Gjobë 5 mijë euro biznesmenit të lojërave të fatit, arrestohet 23-vjeçari

0
216

Arrestohet për gjobëvënie ndaj një biznesmeni një i ri nga rrethi i Korçës, i cili një ditë pas kërcënimit dhe tentativës së kanosjes ka përfunduar në pranga. Policia e Korçës bëri të ditur se është arrestuar 23-vjeçari Bernard Xhialli nga fshati Belorta, që ndodhet rreth 3 kilometra larg qytetit në drejtim të rrugës që të çon në Bilisht. I riu Xhialli është arrestuar me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për të përfituar para, pasi i ka vënë gjobë një biznesmeni, që kishte në administrim disa lojëra fati. 23-vjeçari i ka kërkuar shumën prej 5 mijë eurosh, duke i dërguar sms në telefon, pasi në të kundërt ai do ta vriste atë së bashku me familjen. Nisur nga kjo situatë, biznesmeni 40-vjeçar me inicialet L. M. ka bërë denoncim në policinë e Korçës. Pas kësaj çdo gjë ka qenë në monitorimin e lëvizjes për identifikimin dhe kapjen e 23-vjeçarit që kanosi me gjobëvënie. Mbrëmjen e së shtunës, i riu nga fshati Belorta ka shkuar në lokalin e biznesmenit dhe i ka shprehur me gojë dhe me letër kërkesën e tij për një shumë prej 5 mijë eurosh, duke e vënë edhe në kanosjen e një arme zjarri. Sipas policisë, edhe gjatë përballjes me biznesmenin nga qyteti i Korçës, i riu që mendohet se ka qenë nën efektet e alkoolit, ka ndeshur në kundërshtimin e L. M., por ky i fundit për arsye sigurie të momentit ka lënë të hapur mundësinë e pagimit të 5 mijë eurove. Por, biznesmeni më pas nuk ka marrë parasysh kërcënimin me jetë nga 23-vjeçari, me të cilin nuk kishte ndonjë njohje të afërt, dhe i është drejtuar policisë për ndihmë. Pas kësaj gjobëvënieje, policia e Korçës është vënë në lëvizje për identifikimin e gjobëvënësit si dhe sigurimin e disa provave që kanë çuar në arrestimin në flagrancë të të riut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency