Si jo mor Shqiptar i keq

0
181

Enkeleda Peti

“Si jo mor shqiptar i keq”, ky është një citim nga filmi “Agon”, dhënë premierë dje, dhe që nënkupton një realitet shqiptar të cilin e mbajmë ende nëpërkëmbë. Duket se ende nuk jemi shkëputur nga sindroma e viteve ‘90 ose më mirë në këto vite lënda e jetës ishte e fortë, e gjurma po ashtu, përderisa regjisorët nuk po heqin dorë. Megjithatë përpjekja për ta parë shqiptarin në dy anë, në ekstremin e tyre sikur mbetet gjithnjë pezull. Një lloj rrengu edhe për pasiguritë e kinemasë për të qenë më kreativë me realitetin, koherencën më shumë se për të “shitur” skenarë. Ndonëse premiera shqiptare e filmit “Agon”, me regjisor Robert Budinën, i cili është njëkohësisht edhe skenaristi, vitet i sjell më afër pas dy mijave në kërkim të peshores për shqiptarët “e mirë”. Ky film ka në qendër jetën e dy të rinjve shqiptarë që emigrojnë në Greqi. Gjatë emigracionit në Greqi dy vëllezërit, Saimiri dhe Vini, që luhen nga aktorët Marvin Tafaj dhe Guliem Kotorri, njohin botën e dashurisë, por edhe atë të krimit të organizuar. E ndërsa Saimirin jeta e njeh me njerëz të mirë, siç janë Elektra (e cila është një greke dhe luhet nga aktorja Isabella Kogevina) dhe babai i saj Niko, ndërsa Vinin jeta e njeh me krimin dhe prostitucionin. Madje, ai dashurohet me një prostitutë, dhe jo me një prostitutë dosido, por me gruan e njeriut që e prostituonte, pasi ishte pjesë e një bande. E këtu ndërlikohet situata, pasi Vini humb gjithçka për hir të mbrojtjes së dashurisë, madje edhe jetën, duke u vrarë nga banda që e prostituonte. Por fatkeqësia ndjek edhe vëllain e tij Saimirin, i cili përzihet nga shtëpia nga babai i Elektrës dhe kthehet në Shqipëri. Në fund, Elektra zbulon se ka mbetur shtatzënë dhe së bashku me babain e saj vendos të vijë Shqipëri. Filmi mbyllet teksa aktori Antonis Kafetzopoulos, i cili luan personazhin e Nikos, se nga duhet të kalojë për të shkuar për në Tiranë. Kasti i aktorëve që luajnë në film janë: Marvin Tafaj, Guljem Kotori, Isabella kogevina, Xhevdet Jashari, Eglantina Cenomeri, Laert Vasili, Antonis Kafetzopoulos.

Në konferencën për shtyp për filmin, regjisori dhe skenaristi Robert Budina theksoi se skena e fillimit, ku shikohet një ikje masive e emigrantëve për në Greqi, i kushtohet një panorame të vitit 2006. “Nga dokumente dhe informacionet që kemi marrë, edhe nga burime zyrtare të policisë, në atë periudhë kemi pasur ikje masive të shqiptarëve drejt Greqisë”, – tha Budina. Ndërsa aktori grek Antonis Kafetzpoulos, i pyetur për racizmin grek, që pasqyrohej edhe në film, ku personazhi që luan ky aktor shan shqiptarët që vijnë në ofiçinën e tij tha: “Disi kështu është situata në Greqi. Në të kaluarën gjërat ishin më keq, se grekët ishin mësuar të kishin afër njerëz që flisnin të njëjtën gjuhë me të. Por me kalimin e viteve, unë do të thosha shumë shpejt, gjërat ndryshuan. Grekët kanë filluar të kuptojnë dhe kanë filluar të bashkëjetojnë me të tjerët. Por situata është kjo, ekzistojnë paragjykime, racizëm, tensione. Pranova të isha pjesë e këtij filmi pasi jam ngopur me zhvillimet në Greqi dhe kënaqësia e të marrit pjesë në film ishte shumë e madhe. Me sinqeritet ju them se ishte kënaqësi të punoja jashtë tregut grek dhe s’kam parasysh këtu vetëm aktorët shqiptarë por tërë ekipin”.

Për sa i përket idesë së bandave, Budina theksoi se ka dëgjuar në kronika televizive për to, ku i ka bërë shumë përshtypje që edhe intelektualë, njerëz me shkollë nuk kanë gjetur mundësinë e zhvillimit të një karriere por janë bërë pjesë e krimit të organizuar. “Doja që një realitet shqiptar ta çoja diku tjetër”, – thotë Budina. Ai gjithashtu vlerëson edhe njerëzit që e kanë ndihmuar në Greqi. “Në Greqi, edhe tekniku më i thjeshtë e shikonte sikur të ishte një film i tyre. Ky është një rast kur arti bashkon atë që politika ndan”, – tha Budina.

 

 

Eglantina Cenomeri: Çaku i parë erotik, si e bëra prostitutën!

 

Një nga aktorët mjaft interesantë në këtë film ishte edhe Eglantina Cenomeri, e cila luan rolin e një gruaje që trafikohet nga bashkëshorti i saj. Me një shtat të lartë dhe tipare të rregullta e të zeza, Eglantina nuk u ka asnjë zili aktoreve të Hollivudit. Një interpretim i shkëlqyer i saj të bënte që ta ndieje filmin mjaft pranë. Në një intervistë për gazetën “Standard” ajo shprehet me sinqeritet dhe mban qëndrim ndaj fenomeneve që prishin moralin njerëzor, si prostitucioni.

 

 

Filmi mbaroi, tani në rrugë te publiku, ju si e përjetuat personazhin tuaj?

Është një personazh kompleks. Është quajtur Majlinda dhe jeton midis dy dashurive të pamundura. Fillon me historinë me të shoqin e saj, me të cilin shkon emigrante për një jetë më të mirë në Greqi, ku më pas e gjen veten viktimë të prostitucionit nga ana e tij. Në gjithë këtë situatë vjen e takohet me Vinin, pra nga situatë që prostituohej nga i shoqi, ku e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo ishte besimi që ai i dha për një dashuri ose për një dritare të re për të besuar në një qenie humane. Dorëzohet në duart e tij, por përsëri edhe kjo dashuri kthehet në të pamundurën.

 

Është hera e parë në një film artistik, eksperiencë e re, apo jo?

Absolutisht që po. Për mua nuk ka qenë e lehtë që të hyja në rol dhe (nuk e di sa ia kam arritur) t’i jepja sadopak publikut një fije realiteti sesi kjo është ndjerë. Unë kam shkuar kam vizituar qendrat e rehabilitimit të femrave këtu, jo vetëm nga pikëpamja fizike si janë keqtrajtuar por edhe nga pikëpamja shpirtërore, sepse më thelbësorja ajo është, kuptohet nuk ka qenë e lehtë, kam pasur shumë skena të vështira, nuk e di sa ja kam arritur, e thashë dhe njëherë, por nuk ka qenë e thjeshtë kur jam kthyer përsëri në hotel nuk është e lehtë, nuk mund të bëj sikur nuk ka ndodhur asgjë.

 

Përveç faktit që keni shkuar në një qendër rehabilitimi çfarë ju ka ndihmuar tjetër për të kuptuar këta individë?

Diskutimet me vajzat, vëzhgimi nga afër i sjelljeve, leximi i materialeve të ndryshme, informacionet librat, pastaj sigurisht edhe partnerët në film, pasi është shumë e rëndësishme që të kesh një bashkëpunim sa më të ngushtë me partnerin.

 

Ju në film keni edhe skena erotike, si ia keni dalë?

Kanë qenë skenat e mia të para erotike. Nuk kam luajtur në filma të tjerë skena të këtilla, nuk mund të them që ka qenë e lehtë, por nuk është proces teknik i aktorit, por është proces frymëzimi i të gjithë jetës së personazhit që ti do t’i japësh. Për skenën që kemi arritur kulmin në fillim nuk kemi bërë prova, ka qenë direkt. Çaku i parë ai ka qenë, sepse edhe kjo e puthte për herë të parë ndaj dhe preferuam të linim dublin e parë.

 

Thuhet që aktorët bëjnë një lojë për t’i përcjellë publikut diçka…

Loja ndryshon, pasi për t’i përcjellë diçka, pasi unë kam një përgjegjësi shumë të madhe që ky personazh të personifikojë dhimbjen e këtyre femrave që përmenda më parë, ka qenë një privilegj shume i madh për mua që m’u dha mundësia që të luaj në një rol shumë kompleks dhe shumë të vështirë, që ju bën homazh të gjitha femrave që vuajnë aktualisht në situata të tilla.

 

Ishte e rëndësishme për ju të kishit një rol kryesor në një film me metrazh të gjatë?

Absolutisht që është e rëndësishme por është ajo shprehja që nuk ka role të mëdha, por ka aktorë të mëdhenj, e rëndësishme është të më pëlqejë roli dhe ta bëj me qejf. Unë do bëja çfarëdo roli, nuk kam zgjedhje rol kryesor apo jo.

 

Si lindi bashkëpunimi me Budinën ?

Bertin e kam njohur rastësisht në një intervistë që kemi qenë dhe pas një viti kam marrë një telefonatë për të marrë pjesë në audicione. Më ka mbajtur mend si fytyrë, ka qenë një diskutim televiziv për kinemanë, pas një viti më është propozuar, shkova u interesova dhe kam bërë mbi 10 audicione, me partner të ndryshëm, derisa zgjodhën Guljemin dhe Xhevdetin (bashkëshortin tim në film).

 

Projektet tuaja në të ardhmen?

Unë kam një film tjetër që del premierë, në kinema “Agimi” në 17 dhjetor, kështu që do t’ju ftoj përsëri, është një film me metrazh të shkurtër, por hyn tek filmat me metrazh të shkurtër, por që janë disi të gjatë, është rreth 25 minuta, ku regjisore është Ermela Teli. Edhe këtu kam rol kryesor. Aty kam rolin e një vajze që jeton në kohën e postkomunizmit. Ky film ka tre personazhe kryesorë, një franceze (personazh i cili do të luhet nga një aktore franceze), këtë vajzën e cila jeton me babain vetëm, kjo është një pianiste, e cila bën muzikën e filmit, pasi francezja ka ardhur për të bërë gjithë historinë e kohës së komunizmit, këtu gjendet me realitetin e babit që e mashtron etj.

 

 

Aktori grek në Tiranë: Në Greqi, racizëm ndaj shqiptarëve

Ai është një ndër aktorët më të famshëm të Greqisë e pranoi të ishte protagonist në një film shqiptar. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Antonis Kafetzopulos në filmin “Agon” premiera e së cilës u dha dje dhe stafi kishte një dalje para mediave. Ai qëndronte mes ekipit shqiptar, ndërsa në ekranin e madh u projektua profili tij prej një shtetasi grek, si ata dhjetëra të përcjellë nga kronikat e kohës së tejmbushur me paragjykime ndaj shqiptarëve edhe kur i hapnin dyert e shtëpive të tyre, shpesh të shtrënguar. “Agon është një film i cili sjell drama të emigrantëve shqiptarë në Greqi, krimi përplaset me pasionin apo familja me ekzistencën… po sikundër thotë autori i filmit, në qendër ka dashur të nxjerrë njeriun e dramat e tij, që në këtë rast janë dramat e mëdha të shqiptarëve në Greqi… aty ka kriminelë të paepur, edhe njerëz që dashurojnë e jetojnë me dinjitet. Disi kështu është situate në Greqi, thotë aktori. Në të shkuarën gjërat ishin më keq sepse ne donim të kishim afër vetëm njerëz që flisnin gjuhën tonë. Por me kalimin e viteve, unë do thosha shumë shpejt gjërat ndryshuan. Grekët kanë filluar të kuptojnë dhe kanë filluar të bashkëjetojnë me të tjerët. Por situata është kjo, ekzistojnë paragjykime, racizëm, tensione. Pranova të isha pjesë e këtij filmi sepse jam ngopur me zhvillimet në Greqi dhe kënaqësia e të marrit pjesë në film ishte shumë e madhe. Me sinqeritet ju them se ishte kënaqësi të punoja jashtë tregut grek dhe s’kam parasysh me këtë vetëm aktorët shqiptarë por tërë ekipin e filmit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency