Fryma e Re Demokratike finalizoi dje shtrirjen e saj në rrethe me një aktivitet të organizuar në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kryetari i FRD-së, ish-presidenti Bamir Topi, tha se sot fillon një cikël i ri për një rilindje të vërtetë qytetare, që, sipas tij, do të largojë Kryeministrin Berisha nga qeverisja. Topi theksoi se FRD është pro miratimit të tri ligjeve të kërkuara nga BE-ja për marrjen e statusit kandidat. Ish-presidenti Topi tha se përparimi në rrugën drejt BE-së pengohet nga performanca e lidershipit politik “Parlamenti është kthyer në një institucion shumë fiktiv, që në gjuhën sportive thuhet se tenton të luajë vetëm me një këmbë. Aspirata e kombit për të shkuar në BE pengohet nga këta. Harrojnë që monitorohen, harrojnë që problemi nuk është vetëm te tri ligjet që nuk miratohen, por problemi është më kompleks. Evropa, SHBA vazhdimisht kanë bërë thirrje për performim të lidershipit demokratik. Keni parë se si kërcënohen drejtpërdrejt deputetët, keni parë se si janë dominuar të gjitha institucionet dhe kanë rënë në një dorë. Është e njëjta sjellje si në kohën e monizmit”, – u shpreh Topi. Lideri i FRD-së komentoi edhe buxhetin e vitit 2013, duke e cilësuar atë si një përpjekje të qeverisë për të përfituar kapital politik, në dëm të qytetarëve.