Nga Italia në Amerikë, shqiptarët festojnë 100-vjetorin e pavarësisë

0
151

Driçim Çaka

Këngë dhe valle, flamuj dhe ngjyra kuqezi, në çdo vend të botës shqiptarët kanë festuar ditën historike, 100-vjetorin e pavarësisë


Jo vetëm në Shqipëri, por kudo që ka shqiptarë, po festohet 100-vjetori i krijimit të shtetit. Mjafton një numër i vogël shqiptarësh për të mbushur një vend me flamuj kuqezi. Duke filluar nga Evropa dhe deri në Amerikën e largët, është ndier zëri i shqiptarëve, të cilët nuk e kanë harruar ditën më të veçantë të historisë.

Kanada, festë madhështore

Në një sallë të thjeshtë, por të tejmbushur me flamuj kuqezi kanë festuar shqiptarët e Kanadasë. Aktivitete të shumta, këngë dhe valle si dhe këndimi i himnit kombëtar kanë qenë disa nga risitë të cilat janë sjellë në skenë nga një grup shqiptarësh. Të pakët në numër, por me vepra të shumta shqiptarët kanë bërë që dhe disa televizione lokale të pasqyrojnë festën e pavarësisë së Shqipërisë si dhe të vlerësojnë patriotizmin e popullit tonë.

Itali, një ditë ndryshe

“La Republica”, një nga gazetat më të mëdha në Itali, është hapur me titullin se shqiptarët e Italisë janë veshur kuqezi dhe të gjithë po festojnë pavarësinë e tyre. Në këtë 100-vjetor në të gjitha qytetet italiane ku ka shqiptarë, është festuar me këngë të vendit, ku ishin të ftuar këngëtarët më të njohur të muzikës popullore. Duke filluar nga Xhenova, Milano, Romë, Venecia dhe kudo janë mbajtur koncerte të veshura me ngjyrat kuq e zi si dhe me flamuj të vendosur kudo.

Londër

Me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Londër është organizuar një koncert i madh në një nga sheshet kryesore ku ka tërhequr dhe vëmendjen e kalimtarëve. Vallet kryesisht të jugut dhe me këngë kushtuar Ismail Qemalit shqiptarët e Londrës kanë përshëndetur pavarësinë e Shqipërisë si një nga ngjarjet historike. Në këtë festë ishin të pranishëm edhe qindra shqiptarë nga qytet të tjerë të Mbretërisë së Bashkuar të cilët kishin ardhur enkas për këtë ngjarje të veçantë. Larg mundësisë për të ardhur në Shqipëri ky komunitet ka kënduar himnin kombëtar në fund të aktivitetit.

Amerikë, festojnë shqiptarët

Në një sallë madhështore, shqiptarët në Amerikë janë mbledhur së bashku për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë. Me fëmijë të shumë, të cilët improvizuan skena të ndryshme të shpalljes së pavarësisë, është përshëndetur 100-vjetori i pavarësisë. Në këtë festë është vënë në skenë fjala e plotë e Ismail Qemalit drejtuar delegatëve në Vlorë si dhe është ngritur dhe njëherë flamuri me shqiponjën dykrenare.

Greqi, fëmijët: Jemi krenarë që jemi shqiptarë

Me një shqipe të komplikuar fëmijët e shqiptarëve në Greqi kanë festuar 100-vjetorin, duke kënduar këngë dhe valle të zonave të jugut. Në çdo bluzë të çdo fëmije ishte bërë një vizatim ku tregoheshin momentet kryesore të shpalljes së pavarësisë. Fëmijët kënduan dhe recituan këngë e vargje patriotike, duke sjellë emocione të mëdha tek të pranishmit. Ata i kënduan Atdheut, Flamurit, mallit për Shqipërinë, teksa interpretuan vargje nga Fan Noli, Naim Frashëri, De Rada dhe Pashko Vasa. Festime janë kryer në disa qytete kryesore duke filluar nga Athina, Selaniku, Korinthi si dhe Patra. Ndryshe nga vendet e tjera vendasit nuk e kanë pritur mirë festimet e shqiptarëve të cilët kanë dalë me flamuj nëpër duar dhe makina për të treguar vlerësimin për atdheun.

Belgjikë, hedhje nga ajri me flamur shqiptar

Disa të rinj shqiptarë në Belgjikë kanë zgjedhur një mënyrë krejt ndryshe për të festuar 100-vjetorin. Të veshur me flamurin shqiptar një grup të rinjsh janë hedhur me parashutë nga mijëra metra lartësi. Ky veprim është filmuar nga media vendase që e ka përshëndetur veprimin e të rinjve shqiptarë.

Shqiptarët në Zvicër

Një numër i madh shqiptarësh në Zvicër do të mblidhen për të festuar ditën e pavarësisë. Me flamuj nëpër duar çdokush ka uruar për një bashkim të të gjitha trevave shqiptare në një shtet të vetëm. Shumica e këtij komuniteti pritet që ditën e sotme të ngrenë një flamur gjigant në një nga sheshet kryesore të Zyrihut. Më këtë komunitet pritet të bashkohet edhe kosovarët, të cilët janë të shumtë në numër dhe së bashkuar do të sjellin një atmosferën ndryshe në çdo cep.

Gjermani

Koncerte me këngëtar nga të gjitha trevat shqiptare janë organizuar në Gjermani. Në disa nga qytete kryesore komuniteti shqiptar është mbledhur së bashku për të kremtuar përvjetorin e pavarësisë. Këngët patriotike kanë qenë disa nga gjërat e veçanta në këto koncerte të cilat janë kënduar nga këngëtarët shqiptarë. Me flamuj kuqezi kudo sallat e koncerteve ishin veshur me dy ngjyra të vetme. Ndërkohë, në datën 1 do të bëhet një festë madhështore në Gjermani me të gjithë emigrantët shqiptarë.

 

 

Mblidhen firmat, Google sot do të jetë më ngjyra kuqezi

Peticioni i nisur disa kohë më parë për t’i kërkuar Google-it të “vishet” kuqezi në 28 nëntor është realizuar me sukses. Firmat e nevojshme për të ndryshuar logon e gjigantit më të madh të internetit janë mbledhur dhe pritet që ditën e sotme drejtuesit e Google të ndryshojnë logon e faqes së parë. Firmat që duheshin për të ndryshuar logon e Google-it ishin 50 mijë dhe deri ditën e djeshme ishin mbledhur rreth 56 mijë të tilla. Tani pritet vetëm logoja që pritet të vendose motori i kërkimit pasi logua që është propozuar vështirë se do të pranohet. Ideja është që Google të ndryshojë ngjyrat duke i vendosur kuq e zi si dhe të bëjë një urim për pavarësinë e Shqipërisë. Mbetet të konfirmohet nëse Google do të bëjë sot ndryshimin apo do të bëjë thjesht një urim për popullin shqiptarë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency