Letra, Rama akuza Nishanit: Shkele protokollin për Festën e Pavarësisë

0
120

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka dërgoi dje një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ku kritikoi qëndrimin e tij në lidhje me ceremonitë e 100-vjetorit të pavarësisë. Sipas kryesocialistit, Presidenti theu protokollin e shtetit, pasi dreka për këtë rast duhej organizuar nga Presidenca. “Ju fyet kryeqytetin e pavarësisë, duke i kthyer Vlorës kurrizin dhe duke rendur drejt Tiranës pas kryetarit të partisë Suaj. Protokolli i këtij shteti që ka barrën t’Ju mbajë mbi krye, e përcakton qartë se Ju duhet të ofronit në Vlorë drekën zyrtare – siç kanë bërë tradicionalisht të gjithë paraardhësit Tuaj, të cilët edhe në drekën e djeshme ishin në krah të kryebashkiakut të Vlorës në respekt të traditës e të protokollit. Por Ju e shpërfillët Protokollin e Shtetit dhe ikët nga Vlora pa e kryer detyrën Tuaj si President i Republikës, si për të treguar në fakt se vendi i kreut të shtetit në Shqipëri ka mbetur bosh”, – shprehej Rama. Më tej, lideri socialist kritikoi kryetarin e shtetit edhe për mbrëmjen e organizuar në Presidence, ku ishte i pranishëm edhe Rama. “Ju fyet kryeqytetin e Shqipërisë dhe çdo shqiptar apo të huaj që në pritjen zyrtare të mbrëmjes së 28 nëntorit, erdhi me ftesën Tuaj po jo si anëtar i Partisë Demokratike, as si simpatizanti i saj apo i Juaji personalisht. Duke ardhur në pritjen e organizuar prej Jush, edhe unë si shumë të tjerë respektova traditën solemne të mbrëmjes së 28 nëntorit dhe institucionin e Presidentit të Republikës. Por fatkeqësisht Ju nuk bëtë të njëjtën gjë. Protokolli i këtij shteti që ka barrën t’Ju ketë mbi krye po edhe tradita e mbrëmjes, e përcaktojnë qartë se Ju duhet të ishit mbrëmë në Pallatin e Brigadave mikpritësi dhe folësi i vetëm që u adresohet të ftuarve – siç kanë qenë tradicionalisht të vetmit mikpritës e folës në këtë rast të gjithë paraardhësit Tuaj. Por Ju s’e bëtë as detyrën e mikpritësit dhe as atë të kreut të shtetit të të gjithë shqiptarëve. I latë të ftuarit t’Ju prisnin më shumë se një orë në këmbë, pa patur as kujdesin t’u paraqisnit paraprakisht përmes protokollit Tuaj një ndjesë të thjeshtë formale, me një arsye çfarëdo për vonesën. Pastaj e shkelët fare kur ia latë foltoren ekskluzive të kreut të shtetit shqiptar një zotërie pa lidhje, ose më saktë një të huaji që ka lidhje vetëm me Partinë Demokratike”, – pohoi në letrën e tij, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency