Elton Qyno
Zbardhet padia e Anoril Canit kundër Policisë së Shtetit. Kërkon njohjen e gradës së “Kryekomisarit”
Ish-oficeri i përgjimeve Anoril Cani, që u kap me 27 kile heroinë së bashku me katër persona të tjerë, ka hedhur në gjyq Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke kërkuar dhënien e gradës “Kryekomisar” dhe rikthimin sërish në sektorin e përgjimit, pranë zyrës së prokurorit të Përgjithshëm. Sipas padisë të depozituar pak kohë më parë në Gjykatën e Tiranës, agjenti i antidrogës Anoril Cani pretendon se me një urdhër të datës 28 korrik 2008, drejtori i Policisë së Shtetit kishte refuzuar t’i njihte gradën e “Kryekomisarit”, pasi, sipas Canit, ai kishte fituar konkursin dhe se ishte përzgjedhur si një nga oficerët për të qenë pjesë e zyrës së përgjimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Që prej 25 qershorit të këtij viti, Anoril Cani është duke zhvilluar një betejë në Gjykatën e Tiranës, duke pretenduar gradën, dhe për këtë ka depozituar një sërë dokumente, me qëllim fitimin e gjyqit. Mësohet se gjyqtarja që është duke gjykuar padinë e ish-oficerit të përgjimeve tashmë të arrestuar me 27 kg lëndë narkotike të llojit heroinë, është Rilinda Selimi. Nën drejtimin e saj, janë zhvilluar plot katër seanca gjyqësore, por që ende gjykata nuk ka arritur të dalë me një vendim për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës. Pritet që në datën 10 dhjetor 2012, të zhvillohet seanca e radhës, por siç mësohet edhe në këtë ditë procesi gjyqësor do të shtyhet, pasi vetë paditësi ndodhet i izoluar në burg, pasi u arrestua së bashku me katër persona të tjerë nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
Padia për gradën
Padia me nr. 13990 është regjistruar në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës në muajin qershor të këtij viti dhe se paditësi në këtë rast është agjenti i antidrogës, shtetasi me origjinë nga Pogradeci Anoril Cani. Objekti i kësaj padie civile ka zi bazë “Ndryshimin e pjesshëm të urdhrit nr. 1025, dt. 28 korrik 2008 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke u vendosur detyrimi i palës së paditur ti njohë paditësit gradën policore “Kryekomisar” me efekt nga momenti që ka fitur testin dhe është shpallur fitues i konkursit Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.” Veç kësaj, në argumentet që ka shtruar gjatë katër seancave të gjykimit, Anoril Cani kërkon rikthimin e tij në zyrën e përgjimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe rritjen e pagesës, sipas detyrimit ligjor që parashikon dhe ligji për funksionimin dhe organizimin e Policisë së Shtetit. Nuk dihet me saktësi nëse Anoril Cani, do të arrijë të fitojë betejën ligjore e nisur me Policinë e Shtetit ose jo, por tashmë ai po përballet edhe me një betejë tjetër ligjore, pasi Prokuroria e Tiranës, ka ngritur ndaj ish-oficerit të përgjimeve akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike”. Kjo çështje është ende nën hetim, pasi ekzistojnë dyshime se Anoril Cani, si dhe shtetasit Ilir Shehaj, Gentian Gjoka, Madrit Dulo dhe Everest Haxholli, arrinin të sillnin heroinën dhe kokainën nga Turqia. Nëse provohet me fakte ky trafik, atëherë akuzat ndaj oficerit dhe bashkëpunëtorëve të tij, do të ndryshojnë.
Bisedat e koduara të grupit
Për shkak se mes radhëve të këtij grupi kriminal ishte dhe një agjent antidroge dhe ish-oficer përgjimesh, banda e drogës që drejtohej nga biznesmeni Ilir Shehaj, kishte zgjedhur disa biseda të koduara, duke i përdorur ato për të transportuar heroinën. Fjalët si: …Shko mer tollonat e naftës në karburant… apo …dil se i mora tollonat…, nuk tregonin gjë tjetër veçse transportimin e heroinës. “….Erdhi mielli për furrën e bukës…” ishte një tjetër fjali e koduar, që anëtarët e këtij rrjeti përdornin. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Anoril Cani, duke qenë se ishte vartës ndaj Kokainës, ka pranuar ti japë informacione dhe të vihet në shërbim të këtij grupi, kundrejt parave që merrte nga Ilir Shehaj dhe drogës gratis. Hetimet kanë treguar se të gjithë lekët që merrte, ai i linte duke luajtur Kazino, gjatë gjithë natës.
Biseda e përgjuar
Iliri: E peshova unë.
Anorili: Mbajte për vete?
Iliri: Mbajta, plumbin e fundit e mbaj për vete unë, po me shumë kam heq gati një gram e gjys, me shumë, po njeher.
Anorili: Më shumë.
Iliri: Më shumë ishin?Nuk e kam idenë sikur kishte 5 gram, sa kishe?
Anorili: Po se kam peshuar.
Iliri: Po kam heq gati gjysmën e çik më pak të kam dhënë ty.
Anorili: Dy gram duhet të ishte e mbajta, s’po shtrengohem me gjyshin.