Takimi me gazetarët Topalli: Ja pse nuk e votova kryeprokurorin Adriatik Llalla

0
362

Florenc Drizari

jozefinaNë historinë tonë kemi pasur Hamza Kastriotin, kemi pasur Haxhi Qamilin, kemi pasur në çdo moment, në çdo shekull, njerëz që janë bërë pengesë dhe mur, zhvillimit apo ecjes përpara të Shqipërisë. Haxhi Qamilët janë krijesa shqiptare, Hamzai është krijesë shqiptare dhe sot edhe në 100-vjetorin e pavarësisë gjendet një, që pengon Shqipërinë.

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i bëri thirrje prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të hapë dosjet dhe të përfundojë çështjet e mbetura pezull, duke mos u bërë pjesë e politikës. Gjatë takimit të fundvitit që zhvilloi me gazetarët në ambientet e Kuvendit, Kryeparlamentarja Topalli sqaroi edhe qëndrimin e mbajtur prej saj disa javë më parë në mosvotimin e kandidaturës së Adriatik Lallës. Sipas Kryetares së Kuvendit, qëndrimi i saj ishte një mesazh për punën që duhet të kryejë numri një i akuzës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Jam e sigurt se prokuroria e lexon mirë qëndrimin tim. Mbi të gjitha, ai është një qëndrim për të thënë dhe për të kërkuar fort që të bëjnë një betejë pa kompromis kundër korrupsionit, të mos komfortohen, të mos përdoren politikisht, të mos kthehen në instrumente politike, të mos kenë frikë, të hapin të gjitha dosjet dhe të mbyllin kapitullin e pazareve, të shitblerjeve, të dosjeve dhe të çështjeve në prokurori”, – u shpreh Topalli. Sipas saj, nuk ka gjë më të rëndësishme sesa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe kjo është një shtyllë delikate, e cila ka nevojë të konsolidohet më tepër sesa drejtësia. “Është ftesë. Është thirrje. Është kërkesë. Është një betejë kundër korrupsionit, është detyrë e tyre. Është betejë kundër krimit, është detyrë e tyre. Kanë marrë votën e të gjithëve, kështu që ta kthejnë në vepër. Kjo është ftesë, thirrje, kërkesë. Ky ishte qëndrimi im. Ata e lexojnë mirë dhe e dinë mirë se çfarë dua t’u them”, – deklaroi Kryetarja e Kuvendit.

Tri ligjet

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli prezantoi para gazetarëve disa prej arritjeve të institucionit që ajo drejton, evidentoi edhe mosvotimin e tri ligjeve nga opozita. Duke përmendur disa statistika, Topalli tha senga të gjitha ligjet që janë votuar me shumicë të thjeshtë, 124 ligje, nga këto kanë marrë konsensus të plotë nga opozita 79 ligje. Për këtë ajo falënderoi bashkëpunimin e deputetëve të majtë dhe tha se kontributi i tyre do ishte më i rëndësishëm në votimin e tri ligjeve të integrimit. “Ata i kanë votuar, është detyra e tyre t’i votojnë dhe unë i falënderoj. Por gjetën votën dhe vullnetin e mirë për të votuar 79 ligje apo 2/3 e ligjeve, për të cilët mazhoranca nuk kishte nevojë për votën e tyre dhe për tri ligje që kërkon Komisioni Evropian nuk gjejnë tri sekonda për të votuar, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Kjo është përgjegjësi e madhe, kjo është më shumë se guastafesta. Kjo është e papranueshme”, – tha Topalli.

Opozita

Duke folur për bllokimin e statusit të vendit kandidat nga Bashkimi Evropian, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri edhe një herë përgjegjës lidershipin e majtë, duke i etiketuar ata me figurën e Haxhi Qamilit dhe Hamzait. Nga fjalimi i saj, Kryeparlamentarja shmangu përgjegjësinë e deputetëve socialistë në veçanti, duke thënë se ata e kanë treguar kontributin e tyre në votimet që u kanë bërë ligjeve të ardhura nga ekzekutivi. “Haxhi Qamilët janë krijesa shqiptare, Hamzai është krijesë shqiptare dhe sot edhe në 100-vjetorin e pavarësisë gjendet një që pengon Shqipërinë. Ndodh edhe në vende të tjera, në parti të vogla, në parti ekstremiste që të ketë të tilla personazhe, nuk ndodh kurrë në forcat të mëdha politike që një lider të mos lejojë të votojë për ecjen përpara të Shqipërisë ose të vendit të tij në një proces të një perspektive që jep zhvillim dhe stabilitet. Është më shumë se guastafesta dhe për këtë kam keqardhje të madhe. Por për këtë, unë nuk fajësoj në asnjë sekondë, në asnjë moment, deputetët e opozitës, të cilët për ligjet e tjera ishin të lirë dhe kanë dhënë kontributin e tyre, edhe pse nuk duhej vota e tyre”, – deklaroi Kryetarja e Kuvendit.

Programi i PS-së

Pyetjes së gazetarëve lidhur me akuzat e bëra nga PS-ja për vjedhje të programit politik nga mazhoranca, Kryeparlamentarja Topalli i quajti barsoleta të Ramës pretendimet e opozitës. Sipas saj, disa nga shtyllat bazë të programit për një rilindje shqiptare nuk qëndrojnë. “Kjo është një barsoletë e paparë, pa projekt, pa program. “T’i thuash shqiptarëve se janë 1 milion të papunë, të kesh qenë vetë njëmbëdhjetë vite në pushtet dhe kur qeveria përgjysmonte taksat, ti i trefishoje ato, kur qeveria i ulte në 10%, ti i katërfishoje ato, pastaj kujtohesh dhe thua: “T’i heqim të gjitha taksat e biznesit të vogël”, por asnjë njeri me intelekt mesatar nuk të pranon të të dëgjojë më, jo të të besojë. Është njësoj si t’i thuash shqiptarëve do të hani me lugë të artë. Këtë ia kanë thënë 70 vite më parë. Nuk e besojnë më shqiptarët. Ata janë inteligjentë dhe të shkolluar. Historia e tyre i ka bërë të reflektojnë thellë”, – tha Topalli.

Zgjedhjet

Në mbyllje të bisedës me gazetarët, Kryeparlamentarja Topalli deklaroi se do të punoi me përfaqësuesit e mazhorancës për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. “Unë do të bëj çdo për sa më takon mua, që së bashku me kolegët e tjerë, të punojmë për të fituar zgjedhjet e ardhshme.Ne nuk e kemi me horoskop. Ata e kanë me horoskop. Ne e kemi me punë, me projekte dhe me objektiva të caktuara që deri në vitin 2017 Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar.Është sfidë e madhe dhe e vështirë, sidomos në kohë krize, por unë mendoj se ne ia dalim.Unë e shoh me shumë optimizëm, por këtu nuk po flas më si kryetare parlamenti”, – tha Topalli.Sipas pas saj, qëndrimi apo jo në krye të Kuvendit të Shqipërisë është më pak i rëndësishëm sesa fitorja dhe qeverisja e vendit deri në 2017-ën. “Deputete e thjeshtë. Kënaqësia më e madhe është të shoh vendin që ecën në perspektivën e një vendi të zhvilluar për vitin 2017”, – deklaroi Jozefina Topalli.

 

Votimi për shokun, Topalli: Deputetë pianistë

Kryeparlamentarja Topalli gjatë takimit të djeshëm me gazetarët pranoi ekzistencën e rasteve kur deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votojnë dhe firmosin në emër të kolegëve të tyre. Duke thënë se ky fenomen ndodh edhe në parlamente të tjera, Topalli i quajti ata deputetë pianistë. “Kjo është e vërtetë. Ndodh ndonjëherë. Ndodh edhe në parlamentet e tjera. Këta deputetë quhen pianistë”. Ndërkaq, lidhur me ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, Topalli tha se në këtë kohë krize nuk është e mundur ndërtimi i tij, por projekti do të shqyrtohet në legjislaturën e ardhshme. “Për kompleksin, unë nuk mund t’ia lejoj vetes që në kohën e një krize globale të pretendoj të marr nga buxheti miliona euro për kompleksin e ri parlamentar. Këtë moment jo. Sigurisht, në legjislaturën e ardhshme unë besoj se do të bëhet. Kjo nuk do të thotë që stafi im nuk ka punuar gjatë kësaj periudhe dhe nuk do të punojë për të ecur përpara me çështjet teknike, sepse kjo është për simbolikën e shqiptarëve dhe të shqiptarizmës në demokraci. Unë prej kësaj nuk heq dorë. Besoj se legjislaturën e ardhshme duhet ta bëjmë. Natyrisht kërkoj mbështetjen tuaj dhe të opinionit publik në tërësi”, – deklaroi Kryetarja e Kuvendit.

 

 

Topalli: Parlamentin duhet ta drejtojë një femër

Kryeparlamentarja Topalli është e bindur se Kuvendi i Shqipërisë duhet të drejtohet nga një grua. Për këtë ajo kujtoi vizitat e nxënësve në Parlament dhe tha se në çdo rast, në karrigen e saj ulet një vajzë dhe në karrigen e Kryeministrit ulet në djalë. “Sa herë që salla e Parlamentit mbushet me gjimnazistë e me nxënës, në karrigen e Kryetares së Parlamentit ulet gjithmonë një vajzë. E kanë ndarë mendjen në karrigen e Kryetarit të Parlamentit duhet të jetë një grua. Është diçka shumë e bukur, sepse është një nxitje që i bëhet grave për të marrë pjesë në politikë, për të pasur kurajon që gratë të jenë në krye të institucioneve të rëndësishme dhe kjo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme”, deklaroi kryeparlamentarja. Ndërkaq, Jozefina Topalli është e para grua në historinë e themelimit të shtetit shqiptar që e drejton këtë institucion, që nga viti 2005 dhe posti i Kryeministrit është drejtuar nga vazhdimisht nga meshkujt.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency