Malaj: Buxheti po përdoret për përfitime elektorale

0
195

Anëtari i kryesisë socialiste Arben Malaj, kritikoi projektbuxhetin e vitit 2013, duke e cilësuar si të pajustifikuar rritjen e borxhit publik. Sipas deputetit të selisë rozë, qeveria se po e keqpërdor buxhetin për përfitime elektorale. “Çdo euro më tepër që shkon për të paguar koston e borxhit është një euro më pak për zhvillimin. Nuk është e vështirë të propozoheshin politika fiskale për të dalë nga kriza. Por mazhoranca nuk dëgjon. Qeveria mundohet të keqpërdorë buxhetin, thjesht për përfitime elektorale. Qeveria harxhon paratë për të bërë makijazh elektoral, ndërsa njerëzit kursejnë qindarkat”, – theksoi Malaj në një intervistë për “News 24”. Më tej, anëtari i komisionit parlamentar të ekonomisë, pohoi se vendi ka rënie ekonomike jo vetëm si rezultat i krizës globale, por është shkak i keqqeverisjes së vendit. “Berisha thotë merrni shembullin e Japonisë që e ka borxhin 200%, por rasti i Japonisë përmendet se si borxhet e larta pengojnë rritjen ekonomike të vendit. Nuk është shembull për t’u përmendur. Ekonomia japoneze nuk zhvillohet më prej 10 vjetësh për shkak të borxheve të larta”, – theksoi Malaj. Në lidhje me dështimin që pësoi Shqipëria me marrjen e statusit kandidat, deputeti Malaj theksoi domosdoshmërinë që politika të bëjë kompromise për çështje të tilla, të cilat konsiderohen prioritete kombëtare. “PD do të kërkojë t’ia kalojë gjithë barrën PS-së, gjë që është e pavërtetë. Mazhoranca duhet ta lehtësonte procesin. Një fakt është se shqiptarët kanë pësuar një dështim të tretë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër”, – u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency