Kamza Basket fiton pas 50 vitesh trofeun e parë
Pallati i sportit “Asllan Rusi” ishte vendi ku u kurorëzua një realitet i ri i basketbollit në Shqipëri. Në impiantin tiranas u zhvillua finalja e madhe e vlefshme për Kupën e Shqipërisë në basketboll. Kamza Basket mundi thellë Vllazninë (82-67) në një finale që do të futet në histori të këtij kompeticioni, pasi për kamzalinjtë ky ishte trofeu i parë historik. Sa i përket kronikës, ekipi i Kamza Basketit ishte superior në çdo aspekt përballë Vllaznisë. Ndeshja ka nisur mjaft e fortë dhe plot rivalitet. Shumë shpejt kamzalinjtë kanë dalë në lojën e tyre, ku vlen të përmendet performanca e kapitenit Bilali, i cili me dy trepikësha bëri diferencën menjëherë në parket. Perioda e parë përfundoi në favorin e kamzalinjve, 27-16. Në të dytën do të jenë shkodranët ata që dalin në lojën e tyre, duke nxjerrë kështu në pah një nga lojtarët më të mirë, Berdicën. Ky i fundit ndihmoi kuqeblutë që të dilnin fitimtarë në periodën e dytë që u mbyll në favor të veriorëve me rezultatin 23-18 (në total, pjesa e parë u mbyll 45-39 për Kamza Basketin). Fraksioni i dytë nisi mirë për Vllazninë, që shumë shpejt e ngushtoi diferencën në 3 pikë, por kamzalinjtë me liderin Bilali e rimorën veten, duke krijuar edhe shkëputjen. Hysenagolli, Karaj dhe Gjonaj nuk falin, duke shënuar rresht pa gabuar. Ndërkaq, shkodranët nga ana e tyre bëjnë gabime në finalizimin e aksioneve dhe kështu Kamza Basket ka fituar edhe periodën e tretë 20-11.
Perioda e fundit ka një fillim të mirë për shkodranët, të cilët shënojnë 2 herë radhazi me anë të Taraboshit. Duhet përmendur se me futjen e tij ka ndryshuar shumë edhe loja e tyre, ndërsa kamzalinjtë nuk mendojnë shumë për sulmin sesa që të mbroheshin për të ruajtur diferencën e pikëve. Në 5 minutat e fundit shkodranët treguan shenja lodhjeje e kështu Kamza Basket, megjithëse e ka humbur këtë periodë, i është gëzuar epërsisë së krijuar në tri periodat e tjera. Tekniku i Kamzës, Adem Muhametaj, pas fitimit të trofeut u shpreh: “Është një gëzim i madh për ekipin kamzali që kurorëzohet me të parin trofe. Ne kemi synime edhe për dy trofetë e tjera. Ky do të jetë viti i sukseseve të këtij ekipi”.
Merkato
Interi “shkëmben” Paulinjon me Lampardin
Shtypi italian ka bërë bilancin e merkatos së Interit. Zikaltrit do të kërkojnë përforcime në janar. Trajneri Andrea Stramaçoni i ka kërkuar presidentit Masimo Morati afrimin e të paktën tre lojtarëve, një për çdo repart, për të përforcuar ekipin dhe për të synuar deri në fund titullin kampion. Objektivi kryesor për zikaltrit në merkato mbetet gjithmonë mesfushori brazilian Paulinjo, i cili aktivizohet tek ekipi i Korinthiansit. Por në orët e fundit operacioni për ta transferuar lojtarin në Milano duket se është vështirësuar së tepërmi, për shkak të pretendimeve ekonomike të klubit brazilian. Në orët e fundit të merkatos duket se midis Interit dhe Paulinjos është futur në mes edhe skuadra e Çelsit, e cila ofron 20 milionë euro për mesfushorin. Londinezët, ndërkohë, i kanë komunikuar fantazistit të tyre, Frenk Lampard, që nuk ka më vend në skuadër dhe të kërkojë një ekip tjetër për sezonin e ardhshëm. Anglezi i intereson Interit, i cili ka nisur bisedimet me menaxherin e lojtarit për ta transferuar këtë të fundit që në janar në Milano. Lampardi është alternativa e Paulinjos dhe, për momentin, ajo çka duket se e favorizon më shumë anglezin për t’u transferuar tek Interi, është se lojtari do të vijë në Milano me kosto zero, ndërsa për Paulinjon, Moratit i duhet të shpenzojë disa miliona, të cilat, për momentin, shihen si shumë për arkën e klubit.