Kombi

0
164

Branko Merxhani

“Kombi është një ide.” Novalis

 

Ideologjia e neo-shqiptarismës si të vetmin burim të saj ka nevojat e realitetit kombëtar. Një fuqi, që do të veprojë në fushën e krijimit shoqëror, duhet më parë të jetë armatosur me masën e vlerës sociologjike, masë e cila të mos jetë marrë nga theoritë subjektive të mendimit, po t’i përshtatet njohjes objektive të konditavet së jetës së një vëndi.

Një vënd siç ka emrin e vetë, shtëpinë e vetë, karakterin e vetë, ashtu ka dhe sociologjin e tij të veçantë. Nuk është e drejtë, bile as e mundur, që të mendojmë ne në Shqipëri siç mendon, për shëmbëllë, një frëng për çështjet që i përkasin realitetit të tij kombëtar-sociologjik. Sidomos kur është puna që të vëmë themelet e jetës s’onë mendore, gjë të cilën e ka për qëllim edhe neoshqiptarisma.

Shkenca është universale, po jo si vepër, jo si jetë, po vetëm si theori dhe si princip. Kur, për shëmbëllë, një frëng i sotmë i cili ka shkuar një pjesë shumë të madhe të jetës së tij intelektuale, brënda në kaq shekuj mendimi dhe eksperience, thotë fjalën e famshme: “Tout par la science et pour l’humanite” (“Të gjitha me anë të shkencës dhe për njerëzinë”), ne, të cilët as që kemi filluar akoma të hedhim themelet e ekzistencës s’onë mendore, ne djemt e mendimit, duhet t’i përgjigjemi kësisoj:

Sigurisht, çdo përparim arrihet me anë të shkencës, po edhe çdo përparim nuk ka tjetër qëllim përveç se vetëm lartësimin e jetës së kombit dhe shpëtimin e atdheut…

Shkënca nuk është për shkëncën. Shkënca është për jetën. Dhe jeta është kryesisht një ide konkrete. Njerëzimi është shumë herë një ëndër, po kurdoherë një gjë po. Vetëm realiteti, që ekziston me të vërtetë, është kombi. Dhe e vetmja jetë e vërtetë është jeta kombëtare.

 

***

Neo-shqiptarisma i jepë vlerë shkëncës vetëm kur është e zonja t’u shërbejë qëllimeve të jetës kombëtare. Domethënë, ideologjia jonë e përdor shkëncën si mjet për realizmin e qëllimevet dhe të nevojavet të përparimit t’onë kombëtar për dobi vetëm të shvillimit të arthëshmë të Kombit. Ky është edhe i vetmi shërbim, e vetmja dobi e shkencës, kur është puna të krijojmë një shoqëri. Qëllimi është jeta e Kombit dhe mjeti është fuqia e shkencës.

Pra, sa nga ne diturin e tyre ua detyrojnë vëndeve të huaja – dhe përgjithësisht dituria e sotme shqiptare ësht e huajë, – sa nga ne mund të mendojnë siç mund të mendojë, për shëmbëllë, një intelektual frëng, gjerman, turk, grek, më parë duhet të orientohen brëndësisht për në realitetin kombëtar, të mbajnë nga kultura e tyre vetëm principet e shkëncës. Mendimet frënge, gjermane, turke, greke duhet të transformohen në mendime shqiptare në mënyrë që të hedhim themelet për një mendim shqiptar, nga suksesi i zhvillimit të së cilit vetëm do të mundemi të krijojmë një syllogjismë shqiptare, një Shqipëri mendonjëse. Qytetërimi nuk është veprë e Imitimit, po vepër e një pune të brëndëshme harmonike. Qytetërimi është një krijim.

 

***

Liria e mendimit intelektual është e pakufishme. Po, si elemente shoqërore, duhet të orientohemi me nevojat e jetës shoqërore. P.sh. si njerës të mendimit të lirë, mundet të mos besojmë në gjë. Po, si elemente shoqërore, si elemente të përparimit dhe të rregullit, ai nga ne që do t’i mësojë vëndit t’onë, p.sh, atheismën, duhet të quhet kriminel përkundrejt nevojës shoqërore.

 

***

Duke u nisur nga bazat ideologjike të sipërme dhe bile pa u trembur nga akuza e Reaksionismës brënda në Europën e Sotme të Materialismës Historike, them:

Filosofia e Neo-Shqiptarismës është: Idealisma Kombëtare.

Po kjo idealismë e jonë ndryshon shumë nga idealisma e bukur, po e dëmshme për neve, p.sh., e një Ernest Renan-i. Nuk jemi nga ata që thonë:

“Atje ku gjej të Bukurën, të Mirën, të Drejtën – atje është dhe atdheu im.”

Nuk jemi edhe nga ata, të cilët, në një çast marrëzie dhe enthusiasmi, i a marrin këngës së “Atdheut të Math”, që përmban gjithë tokën…

Ne preferojmë të themi:

Atdheu ynë gjendet në anën e një rëkeje të freshkët, që vadit arat, dhe kënga e së cilës dëgjohet nëpër shpellat e maleve të Shqipërisë. Ku janë të varrosuna kockat e stërgjyshërvet t’anë, atje në hirin e oxhakut të hidhërimit ku ka rënë loti i parë i mëmavet t’ona, në pyllin e dashurisë që na çeli mysterin e jetës në kohën e djalërisë – atje është atdheu ynë…

 

***

Një komb nuk është gjë tjetër përveç se një ndjenjë, një ide, një harmoni shpirtërore, një “kuptim shoqëror”. Që të jemi shqiptarë me të vërtetë, më parë na duhet doemos një një gjë: Na duhen njerës që të thonë:

“Jam Shqiptar!”

Ai që e ndjen veten “Shqiptar” është pa tjetër Shqiptar. Dyshimi më i vogël mbi këtë gjë është mjaftë që të kuptojmë të kundërtën.

 

Demokratia, 23 janar 1929

(Marrë nga libri “Branko Merxhani, vepra”, Plejad, Tiranë, 2003, faqe 28-30)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency