Tri ligjet para zgjedhjeve, Meta: Mosmarrja e statusit, e pafalshme

0
158

Ina Jano

Në mbledhjen e parë të kryesisë së LSI-së, kreu i kësaj force politike bëri thirrje për bashkëpunim për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Partitë të mos mbërthehen nga ethet elektorale para kohe

 

Kryesia e re e Lëvizjes socialiste për Integrim është mbledhur për herë të parë ditën e djeshme. Gjatë fjalës së tij, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, bëri thirrje për palët politike në vend që të votojnë tri ligjet e mbetura në Kuvend, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në qershor. Për liderin e LSI-së, tashmë është humbur mjaft kohë dhe nuk ka më kuptim që statusi i vendit kandidat të shtyhet, pasi, sipas tij do të ishte e pafalshme për të gjithë aktorët politikë në vend. Ai bëri thirrje që të kapet me shpejtësi treni i radhës dhe në pranverë Shqipëria të ketë statusin e vendit kandidat, pasi është diçka që qytetarët shqiptarë e meritojnë. “Besoj se nëse politika shqiptare do gjejë forcë janë mundësitë që tri ligjet të miratohen, që një frymë bashkëpunimi të rivendoset për çështje të rëndësishme dhe madhore dhe të bëhet përpjekje për të fituar statusin e vendit kandidat para se të fillojë gara elektorale pasi statusi mund të shtyhet në një mënyre jo te drejtë dhe do ishte një refuzim historik dhe i pafalshëm. Apel gjithë forcave, veçanërisht dy forcave PD-PS për të bërë gjithçka që mundet për të maksimizuar energjitë pozitive që kanë që vendi të ketë statusin e vendit kandidat para zgjedhjeve. Edhe ne do marrim përgjegjësitë, por është koha që gjithkush të marrë përgjegjësitë që i takojnë”, – bëri thirrje Meta.

Ndërsa duke u ndalur në zgjedhjet e përgjithshme në vend, që do të zhvillohen në një afat prej më pak se gjashtë muajsh, lideri Meta pohoi se nuk duhet që partitë t’i kapin ethet e zgjedhjeve që tani. Në emër të partisë së tij, kreu i LSI-së bëri thirrje për qetësi dhe bashkëpunim, ndërsa theksoi qëndrimin se LSI-ja do të jetë një parti që do t’i shërbejë integrimit. “Ky është një vit elektoral. Është një vit që tashmë dihet data e zgjedhjeve, që është 23 qershori, dhe në këtë kuadër unë dua të shpreh vendosmërinë e LSI-së për të mos u mbërthyer nga ethet elektorale në mënyrë të parakohshme. Përkundrazi. Unë besoj se në rast se politika shqiptare do të gjejë forcë dhe kurajë, që duhet ta gjejë patjetër për hir të vendit dhe respektit që duhet të tregojë ndaj aspiratës së gjithë qytetarëve për integrimin evropian. Për këtë arsye, duhet të miratohen dy ligjet dhe rregullorja që një frymë bashkëpunimi të rivendoset për çështje të rëndësishme, dhe që të bëhet një përpjekje për të fituar statusin e vendit kandidat brenda pranverës. Pra, përpara se të fillojë gara elektorale sepse përndryshe çështja e statusit mund të shtyhet në një mënyrë jo të drejtë dhe do të ishte një vonesë historike dhe e pafalshme për të gjithë ne”, – pohoi Meta. Ky i fundit u shpreh se duhet të shfrytëzohen të gjitha energjitë pozitive nga të gjitha partitë politike, ndërsa uroi kryesinë e re për detyrën e marrë përsipër.

 

Manjani: Ftesa e Ramës, jo serioze

Lëvizja Socialiste për Integrim refuzoi dje ftesën e kryesocialistit Edi Rama për koalicion parazgjedhor. Për nënkryetarin e LSI-së, Ylli Manjani, oferta e kreut të PS-së nuk është zyrtare dhe si e tillë nuk mund të merret në konsideratë. Ai thotë se kërkesa të tilla të bëra në Twitter nuk janë serioze dhe për më tepër në momentin që asgjë nuk është bërë zyrtare. “LSI nuk ka ende një qëndrim zyrtar për koalicionet, edhe pse mund të them që ne nuk kemi ndaluar koalicionin. Por oferta e bërë nga Rama nëpërmjet Twitterit nuk ishte serioze”, – tha dje Manjani. Më tej numri dy i LSI-së nënvizoi se kjo forcë politike nuk mund të jetë ushqim për orekse të dy partive të mëdha PD dhe PS, duke saktësuar se koalicionet partiake duhet të mbështeten mbi vlera. “Ne nuk jemi ushqim për PD dhe PS. Koalicioni në vitin 2009 me PD ishte i sforcuar, por solli stabilitet politik”, – nënvizoi ai. Një ditë më parë përmes një konferencë për shtyp në Twitter kryesocialisti Edi Rama ka ftuar LSI-në dhe FRD-në të përcaktojnë qartë koalicionet parazgjedhore, duke i ftuar këto forca politike që të bëhen pjesë e koalicionit opozitar për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Më herët kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se kjo parti politike u qëndron besnike të gjitha marrëveshjeve, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë asnjë ndërprerje të koalicionit me Partinë Demokratike, bashkëpunim ky që filloi në 2009 dhe vijoi edhe për zgjedhjet vendore ato të 2011-ës, kohë kur Lulzim Basha u zgjodh kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency