriatik Llalla, të cilën e uroi që të bëj “përpjekje maksimale për të përmbyllur me sukses gjyqin e atyre që ishin përgjegjës për dhunën e dënueshme të 21 janarit 2011”, – tha se shqiptarët kanë 2 vjet që presin drejtësi. “Kanë kaluar tashmë 2 vjet dhe shqiptarët meritojnë të kenë përgjigje, meritojnë veprim dhe meritojnë të ketë drejtësi”, – theksoi Arvizu.

 

Nuk kopjova Ramën dhe Berishën

I pyetur nga një i interesuar në komunikimin në Facebook se a ka ndonjë arsye që ambasadori i SHBA-së bën një konferencë online, 3 ditë pasi një të tillë bëri kreu socialist Rama dhe pas aktivizimit të Kryeministrit Berisha në këtë rrjet social, Arvizu u përgjigj: “Kam respekt për z. Berisha dhe z. Rama. Mendoja që ta zhvilloja një konferencë online që në korrik të vitit 2012, domethënë më papara se Rama e Berisha, por nuk e realizova dot, se kam qenë i zënë”.

 

Këshillat e Arvizusë

Përpara nisjes së konferencës online me qytetarët, ambasadori amerikan Alexander Arvizu dha dy këshilla lidhur me mbarëvajtjen e bashkëbisedimit. “Përpara se të nisim, kisha dy kërkesa: 1) Çdo pyetje në lidhje me vizat apo çështjet konsullore – specifike apo e përgjithshme – duhet t’i drejtohet rubrikës “Pyet Konsullin” në këtë faqe; 2) Ju lutem, përpiquni që t’i bëni pyetjet të shkurtra dhe sa më specifike, në mënyrë që bashkëbisedimi të rrjedhë. Nëse postimi juaj do të jetë një koment i gjatë politik, unë do t’ju përgjigjem me “ju falënderoj për pikëpamjet tuaja. Po a kishte pyetje në këtë koment?”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency