Evropa, shqiptarët dhe bashkimi i tyre

0
159

Çelo Hoxha

Bashkimi në një superstrukturë shtetërore i vendeve, një pjesë e të cilave shkaktuan dy luftëra botërore, duke luftuar kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që fituesit (shumica evropianë) e dorëzuan pjesën lindore të Evropës, me ftohtësi vrasësi në duart e Stalinit, është e vështirë të mos shikohet me dyshim.

Luftërat botërore nisën për ato arsye që kanë nisur gjithë luftërat: zgjerim i zonave të influencës, përfitim ekonomik, pushtet në nivel global.

Për bashkimin e shteteve evropiane thuhet se nisi si një përpjekje për t’u dhënë fund luftërave mes tyre ose, më saktë, mes Francës dhe Gjermanisë (e ndarë përgjysmë asokohe), të cilat ishin edhe nismëtaret e marrëveshjes së vitit 1951. Nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, atëherë BE nuk do të kishte filluar si një bashkim ekonomik. Duke nisur si e tillë, vendet e BE-së nuk arritën kurrë të krijonin lidhjen e nevojshme shpirtërore mes popujve të tyre. Gjërat rrodhën si në çdo lidhje ortakërie, dikush punoi, dikush bëri sikur punoi, dikush mashtroi. Të gjithë, secili në mënyrën e vet, kishin një qëllim: fitimin ekonomik.

Dashuria mes vendeve evropiane nuk ka ekzistuar kurrë. Lufta e Dytë Botërore nisi me pretekstin e sulmit të Gjermanisë ndaj Polonisë, por, në mbarim të saj, Polonia u la nën një pushtues tjetër. Polonia u zhvlerësua sapo Gjermania u zhduk si kërcënim i interesave të kundërshtarëve të saj evropianë. Gjermania vetë u copëtua. Mbi një duzinë vendesh të tjera u evropiane u lanë, me një marrëveshje për të cilën vetëm vendet përkatëse nuk dinin gjë, nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik.

Bazuar në qëllimet për të cilat u krijua BE – fuqizim ekonomik, ushtarak dhe prestigj, bashkimi nisi si një luftë.

Një bashkim me shqetësim kryesor paqen do të kishte nisur me një takim të gjithë vendeve evropiane ku të gjithë të flisnin si të barabartë dhe të votonin në proporcion me madhësinë, për të ndarë së bashku të mirat dhe të këqijat. Bashkimi është shoqëruar gjithmonë me arrogancën e vendeve nismëtare, e cila shfaqet në formën e kushteve të anëtarësimit që u janë vënë e vazhdojnë t’u vihen vendeve jo anëtare. Rikthimi i referendumit në Irlandë, ngaqë herën e parë nuk fitoi, në lidhje me miratimin e një kushtetute të BE-së në 2009-ën, ishte dëshmi e hipokrizisë së BE-së, e krijuar gjoja mbi baza demokratike. Herën e dytë referendumi fitoi pas presionit të Brukselit.

Bashkimi evropian mund të jetë gjithçka, por jo një zgjedhje e popujve evropianë.

Problemi i Evropës (dhe botës, në fakt) është se disa nga vendet e saj, dikur fuqi globale, kanë humbur e vazhdojnë të humbasin terren, ndërkohë që e kanë ruajtur mentalitetin e tyre perandorak. Me anë të BE-së ato thjesht kërkojnë autoritet, të rrisin fuqinë e tyre të ndikimit, të jenë të afta të mbrohen, kur i sulmon kush ose të afta të dhunojnë të tjerët, nëse është e nevojshme, bazuar në interesat strategjike të tyre. BE është një mjet i ri për të realizuar qëllime të vjetra.

Luftërat janë bërë për kontrollin e burimeve natyrore, integrimi bëhet për kolektivizimin e burimeve njerëzore. Lufta për territore, e realizuar ushtarakisht apo në forma të tjera, e ka humbur rëndësinë për një arsye të thjeshtë: nuk ka më territore që të pushtohen pa cenuar sovranitetin e një shteti tjetër. Shtetet kombe, sado të vogla, kanë fuqi rezistence më të lartë se njësitë etnike para kombëtare dhe pushtuesi asnjëherë s’ka për t’u ndier rehat për shkak të veprimtarisë guerile të vendasve. Një shembull tipik është rezistenca e afganëve ndaj Bashkimi Sovjetik ose vietnamezëve ndaj SHBA-së. Arsyeja e dytë përse zgjidhjet grabitqare nuk mund të realizoheshin me luftë është bomba atomike. Nëse ajo armë përdoret, atëherë askush nuk mund të thotë se cili mund të jetë fati i gjithë planetit. Kur Japonia u godit me bombë atomike ajo nuk e kishte, por pas Luftës së Dytë Botërore janë shtuar vendet që e zotërojnë atë armë vdekjeprurëse.

