Jansa: Sllovenia do të mbështesë kandidaturën tuaj në BE

0
133

Ina Jano

Berisha: Falënderim për mbështetjen e pakufizuar të Sllovenisë gjatë të gjitha proceseve integruese

 

Një mbështetje e fuqishme vjen për Shqipërinë në këto ditë feste nga vendi mik, Sllovenia. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kreu i qeverisë sllovene i ka konfirmuar homologut të tij Berisha se në samitin e dhjetorit, vendi i tij do ta mbështesë kandidaturën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Kryeministri Janez Jansa, në takimin me kreun e ekzekutivit, zotin Berisha, tha qartazi se vendi i tij do ta mbështesë integrimin e Shqipërisë, ashtu siç ka bërë edhe më parë, ndërsa u shpreh se ishte i bindur se do të ketë edhe shumë vende të tjera të cilat do të bashkojnë interesat e tyre së bashku me aspiratat e vendit tonë. “Unë mund të them qëndrimin e Republikës së Sllovenisë dhe qëndrimin tim si përfaqësues i një vendi të Bashkimit Evropian. Sllovenia do të mbështesë në dhjetor Shqipërinë që të marrë kandidaturën. Ne mendojmë se me këto masa që ka ndërmarrë Shqipëria këtë vit, këtë rezultat absolutisht e meriton”, – nënvizoi lideri i qeverisë sllovene. Por, ndërkohë, zoti Jansa u shpreh tejet i hapur kur tha se Bashkimi Evropian duhet të ketë të njëjtin etalon matës për Shqipërinë ashtu si për vendet e tjera. Ai theksoi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, sepse të njëjtat rekomandime që duhet të plotësojë ajo, janë venë si detyrim edhe për vendet e tjera për të cilat tashmë është propozuar hapja e negociatave, fazë në të cilën do të shtohen edhe 35 kapituj të tjerë për tu plotësuar. “Në familjen evropiane nuk është vetëm Sllovenia mbështetëse e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe për të ndihmuar rrugëtimin e saj. Para dhjetë viteve ka qenë Sllovenia pothuaj në një situatë të ngjashme, duke filluar negociata me partnerë të ndryshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne thjesht duam të kemi një masë për të gjithë, të barabartë e të njëjtë. Kjo do të thotë se ne nuk mund të kërkojmë nga një vend kandidat që të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara para se të fillojnë negociatat. Kur të fillojë Shqipëria negociata të mëtejshme do të hapen 35 kapituj të tjerë, të cilat duhet të plotësohen, nga ekonomia, kultura, arsimi, shkenca e kështu me radhë. Çdo kapitull duhet të hapet, të shqyrtohet e të mbyllet. Pastaj do të bëhet një vlerësim i përgjithshëm se sa i ka plotësuar një shtet i caktuar, standardet e kërkuara prej saj. Sipas meje, tani për tani është e panevojshme të kushtëzohet dikush që të bëjë ndryshime në ligje, në akte ligjore e nënligjore, ende para se të fillojnë negociatat. Është një kërkim i panevojshëm, i paarsyeshëm. Ligjet, kushtet që ishin përcaktuar më parë që duhej të plotësonte Shqipëria si votimi i ligjit për imunitetin etj., të gjitha këto Shqipëria i ka plotësuar”, – shtoi zoti Jansa në konferencën për shtyp me Kryeministrin Berisha. Nga ana e tij, ky i fundit falënderoi homologun për mbështetjen e pakufishme që i kanë dhënë vendit tonë dhe tha se marrëdhëniet mes dy shteteve dhe kombeve janë në nivelin më të shkëlqyer të tyre. Paraprakisht dy kryeministrat u takuan kokë më kokë dhe më pas ishin po ata të cilët udhëhoqën takimet e delegacioneve të tyre. “Diskutuam gjerësisht për rrugët e zgjerimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën ekonomike, potencialet e mëdha që ekzistojnë në këtë fushë dhe ramë dakord të bëjmë çdo gjë për të inkurajuar nëpërmjet forumeve të biznesit, klubit të biznesit slloveno-shqiptar dhe rrugëve të tjera, investimet reciproke. Dua të shpreh vlerësimin tim më të madh për iniciativën e Kryeministrit Jansa, për një ndryshim thelbësor në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Unë e konsideroj këtë një iniciativë shumë të rëndësishme, në funksion të një rendi që çdo ditë e më shuam vjen duke u bazuar në liritë e të drejtat e qytetarëve. Bashkëpunimi rajonal ishte një tjetër çështje që unë diskutova, si dhe përpjekjet të përbashkëta në inkurajimin e këtij bashkëpunimi”, – u shpreh gjatë konferencës për shtyp zoti Berisha. Të dy kryeministrat konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe afirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fushën ekonomik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency