Fiton lirinë drejtori i telekomit të Zagrebit, rrëzohet ekstradimi

0
54

Elton Qyno

Bruno Marchisio akuzohej se falsifikoi garancinë bankare të Banco di Roma në vitin 2004. U arrestua në muajin shtator

Biznesmeni “40 ditë arrest shtëpie” në Tiranë dhe hotel “Tropikal” në Durrës. Avokati: Marchisio do të shkojë vetë në Kroaci


Lihet i lirë dhe nuk ekstradohet në drejtim të Kroacisë Bruno Marchisio, drejtori dhe aksioneri i kompanisë “Mec telecom” të Zagrebit që u arrestua pak muaj më parë nga policia e Tiranës, në aeroportin “Nënë Tereza”. Vendimi për lirimin e biznesmenit Marchisio është bërë në datën 7 nëntor të këtij viti ku me një vendim të Gjykatës së Tiranës, i cili është marrë nga gjyqtarja Alkelina Gazidede, Marchisio është lënë i lirë pasi që prej momentin të arrestimit në muajin shtator, ai është lënë në masën e sigurisë “40 ditë arrest shtëpie” me qëllim ekstradimin e tij në drejtim të Kroacisë, pasi akuzohet nga prokuroria e këtij shteti për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”. Fillimisht, biznesmeni francez mësohet se ka jetuar në një apartament në Tiranë që ndodhet pranë Televizionit Shqiptar dhe më pas është zhvendosur në një nga dhomat e resortit “Tropikal” në Durrës. Përgjatë seancave gjyqësore, prokurori i Tiranës, Petrit Fusha, duke u nisur dhe nga letërporosia e ardhur nga autoritet Kroate, i ka kërkuar gjykatës së kryeqytetit, vendosjen e ekstradimit të Bruno Marchisios në drejtim të këtij shteti, pasi aktualisht ndaj tij është duke u zhvilluar një proces penal ku biznesmeni është marrë i pandehur për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve zyrtare”. Mirëpo një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga avokati mbrojtës i biznesmenit, Maks Haxhia, i cili i ka kërkuar gjykatës mospranimin e kërkesës duke e konsideruar atë si të paligjshme. Nisur nga kjo situatë, gjyqtarja ka vendosur të pranojë kërkesën e mbrojtjes, duke urdhëruar më pas lirimin nga arresti shtëpiak dhe mos ekstradimin e biznesmenit në Kroaci.

Falsifikimi i garancisë bankare

Hetimet e policisë kroate kanë treguar se shtetasi Bruno Francois Jean Marie Marchisio akuzohet si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve zyrtare” parashikuar nga neni 312 i Kodit Penal Kroat, pasi dyshohet se ky shtetas për periudhën 31 nëntor 2004 deri në datë 03 dhjetor 2004 me cilësinë e drejtorit të kompanisë “Mec telecom d.o.o Zagreb”, ka marrë pjesë në një konkurs për pranimin e Agjencisë Kroate të Telekomunikacioneve dhe ka siguruar një garanci të falsifikuar bankare nga Banco di Roma dhe e ka dorëzuar atë ne procedurën e pranimit në konkurs së bashku me dokumentacionin e kërkuar. Me këtë veprim ai ka kryer vepren penalë të kundër vërtetësisë së dokumentit fallsifikim zyrtar parashikuar nga neni 312/1/2 e cila është e dënueshme sipas nenit 312/1 i K. Penal Kroat. Aktualisht procesi penal kundër tij ndodhet në gjykim në Gjykatën penale Komunale të Zagrebit. Ne akt-akuzën e prokurorit për gjykim me nr K-DO-743/07 është kërkuar gjykimi çështjes dhe në pikën katër të saj është kërkuar:“që pas shqyrtimit kryesor të bërë i akuzuari Bruno Marchisio të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në bazë të nenit 312/1 i K. Penal me 6 muaj burgim dënim i cili në zbatim të nenit 67 të K. Penal nuk do të zbatohet në qoftë se i akuzuari në afatin 2 muaj nuk kryen vepër tjetër penale.

Vajtja në Kroaci

Sipas avokatit Maks Haxhia shtetasi Bruno Marchisio do të donte që të shkonte personalisht në Kroaci dhe të zgjidhte problemin e gjykimit të tij në këtë shtet. Në rast të kundërt asgjë nuk do e pengonte shtetin Kroat të nxirrte një urdhër të dytë arrestimi nëpërmjet Interpolit dhe ndalimi i tij do të bëhej prapë në të njëjtat kushte në Shqipëri. Shtetasi Bruno Marchisio është i motivuar dhe i interesuar për tu vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë Kroate duke vajtur personalisht në Kroaci dhe të zgjidhë këtë problem. Ndërkohë që në referim të dispozitave të konventës e konkretisht në nenin 2 pika 1 të saj,thuhet se ekstradimi i të kërkuarit për në shtetin kërkues nuk lejohet nëse ndaj kërkuesit nga ana e organeve të shtetit kërkues është dhënë një dënim ose një masë sigurimi paraprake nën një afat kohor jo më e vogël se katër muaj. Sa më sipër sipas avokatit Haxhia kërkesa për ekstradimin e klientit të tij duhet rrëzuar.