Llogaria e Bashkimi Evropian, i cili vazhdon të zgjerohet, pavarësisht se duket një projekt i dështuar, është kjo: Kina, e cila gjatë luftërave nuk pati ndonjë rol, tani është fuqia ekonomike e dytë në botë; India dhe Brazili janë në ngjitje. Suksesi i të tre këtyre vendeve nuk ka qenë zgjerimi territorial, por epërsia numerike njerëzore.

Në momentin që Evropa humbi epërsinë në kontrollin e burimeve natyrore (prishja e kolonive), e copëzuar siç ishte pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të konkurronte me vendet të mëdha si SHBA, Kina, India etj. Këtu i ka rrënjët “dashuria” e evropianëve për njëri-tjetrin.

Evropa vazhdon të veprojë sipas mentalitetit të shekullit të 19-të: luftë kundër perandorive kundërshtare, me qëllim mbrojtjen e interesave të saj perandorake. Me shkatërrimin e Perandorisë Osmane (PO) u synua, dhe u arrit, shkatërrimi i një rivaleje. Me krijimin e BE-së synohet krijimi i thuajse të njëjtës gjë, por në pjesën tjetër të kontinentit.

Shpërbërja e PO (me ndihmën e Evropës) dhe zgjerimi i BE-së (sidomos në Ballkan) janë thuajse simetrike. Nga PO, në fillim u shkëput Greqia, pastaj Rumania, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, dhe në fund Shqipëria. Në BE, në fillim u anëtarësua Greqia, pastaj Rumania dhe Bullgaria dhe vendet e tjera presin te porta sipas të njëjtës radhë. Ndryshimi mes PO dhe BE është: PO dërgonte ushtrinë, të pushtonte dhe pastaj ishte pjesë e perandorisë. BE të bën pjesë të saj pa ushtri, ajo të bën t’i lutesh për t’u anëtarësuar, dhe kur pika e poshtërimit arrin pikën më të ulët të mundshme atëherë të anëtarëson. Anëtarësimi, veç përfitimeve, krijon dhe mundësinë që shkalla e poshtërimit të shkojë edhe më poshtë. Si në rastin e Greqisë apo Italisë, kryeministrin e vendit e largon nga detyra presioni gjermano-francez dhe të riun e “zgjedh” populli vendas.

Bashkimi i shteteve evropiane mbi bazë interesash ekonomike, duke e dorëzuar vetë sovranitetin e vendit të tyre, për të cilin është derdhur shumë gjak për ta fituar, zbulon thelbin e qytetërimit evropian: orientimi materialist, i cili fillon me iluminizmin, me revolucionin industrial, luftën kundër fesë, krijimin e shteteve kombe dhe shekullare.

Duke qenë një strukturë ekonomike, anëtarësimi në BE është thjesht një hesap aritmetik. Liria, dinjiteti, barazia e mundësisë, për të gjithë qytetarët evropianë, identiteti, janë gjëja e fundit që u shkon në mendje burokratëve të lartë të Brukselit, Strasburgut, apo ndonjë qendre tjetër të BE-së.

Në këtë gjol, Shqipëria dhe Kosova janë peshq që bien lehtë në grep. Elitat e tyre janë materialiste më të ekzagjeruara se elitat e tjera evropiane, për shkak të varfërisë. Vendet e varfra, ashtu si dhe njerëzit, kanë parësore, dhe është normale, interesat materiale. Problemi është a kanë zgjidhje tjetër?

Me sa duket, jo. Refuzimi i integrimit në BE do ta rikthente Shqipërinë (dhe Kosovën) në izolimin e përsosur komunist. Atë që dikur e bënte ushtria komuniste e vendosur përgjatë gjithë kufirit shqiptar, tani do ta bënin ushtritë, policia dhe doganat e vendeve anëtare të BE-së. Kur ndëshkon, Evropa është po aq e pamëshirshme sa dhe diktatorët.

Evropa i ka bërë mirë llogaritë. Me luftën kundër nacionalizmit të nisur prej më shumë se një shekulli, saqë tani është bërë normë, i ka dhënë këtij koncepti një ngjyrim negativ. Fuqitë evropiane gjithmonë kanë menduar si imperialiste dhe nacionalizmi, pas krijimit të shteteve kombe, sillte pengesë për to, sepse nacionalistët gjithmonë kanë refuzuar përfshirjen e të tjerëve në punët e tyre.

Evropa, kontinenti dominues në politikën botërore të 300 viteve të fundit, u ka dhënë e ka ndikuar shumë që institucionet ndërkombëtare të jenë mbartëse të mentalitetit të saj. E interesuar që gjithmonë të përfitonte më shumë nga të tjerët në marrëdhëniet me ta, ajo nuk është kujdesur për rregullimin e botës. Bota mund të rregullohej mbi bazë parimesh të përbashkëta, por duket se është ndërtuar sipas mentalitetit evropian të shekullit XIX. Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit kanë të drejtën e vetos. Ndryshimi i mbledhjeve të OKB-së me Kongresin e Berlinit është se në Berlin nuk shkuan të gjitha vendet e Evropës, por vetëm ato që kishin i kishin dhënë vetes të drejtën e “vetos”.

Bashkimet dhe ndarjet e shteteve nuk kanë asgjë të keqe. Bota duhet të mësohet me to dhe të përpiqet t’u ofrojë një procedurë ligjore sa më të plotë, siç kanë bërë shtetet me fenomene të ngjashme: martesën dhe divorcin. E rëndësishme është që bashkimet dhe ndarjet të bëhen në mënyrë paqësore. Të bëhen referendume. Nëse përgjigjja e një referendumi për ndarje ose bashkim është negative, atëherë pala e interesuar duhet t’i bindet verdiktit dhe të punojë që të fitojë shumicën në të ardhmen ose të integrohet.

Në botë ka dy shtete, që nëse bëhet referendum, në çdo kohë, fiton mundësia e bashkimit: Shqipëria dhe Kosova. Ky bashkim ka nxitje shpirtërore, jo materiale; e duan popujt, jo elitat. Evropa nuk ka pse t’u bëjë presion të anëtarësohen në BE, duke i frenuar nga një bashkim më i natyrshëm.

Megjithatë, në këtë botë me rregullat e xhunglës, shqiptarët duhet të përfitojnë sa kohë që luani është në krahun e tyre, me kujdesin që të mos e acarojnë kurrë.

Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë në heshtje për bashkimin, pa i marrë leje askujt. Përjashto bashkimin politik, i cili kërkon përkrahje të gjerë ndërkombëtare, gjithçka tjetër duhet të ndërtohet dhe të funksionojë sikur këto dy hapësira gjeografike janë një shtet i vetëm. Në radhë të parë banorët e tyre duhet të lëvizin pa pengesën më të vogël, me mall e pa mall, me makinë e pa makinë. Duhet të krijohen modalitetet që kjo të bëhet e mundur.

Arsimi duhet të funksionojë brenda një sistemi të vetëm dhe ministritë e të dy vendeve nuk duhet të kenë asnjë dallim, të funksionojnë si një institucion i vetëm me stafin të ndarë në dy qytete, për aq kohë sa nuk është bërë bashkimi politik.

Për kulturën mund të thuhet e njëjta gjë. S’ka pse të kemi dy akademi shkencash, dy teatro kombëtare, dy federata futbolli e kështu me radhë. Kampionati i përbashkët i futbollit duhet të kishte filluar, Kosova s’ka pse aplikon për njohje të federatës së saj. Një kampionat i përbashkët do të shtonte dhe komunikimin e ndërsjellë, me lëvizjen e tifozëve nga një qytet në një tjetër. Kjo do t’u jepte mundësinë qytetarëve të Shqipërisë të bëheshin tifozë me skuadrat e Prishtinës apo të qyteteve të tjera të Kosovës dhe anasjelltas.

Tregu është një pikë tjetër që duhet të shkojë drejt shkrirjes në një të vetëm. Modeli është i gatshëm, të kopjojnë si e krijuan evropianët tregun e qymyrit dhe çelikut dhe ta aplikojnë. Nëse do të jetë e nevojshme, duke e modifikuar.

Me pak fjalë, mbi këtë logjikë Tirana dhe Prishtina duhet të hartojnë një platformë të detajuar dhe të fillojnë zbatimin e saj.

 

Shënim: Artikulli është botuar në revistën “Shenja”, numri i dhjetorit. Ai është shkruar në datat 12-13 nëntor, gati dy javë para se çështja e bashkimit të shqiptarëve të artikulohej edhe nga politika shqiptare e niveleve më të larta, duke nisur me fjalimin e Kryeministrit Sali Berisha në Shkup, më 25 nëntor, dhe nuk i reflekton ato zhvillime. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency