Xhavit Haliti
Gati 95 vjet pas shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve në Vlorë, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës. Diferenca kohore mes këtyre dy akteve historike dhe jetike për mbarë kombin dhe shqiptarizmën nuk është pengesë për ballafaqim e përcjellje mesazhesh për të sotmen dhe për të ardhmen.
100-vjetori i pavarësisë do të festohet nga çdo shqiptar që jeton në trojet e veta etnike në Ballkanin Perëndimor, por dhe më larg tyre. Do ta festojmë të gjithë, sepse akti i një shekulli më parë është vepra më madhore e kombit, që shënoi njëherësh bazat për mbijetesën e tij. Rrugëtimi historik i aktit të 28 Nëntorit ishte produkt e përfundim i përpjekjeve të të gjithë shqiptarizmës, pra të ndjenjës kombëtare që ishte shfaqur e unifikuar duke u ngritur mbi barrierat e administratës turke dhe synimet antishqiptare të fqinjëve.
Ne shqiptarët e Kosovës, të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë të vendosur nga fuqitë e mëdha më 1913-ën, kemi konsideruar të shenjtë flamurin e ngritur në Vlorë. Jemi betuar, dënuar e vrarë për simbolin e shpalljes së pavarësisë. Sado e vështirë rruga 100-vjeçare, sado difektoze ecuria e saj, shpallja e pavarësisë, në emër dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të mbarë kombit shqiptar, u bë gur themeli, argument ndaj evropianëve dhe botës.
Gati 95 vjet pas shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve në Vlorë, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës. Diferenca kohore mes këtyre dy akteve historike dhe jetike për mbarë kombin dhe shqiptarizmën nuk është pengesë për ballafaqim e përcjellje mesazhesh për të sotmen dhe për të ardhmen. Së pari, pa 28 Nëntorin e 1912-ës, kur gjithë shqiptarët e trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor shpallën botërisht në Vlorë pavarësinë, nuk do të kishte njohje dhe ekzistencë 100-vjeçare të shtetit të Shqipërisë.
Së dyti, pa një shtet të pavarur shqiptar, anëtar i Lidhjes së Kombeve nga viti 1920, pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në 1946-ën në Paris, anëtar i OKB-së nga 1955-a dhe pa emrin dhe mbështetjen e tij para dhe gjatë luftës çlirimtare, Kosova nuk do të ishte këtu ku është. Së treti, ekzistenca e Shqipërisë së cunguar, por të njohur ndërkombëtarisht, me fillesë 28 nëntorin 1912, ishte arritja më e madhe për mbarë faktorin shqiptar në Ballkan. Pa Republikën e Shqipërisë popullsia dhe kombi shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë do të ishte i barasvlershëm me kurdët e të ndarë në pesë shtete. Festojmë 100-vjetorin! Është detyrim dhe angazhim gjithë kombëtar. Por, pa guxuar të zhvlerësoj dhe ca më pak të injoroj faktin që pavarësia e Kosovës është rrjedhojë e 28 Nëntorit. 17 Shkurti duhet ballafaquar e vlerësuar në raport me të parin.
Kosova e shpalli pavarësinë gati një shekull më pas. Duke mbajtur parasysh diferencën historike shekullore në konfigurimin e hartës politike evropiane pas dy luftërave botërore dhe pas ndryshimeve demokratike të 1990-ës, mendoj se duhen mbajtur në vëmendje disa veçori në përqasje me të parën.
Pavarësia e shtetit të Kosovës u shpall nga Kuvendi, kur territori i saj po festonte 8 vjetorin e çlirimit me luftë e sakrifica të pazakonta nga Serbia.
Pavarësia e Kosovës u njoh qysh të nesërmen e shpalljes së saj nga SHBA-ja, nga shumica e vendeve të BE-së dhe nga shtetet demokratike me traditë dhe emër në botë.
Pavarësia e Kosovës u njoh botërisht qysh në momentin e shpalljes dhe u mbështet fuqishëm në vazhdimësi, brenda kufijve të saj, sikurse u njoh ndërkombëtarisht edhe nga ish-republikat e ish-RFJ-së (përjashtuar Bosnjën) që u shkëput me luftë apo paqësisht nga Serbia.
Pavarësia e Kosovës u bë fakt në fillim shekullin XXI, kur logjika politike evropiane, e tronditur tri herë fuqishëm gjatë shekullit XX (1918, 1945, dhe 1989) është tepër e ndjeshme dhe mospajtuese për çdo opsion të mundshëm për ndryshim kufijsh në Ballkan.
Kosova shtet i ka rrënjët në 28 Nëntorin e 1912-s. Kosova feston dhe do të festojë me ndjenjën thjesht dhe pastër kombëtare ngritjen e flamurit në këtë 100 vjetor, sepse parafrazoj rilindësit: “jemi një gjak, kemi një gjuhë dhe një flamur”. GËZUAR!
(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)