Elton Qyno
Demir Kryeziu, postieri i Komunës Orenjë, fshehu në banesë 13 milionë lekë, më pas denoncoi në polici për grabitje
Postieri i Komunës Orenjë në Librazhd ka simuluar një grabitje me armë, me qëllim përfitimin e një shumë financiare prej 13 milionë lekësh të vjetra. E gjithë kjo shumë kishte mbërritur në arkën e komunës pak ditë më parë dhe ishte parashikuar që t’u shpërndahej pensionistëve të zonës para Vitit të Ri. Mirëpo teksa ka tërhequr shumën e parave nga arka e komunës, postieri Demir Kryeziu ka marrë rrugën për të shkuar në banesë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve në fshatrat e Komunës Orenjë. Teksa ka ecur rrugës, ai është kthyer në banesën e tij, duke i fshehur lekët në njërën nga dhomat e shtëpisë. Pikërisht pas kësaj, ai ka thurur një plan duke e justifikuar mungesën e lekëve si një grabitje të mundshme me armë. Dhe kështu ka ndodhur, pasi ditën e djeshme postieri Demir Kryeziu ka shkuar në ambientet e komisariatit të Librazhdit ku ka bërë denoncim për grabitjen e tij nga dy persona me armë dhe me maska. Sipas tij të gjithë sasinë e parave që kishte marrë nga komuna ja kishin grabitur dy autorët, të cilët ai nuk kishte mundur ti njihte për shkak se mbanin maska në kokë. Kaq ka mjaftuar që policia dhe personeli i Komunës Orenjë të ngrihen në këmbë, me qëllim kryerjen e verifikimeve të mundshme, me qëllim identifikimin e autorëve të kësaj grabitjeje. Mirëpo gjatë kësaj kohe, policia ka kryer dhe një kontroll në banesën e postierit të Komunës Orenjë, ku ka konstatuar se në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij, ishin fshehur 13 milionë lekë, të cilat ishin lekët e pensionistëve të zonës.
Zbulimi i lojës
Ajo që ka ndikuar për zbulimin e lojës së postierit të komunës ka qenë dëshmia e Kryeziut në policinë e Librazhdit. Gjatë marrjes në pyetje me imtësi, për karakteristikat e autorëve të grabitjes dhe veshjes së tyre, postieri ka shfaqur kontradikta rreth përshkrimit të tyre. Pavarësisht nga kjo, ai është justifikuar me faktin e emocioneve dhe tronditjes psikologjike, por që në fakt, nga ana tjetër, hetuesit kanë dyshuar për një inskenim grabitjeje dhe kallëzim të rremë. Nisur nga kjo situatë, postieri së bashku me një grup hetuesish dhe kryetarin e komunës kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim sqarimin e plotë të gjithë dinamikës së grabitjes. Edhe në këtë rast, postieri është ngatërruar me këmbët e veta, duke shtuar dyshimin për një vjedhje të mundshme nga vetë shpërndarësi i pensioneve. Nisur nga kjo situatë, policia ka vendosur të kryejë një kontroll në banesën e Demir Kryeziut për t’u bindur përfundimisht se çfarë roli ka pasur ai në këtë çështje. Një grup efektivash policorë kanë shkuar në banesën e tij ku dhe kryen një kontroll të imtësishëm. Gjatë kontrollit fizik të banesës, policët kanë konstatuar se në njërën nga dhomat, ndodhej sasia prej 13 milionë lekësh dhe se paratë ishin të rrethuara me shiritin e arkës së komunës dhe bankës.
Arrestimi i postierit
Menjëherë pas konstatimit të parave, policia e Librazhdit ka bërë arrestimin në kushtet e flagrancës së postierit të komunës, shtetasit Demir Kryeziu. Ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka shfaqur pendesë, duke pohuar se i kishte marrë lekët, për shkak të problemeve ekonomike. Kryeziu pranoi se të gjithë ngjarjen e treguar në polici si një grabitje të mundshme e kishte inskenuar vetë, me qëllim justifikimin e mungesës së parave. Pas kësaj ngjarjeje kryetari i Komunës Orenjë vendosi të shkarkonte nga detyra postierin Demir Kryeziu, ndërkohë që aktualisht ndaj tij është ngritur akuza e “Vjedhjes” si dhe ajo e “Kallëzimit të rremë”. Lidhur me këtë ngjarje materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Elbasan me qëllim vijimin e hetimeve të mëtejshme.