Sekuestrimi Trafikanti i drogës kaloi 1 milion euro në emër të djemve

0
75

Elton Qyno

taks forcaTask-forca e Durrësit bllokon truallin në Gjirin e Lalëzit dhe llogaritë bankare të familjes Bodlla

 

Kreshnik Bodlla, i dënuar për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda” në Shqipëri dhe në Itali për trafik droge, është vënë sërish nën akuza nga Prokuroria e Durrësit dhe se gjatë ditës së djeshme familjarëve të tij u është sekuestruar pasuria që zotëronin. Vendimi për sekuestrimin e pasurisë është marrë ditën e djeshme nga Gjykata e Durrësit, ku pas kërkesës së akuzës, togat e zeza kanë vendosur të sekuestrojnë një sipërfaqe toke me vlerë 920 mijë euro si dhe një llogari bankare që ka shumën prej 62 milionë lekë të vjetra. Të dyja këto pasuri kanë qenë në pronësi të shtetasit Kreshnik Bodlla, por që më pas ky i fundit ua ka kaluar dy djemve të tij, shtetasve Reshit F. dhe Roland F. Bodlla kohët e fundit kishte ndryshuar mbiemrin, me qëllim për të mos u identifikuar nga policia si trafikant droge, ndërkohë që gjatë kësaj kohe të qëndrimit në Shqipëri ai ka kryer blerjen e një sipërfaqe toke në zonën e Gjirit të Lalëzit. Aktualisht mbi këtë truall nuk është ndërtuar asnjë objekt, por që sipas prokurorisë së Durrësit, në të pritet të ndërtohej pas bashkimit të disa biznesmenëve. Blerjen e truallit Bodlla e ka marrë duke mashtruar disa nga banorët e truallit, duke i falsifikuar kontratat e shitblerjes.

Vendimi i gjykatës

Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive për pasuri të llojeve të ndryshme, të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milion euro, të dyshuara se janë krijuar nga aktivitetet e paligjshme të shtetasit Kreshnik Bodlla dhe përdoren nga dy djemtë e tij Reshit F. dhe Roland F. Njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi të kryer rreth një vepre penale të “Mashtrimit”, ka regjistruar procedimin penal datë 11 janar 2012. Në përfundim është konstatuar se Reshit dhe Roland F. kanë blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalëzit, si edhe kanë një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë, të cilat dyshohet se janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasit Budlla. Në bazë të të dhënave hetimore, ekzistojnë prova dhe fakte se shtetasi Kreshnik F. (i cili aktualisht mban mbiemrin Bodlla) është përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e lëndëve narkotike, për të cilat edhe është dënuar në Itali, në vitin 2007, me 5 vite burgim. Nga ky aktivitet shtetasi Bodlla ka siguruar produkte të veprave penale, ndërkohë familjarët e tij zotërojnë pasuri dhe të ardhura, të cilat kanë një diferencë të dukshme me nivelin e të ardhurave dhe fitimeve nga veprimtaritë e tyre të ligjshme.

Ekzekutimi i vendimit

Pas marrjes së vendimit, policia e Durrës në datën 27 dhjetor ka bërë ekzekutimin e vendimit ndaj pronave që janë të regjistruara në emër të djemve të shtetasit Bodlla. Një grup oficerësh kanë shkuar në Gjirin e Lalëzit ku kanë bërë rrethimin me shirita policie të truallit që mendohet se është marrë nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit të kontratave. Pas kësaj janë bllokuar dhe llogaritë bankare që ndodheshin në emër të dy djemve të tij, duke sjellë ngrirjen dhe papërdorshmërinë e tyre. Pritet që vendimi i Gjykatës së Durrësit të apelohet nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve për pastrim parash, duke bërë që kjo çështje të zgjasë në të gjitha nivelet gjyqësore. Nga ana tjetër, Prokuroria e Durrësit shprehet se pas hetimeve të mëtejshme që do të kryejnë rreth kësaj çështje, shumë shpejt do t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë tjetër, duke kërkuar konfiskimin e tyre dhe kalimin në përdorim të shtetit.

Aksidenti tek Rruga e Barrikadave

një person i vdekur, një i plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Tiranë me pasojë 1 të vdekur dhe 1 të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Rrugën e Barrikadave, një makinë është përplasur me një motor në të cilin udhëtonin 2 persona. Përplasja ka qenë fatale, nga e cila ka gjetur vdekjen në vend Edison Alushi dhe është plagosur rëndë Bilbil Aga. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuara forcat e policisë, të cilat kanë dërguar me urgjencë drejt spitalit Ushtarak personin e plagosur, ndërkohë që kanë ndaluar drejtuesin e mjetit. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë. Nga pyetja e dëshmitarëve në vendngjarje është mësuar se drejtuesi i motorit nuk ka respektuar sinjalin e semaforit dhe për pasojë, është bërë shkak i aksidentit fatal, duke u goditur nga drejtuesi i mjetit, që për momentin është arrestuar.

 

Vdekja e 7-vjeçares

Ministri Tavo pezullon dy shefa pavijoni

Pezullim nga puna për shefin e Pediatrisë dhe atë të shërbimit të laboratorit në Durrës. Masa është marrë nga Ministria e Shëndetësisë një ditë pas vdekjes së 7-vjeçares Arsela Vladi nga fshati Fermë, Xhafzotaj. Në të njëjtën kohë janë ngritur dy grupe hetimore paralelisht që po shqyrtojnë dokumentacionin pritës në spitalin e Durrësit dhe në QSUT. “Pas nxjerrjes së konkluzioneve të dy grupeve të ekspertëve që janë nisur për të hetuar këtë ngjarje, do të ketë dhe vendimmarrje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Paraprakisht mund të them që kam urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra për shefin e shërbimit të laboratorit të spitalit të Durrësit, si dhe për shefin e shërbimit të pediatrisë në spitalin e Durrësit”, – tha Vangjel Tavo, ministër i Shëndetësisë. Nga qyteti i Durrësit, drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, ka fajësuar drejtpërdrejt mjekun rojë, që ka pritur fëmijën. “Më vjen keq t’u them që mjeku që ka pritur fëmijën, në opinionin tim, nuk ka qenë i përgjegjshëm. Në kontaktin e parë që bëjmë me kartelën, si mjek me eksperiencë, ka përgjegjësi dhe kësaj përgjegjësie do t’i shkojmë deri në fund”, – tha Pëllumb Pipero. 7-vjeçarja Arsela Vladi ishte paraqitur ne repartin e Pediatrisë ditën e martë me dhimbje koke, ndërsa pak orë më parë ajo ishte paraqitur për vizitë edhe në poliklinikën e Durrësit. Mjeket e Pediatrisë nuk e kane kuptuar se vajza vuante nga diabeti dhe e kanë trajtuar me serum, por kjo e ka rënduar edhe më tej gjendjen e vogëlushes, pasi diabeti kishte filluar të sulmonte trurin, që më pas solli edhe vdekjen e vogëlushes.