Gjykata, 10 vite burg “punonjëses” së saj

0
313

Sonja Caka

Denoncimet: Na mashtroi me lirimin e djalit nga burgu dhe marrjen e një shtëpie

Gjykata: Mashtrimi, me pasoja të rënda, dënohet 10 vjet. Po përhapet në Tiranë dukuria e mashtrimeve

 

“E di hallin tënd, të njoh edhe ty dhe të premtoj se do ta nxjerr djalin nga burgu. Punoj në gjykatë dhe njoh personat e duhur që ta mbarojnë këtë punë. Më jep 500 mijë lekë t’ia jap dikujt që e mbaron këtë punë”. Me këto fjalë ia ka mbushur mendjen Arif Tilës për t’i nxjerrë djalin nga burgu, i dënuar me 15 vite burg, 62-vjeçarja Këze Shehaj, e cila është shpallur fajtore dhe është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “Mashtrim më shumë se një herë”. Por, Arif Tila nuk ishte i vetmi që kishte rënë pre e mashtrimit të 62-vjeçares Shehaj, pasi më parë një shumë të konsiderueshme parash ia kishte marrë edhe një tjetër shtetaseje, Engjëllushe Derjajt. Kësaj të fundit i ishte premtuar marrja e një banese nga Bashkia e Tiranës si e pastrehë, ndërsa i ishte deklaruar se punonte në gjykatë dhe njihte personat e duhur në bashkinë e kryeqytetit që do ta mundësonin këtë gjë. Në të dyja rastet, Këze Shehaj ka përfituar përmes mashtrimit rreth 2.7 milionë lekë, ndërkohë që denoncuesit e kanë kuptuar shumë vonë mashtrimin dhe për këtë arsye i janë drejtuar policisë së kryeqytetit. Pas hetimit, prokuroria e ka dërguar dosjen në gjykatë dhe në përfundim të hetimit gjyqësor, gjykata e dënoi dy javë më parë me 10 vite burg. Madje, lidhur me masën e dënimit dhe rrezikshmërinë që paraqiste e pandehura, gjykata është shprehur se dukuria e mashtrimit është duke gjetur përhapje në Tiranë dhe për këtë arsye duhen ndëshkuar, izoluar dhe ndëshkuar këto raste.

Mashtrimi i parë ndaj shtetases Derjaj

Pas telefonatave të vazhdueshme dhe pamundësisë për të kontaktuar një mike të vjetër, të cilës i kishte besuar strehimin në Tiranë, madje i kishte dorëzuar edhe një shumë prej 1.8 milionë lekësh për t’i derdhur si këste, Engjëllushe Derjaj i drejtohet policisë me një kallëzim penal ndaj 62-vjeçares Këze Shehaj, të cilën ajo prej shumë vitesh e njihte me emrin Kozeta Shehaj. Sipas kallëzimit të bërë më datë 20.10.2010 nga Derjaj, rezulton se është njohur me të pandehurën Këze Shehaj para gjashtë vjetësh, pasi blinte fruta dhe perime në vendin ku shiste Engjëllushja tek rruga “Fortuzi”. Në atë kohë, 62-vjeçarja Shehaj i është prezantuar me emrin Kozeta dhe se punonte pranë Gjykatës së Tiranës. Në kallëzimin e saj, Engjëllushja pohon: “Me sa mbaj mend, ka qenë koha e shpërndarjes së parave në firmat piramidale. Babai im kishte depozituar një shumë prej dy milionë lekësh në firmën piramidale “Vefa” dhe unë po shkoja për të marrë përqindjet dhe gjatë rrugës jam takuar me Kozetën (Këzen Shehaj), e cila më pyeti se përse isha me nxitim. Unë i tregova se do të merrja përqindjet tek firma “Vefa” dhe ajo më tha që të mos i tërhiqja paratë, pasi do më ndihmonte që të shënoja emrin në bashki si e pastrehë. Unë kisha biseduar kohë më përpara me Këzen se jetoja tek babai dhe isha pa shtëpi dhe se doja të blija në Tiranë. Jam takuar me Kozetën (Këzen) pas dy javësh, ku ajo më ka thënë se ta kam shënuar emrin tek të pastrehët dhe më tha se fillimisht duheshin tridhjete mijë lekë të reja, të cilat unë ia kam dhënë dhe pas një muaji, nga dhjetori i vitit 2004, Këzja ka ardhur dhe më ka kërkuar edhe shumën prej treqind mijë lekësh të reja, të cilat duhet t’i paguaja si këste tek Bashkia e Tiranës për shtëpinë që do të merrja. Këzja më tha se për këtë shtëpi do të llogariten paratë që do merrja tek “Vefa”, si dhe do t’i shtoja edhe këstet e tjera që shtëpia të bëhej imja. Unë në këtë kohë nuk e kisha këtë shumë dhe Këzes i kam dhënë njëqind e pesëdhjetë mijë lekë të reja dhe më vonë në periudha të ndryshme, unë i kam dhënë këste të ndryshme në një sasi totale prej 1.8 milionë lekësh të reja. Nga këto para, unë kam tërhequr në bankë dhe depozitën e babait tim të ndjerë, Riza Derjaj, në shumën prej 700 mijë lekësh të reja, si dhe kam shitur shtëpinë në Manzë në vlerën 600 mijë lekë të reja. Të gjitha këto lekë unë ia kam dhënë Këze Shehajt, e cila nga ana e saj më siguroi mua se me shumën prej 1.8 milionë lekësh të reja që i kisha dhënë, si dhe shumën që më takonte të merrja nga “Vefa”, i binte që unë të likuidoja dhe të përfitoja shtëpinë që do të më jepte, sipas Këzes, Bashkia e Tiranës. Herën e fundit pasi kam takuar Këzen, ajo më ka kërkuar dy copë certifikata nga Kamza, ku ajo ka ardhur së bashku me mua dhe unë e kam marrë në shtëpinë time në Manzë. Pasi ka hyrë në shtëpinë time, Këzja më ka thënë që më thirr dhe Arif Tilën, i cili është një banor i Manzës dhe unë e pyeta se nga e njeh ti Arifin dhe ajo më tha se e kam njohur përpara teje dhe kështu unë e kam njoftuar Arifin, i cili hyn së bashku me Këzen në një dhomë tjetër ku biseduan për disa minuta. Mbasi doli Arifi, ky i fundit më tha që Këzja më kërkoi pesëqind mijë lekë të reja për të më nxjerrë nga burgu djalin Dashamir Tila, të cilin e kishin dënuar me 15 vite burg”, – ka dëshmuar gruaja e mashtruar, ndërsa ka shtuar se Këzes nuk ia dinte banesën, numrat e telefonit i ndërronte shpesh, ndërsa te njësia bashkiake nr. 4 rezultonte e regjistruar si e pastrehë, por do të trajtohej si gjithë të tjerët dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë banesë që të mund ta kishte përfituar. Gjithashtu, Engjëllushe Derjaj ka deklaruar se kishte mësuar se Këzja nuk punonte në gjykatë dhe se nuk kishte mundur ta kontaktonte për gati dy vjet.

Mashtrimi i dytë ndaj shtetasit Tila

I kishte studiuar problemin, mësoi ku banonte dhe hyri në veprim për të përfituar sa të mundej prej hallexhiut me djalin në burg, duke arritur t’i merrte përmes mashtrimit rreth 8 milionë lekë. Arif Tila i besoi prej hallit dhe faktit se punonte në gjykatë, por pa e ditur se kishte rënë pre e një mashtrueseje, e cila nuk punonte në gjykatë, ndërsa nuk kishte asnjë lloj mundësie për t’ia nxjerrë djalin nga burgu. Në kallëzimin e tij, Arif Tila pohon se në vitin 2006 ka shkuar në Gjykatën e Lartë në Tiranë për të marrë informacion për gjyqin që zhvillohej ndaj djalit të tij, të quajtur Dashamir. Pasi është larguar prej andej, ai ka shkuar tek stacioni i trenit. Aty e ka takuar 62-vjeçarja Këze Shehaj, e cila e kishte ndjekur nga pas dhe i është drejtuar me emër, duke i thënë se e dinte se ai kishte hallin e djalit. Ajo i ka thënë atij se punonte në gjykatë dhe se do ta ndihmonte për të ulur ditët e burgimit të djalit të tij. Ajo e ka pyetur për banesën se ku rrinte dhe pas një jave i ka shkuar tek banesa dhe i ka thënë se do të nxirrte djalin nga burgu. “Jam njoftuar nga Engjëllushe Derjaj se Këzja ishte në banesën e saj në Manzë dhe kërkonte që të më takonte. Unë kam shkuar tek banesa e prindërve të Engjëllushes, ku ishte Këze Shehaj, e cila ma konfirmoi përsëri që punonte në gjykatë dhe se do të më ndihmonte për të më nxjerrë djalin nga burgu, por për këtë punë fillimisht duhej një kapar prej pesëqind mijë lekësh të reja. Unë mbas kësaj kam takuar bashkëfshatarët e mi Nebi Beqja dhe Lume Farruku, të cilëve u kam kërkuar para borxh dhe i kam marre secilit prej tyre nga dyqind mijë lekë të reja, pasi njëqind mijë lekë të reja unë i kisha vetë. Me pesëqind mijë lekë të reja kam shkuar bashkë me Këzen tek noteri në Shijak, ku edhe bëmë kontratën e huasë se gjoja Këzja më kishte kërkuar hua pesëqind mijë lekë të reja dhe se do të m’i kthente brenda një muaji. Këzja më tha pasi mori paratë se problemin e djalit tënd do ta rregulloj brenda një muaji. Pas këtij momenti, Këzja ka ardhur dhe disa herë tek shtëpia ime ku më ka kërkuar para të tjera me justifikimin se për këtë punë kanë hyrë dhe persona të tjerë, të cilët kërkojnë para dhe kështu unë me dy këste i kam dhënë shtetases Këze Shehaj dhe një shumë tjetër prej 440 lekë të reja, shumë të cilën e kam marrë borxh. Pasi Këzja ka marrë nga mua shumën prej 940 mijë lekë të reja, ka ardhur dhe dy herë të tjera te shtëpia ime ku më siguronte se do të rregullonte punën e djalit. Unë e kam takuar Këzen përpara dy vjetësh për herë të fundit, kur ajo më tha se paratë hajde merri tek shtëpia ime në Tirane dhe unë kam ardhur dhe jam takuar tek stacioni i trenit dhe Këzja nuk m’i dha paratë, por më shtynte afatet e kthimit të tyre”, – ka përfunduar dëshminë denoncuesi i dytë ndaj Këze Shehajt, Arif Tila.

Detaje

1.8 milionë lekë i ka marrë përmes mashtrimit shtetases Engjëllushe Derjaj, me premtimin për t’i siguruar shtëpi

940 mijë lekë të reja i ka marrë përmes mashtrimit shtetasit Arif Tila, me premtimin se do t’i nxirrte djalin nga burgu

10 vjet burg e ka dënuar gjykata të pandehurën Këze Shehaj për mashtrim më shumë se një herë

Akuza

Këze Shehaj u dënua për veprën penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency