Driçim Çaka
Normat e interesit do të ulen me 2-3% për 4 vitet e para të pagesës, ndërsa për vitet në vazhdim do të jetë interesi normal. Kjo pritet të lehtësojë si bizneset, por edhe individët të cilët deri tani nuk kanë nxituar për të marrë kredi
Përveç festave, qytetarët, por edhe bizneset mund të festojnë edhe për sa i përket ekonomisë. Marrja e një kredie në kushtet e sotme është e lartë dhe në kohën ku sistemi bankar është prekur nga kriza atëherë është me shumë rrezik marrja e një kredie me interes të lartë. Mundësia më e mirë mbetet të shfrytëzohen rastet e festave ku të gjitha bankat përpiqen të tërheqin sa më shumë klientë, duke ulur normat e interesave.
Situatat
Sipas një vëzhgimi, në disa prej bankave kryesore në vend bëhet e ditur se niveli i kredimarrjes është ulur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë. Sipas bankave, faktorët kryesorë për mosmarrjen e kredive të individëve dhe bizneseve është situata ekonomike e vendit dhe nuk pranojnë se shkaku kryesor është shtrëngimi i kushteve nga vet ato. “Bankat nuk kanë ndryshuar kushtet por i kanë bërë kriteret ashtu siç i ka çdo bankë në botë. Më parë shumë prej bankave në vend jepnin kredi për këdo dhe po ndonjë kusht dhe kjo është arsyeja që kreditë e këqija kanë arritur nivelet rekord. Kushtet për të marrë kredi nuk ndryshojnë, por ne si bankë kemi përgatitur disa lehtësime”, – përmend një nga drejtuesit e një prej bankave në vend. Megjithatë, kushtet e vështira duket se janë faktori kryesor për të ulur normat e interesit të paktën për vitet e para të kredisë. “Pas datës 20 dhjetor ne si një nga bankat kryesore do të krijojmë lehtësi për kreditë, duke ulur normat e interesit, duke ditur që është një periudhë interesimi si nga ana e emigrantëve, por edhe nga njerëzit e thjeshtë që kanë plane për investime. Norma e interesit do të ulen me 2-3% për 4 vitet e para të pagesë, ndërsa për vitet në vazhdim do të jetë interesi normal. Kjo pritet të lehtësojë si bizneset, por edhe individët, të cilët deri tani nuk kanë nxituar për të marrë kredi”, – theksojnë bankat e nivelit të dytë në vend.
Kreditë
Sipas raporteve të Bankës së Shqipërisë, por edhe të bankave kreditë kanë qenë në nivel shumë të ulët aq sa disa nga bankat nuk kanë dhënë asnjë kredi për një muaj të tërë. Dy janë shkaqet kryesore për moslëshimin në tregun e kredive, tkurrja dhe frika e çdo individi për të marrë kredi dhe mosaprovimi nga bankat për të dhënë kredi. Disa banka kanë nxjerrë reklamë për kredi në lekë që fillojnë nga 10 për qind. Por së paku, sipas të dhënave të muajve tetor e nëntor, bankat kanë dhënë kredi me interesa të ulëta. Interesi i kredive në lekë është nën mesataren trevjeçare, ndërsa për kreditë në euro janë gjithashtu më të ulëta, ndonëse jo shumë më të ulëta. Në ditët e ardhshme pritet të dalin dhe reklamat më të fundit të cilat do të ofrojnë kredi me shifrat më të ulëta të mundshme që do të arrijnë deri në 8%. Kreditë të cilat kanë dhe normën e interesit më të ulët janë disa. Bankat na informojnë se kredia për studime dhe kredia për pushimet kanë normën e interesit më të ulët duke filluar nga 6%-10%. Kjo normë është e përballueshme nga çdo individ i cili ndërmerr një hap të rëndësishëm apo dëshiron që nëpërmjet kredisë të plotësojë “ato vrima” të cilat kanë ngelur pa “u bllokuar”.
Kreditë më të lira:
Kredi për pushime
Kredi për makinë
Kredi për studimet të plota
Kredi deri në 15 mijë euro
Kreditë deri në 25 mijë euro