Bashkimi Evropian, gati plani për mbijetesën e euros

0
163

Përpjekjet e Eurozonës kanë sjellë rezultate: BE tashmë ka një plan të ri veprimi për të shmangur një falimentim të mundshëm të valutës së përbashkët. Eurozona do të marrë gradualisht fuqitë e qeverive kombëtare, me një thesar të vetëm dhe të drejtën për të taksuar ose emetuar obligacione të mbështetura bashkërisht, në bazë të një plani të Brukselit për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të monedhës së përbashkët. Plani, i bërë tashmë publik nga José Manuel Barroso, president i Komisionit Evropian, synon që të krijojë një buxhet embrional për Eurozonën, pothuajse menjëherë. Ai bën thirrje për krijimin e një fondi gjatë 18 muajve të ardhshëm që mund të ofronte nxitës për shtetet me probleme, që po përpiqen që të rishikojnë ekonomitë e tyre.

Fondi, i cili sipas raportit prej 51 faqesh, do të rritet për të arritur në një thesar të Eurozonës me të drejta të plota, fillimisht do të japë ndihmë për shtetet e Eurozonës që nënshkruajnë një kontratë me Brukselin, duke u angazhuar për programe reformash – një proces i ngjashëm me paketat shpëtuese aktuale të Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë.

Gjithsesi, gjithë shteteve të Eurozonës që aktualisht shkelin rregullat e borxhit dhe deficitit buxhetor të BE-së do t’u kërkohet që të nënshkruajnë kontrata, jo vetëm atyre që janë subjekt i paketave shpëtuese ndërkombëtare.

Barroso tha se centralizimi i fuqive tek Eurozona ishte i nevojshëm për të siguruar mbijetesën e ardhshme të monedhës së përbashkët dhe paralajmëroi liderët e kombeve se ata rrezikonin që të ushqenin panik në tregje, në rast se nuk tregonin më shumë urgjencë drejt ndryshimit të mënyrës si qeveriset unioni i monedhave.

“Ne duhet ta përballojmë këtë krizë besimi duke treguar se ne jemi gati që të ecim përpara dhe të fuqizojmë bashkëpunimin dhe integrimin, – tha Barroso. – Unë jam i shqetësuar se për momentin, jo të gjithë kryeqytetet e kanë atë sensin e urgjencës që kishin disa muaj më parë”.

Shumë nga propozimet afat shkurtër shtrojnë rrugën drejt procesit legjislativ bizantin të BE-së, veçanërisht në lidhje me “unionin bankar”. Qeveritë po debatojnë lidhur me krijimin e një mbikëqyrësi të vetëm për të gjitha bankat e Eurozonës dhe z. Barroso tha se ai shpejt do të japë propozimin që po pritet prej shumë kohësh

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency