Ismail bej Vlora: Prijësi i idealistëve

0
301

Çelo Hoxha

Në 24 janar 1877, koloneli Charles Gordon, anëtari britanik i Komisionit të Danubit, i shkroi Ismail bej Vlorës, në ditëlindjen e tij të 33-të: “Ju kam thënë me kohë, do të bëheni njeri i madh, ashtu mendoj edhe tani”. Ky parashikim shoqërohej me një këshillë: “Ruajuni nga aventurat, qëndrojuni larg”. Për ironi, 35 vjet më vonë, Ismail bej Vlora u përfshi në një aventurë, pastaj arriti, pa e pasur qëllim, madhështinë e parashikuar.

Gjatë udhëtimit për ngritjen e flamurit, diku në rrugën Durrës-Vlorë, delegacioni i pavarësisë mori lajmin se komandanti i përgjithshëm i ushtrisë perandorake në Janinë e kërkonte ta shtinte Ismail bej Vlorën në dorë, me çdo kusht, të gjallë ose të vdekur. Nëse ai kthehej nga rruga, emri i tij do të ishte sot një nga shumë emrat në listat e zyrtarëve të lartë një perandorie që shumë shpejt u zhduk nga faqja e dheut. Ai eci përpara dhe hyri në listën botërore të themeluesve të shteteve, e cila nuk është shumë e gjatë.

Ismail bej Vlora lindi në 24 janar 1844, në Vlorë. Familja e tij ishte një nga familjet fisnike shqiptare më të vjetra, me ndikim në punët dhe fatin e Shqipërisë. Një familje që rivalizoi me dinjitet me Ali pashë Tepelenën.

Ky ishte Ismail bej Vlora i dytë. Gjyshi, emrin e të cilit mbante ai, ishte vrarë pabesisht në Janinë, së bashku me 500 ushtarë: e ftuan në Janinë me pretekstin se e kishin emëruar guvernator të përgjithshëm të provincës. Vite më vonë, Zenel Gjoleka, një nga udhëheqësit e kryengritjeve kundër Tanzimatit, vrau kryemjeshtrin e ceremonive të Reshid Pashës, kur ai iu mburr se kishte prerë kokën e Ismail bej Vlorës.

Pas vrasjes së Ismail Beut, djemtë e tij, Mahmud Beu dhe tre vëllezërit e mitur, u mbyllën në Kalanë e Beratit. Mahmud Beu ishte babai i themeluesit të ardhshëm të Shqipërisë. Në këtë periudhë, qeverisja e Beratit iu dha familjes Vrioni. “Vetëm e vetëm për të asgjësuar influencën e familjes sonë”, – kujton më vonë i biri.

Pas shtypjes së kryengritjes së Tanziamtit, Mahmud Beu dhe vëllai tij, Selim Pasha, u arrestuan dhe u shpunë në Manastir. Dy vëllezërit e tjerë u arrestuan kur ushtria turke, e ardhur me avullore, mori kontrollin e Vlorës. Kështu nisi mërgimi i parë i Ismail bej Vlorës, i cili, së bashku me nënën, gjyshen, vëllanë dhe motrën, u larguan nga vendlindja. Pas 15 ditësh qëndrimi në Manastir, pasi lanë në aty një pjesë të shoqëruesve e të plaçkave që iu ishin bërë barrë, u larguan nga qyteti. Në këtë moment, kujton Ismail Beu: “I lamë lamtumirën Shqipërisë”.

Fëmijët nuk i dinin, sigurisht, arsyet e udhëtimit. Ata ishin shumë të vegjël të kuptonin pse u qëllonte shpesh të dëboheshim nga vendi dhe shtëpia e tyre.

Në Selanik gjetën përzemërsinë e konsullit francez, mik i Mahmud Beut. Popullsia turke e qytetit nuk e kuptonte dot si ishte e mundur që një familje të ishte myslimane dhe të mos fliste turqisht, ose që një familje myslimane të kishte lidhje aq të ngushta me konsullin e krishterë. Zoti Grasset u tregua vendimtar në ndihmë të familjes, kur kreu i kabinetit të Guvernatorit të Përgjigjëm të Selanikut deshi t’i nxirrte nga shtëpia dhe të futej vetë në të, dhe kur Hedie Hanëmi, e ëma e Ismail Beut, u sëmur nga tifoja dhe u pandeh se kishte vdekur. Aty vdiq vëllai i vogël i Ismail Beut, Sulejmani. Më vonë, sa herë që ai shkoi në Selanik, nuk largohej pa një vizitë në xhaminë Ortaj, ku ndodhej varri i vëllait.

Largimi nga Selaniku u bë për shkak të një amnistie. Në Vlorë u kthyen në një shtëpi të shkatërruar. Gjatë mungesës së tyre, në të kishte jetuar qeveritari i qytetit, i cili kishte marrë me vete çdo gjë të çmuar. Pritja e popullit ishte e përzemërt. Ata që dikur i kishin blerë në ankand mobiliet e shtëpisë së Vlorajve, tani i kthyen në formë dhurate.

Në Selanik, Ismail Beu shkoi në shkollën fillore, vazhdoi studimin e turqishtes dhe mori mësime në italisht nga një emigrant italian. Mësimet e tjera i mori në shqip nga prindërit, sidomos e ëma, e cila e kishte merak të madh që i biri të bëhej shqiptar i përkryer. Babai i tij, një poliglot me arsimim evropian, diçka jo e zakonshme për shqiptarët atëbotë, kishte një merak tjetër: të ushqente te i biri zell dhe shije për kulturën evropiane.

Mahmud Beu kujdesej, sigurisht, që i biri të pajisej me shprehi të mira kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, gjatë një vizite në Janinë, ai e mori të birin me vete, ku e paraqiti te Guvernatori i Përgjithshëm, te zyrtarët e tjerë të lartë dhe konsujt. Në Janinë, më vonë, Ismail Beu hyri në gjimnazin Zosimea. Në maj 1860, në moshën 16-vjeçare, djaloshi me një të ardhme të shquar në shërbim të perandorisë, u largua nga Janina për në Stamboll.

Ministri i Jashtëm i Perandorisë, Fuad Pasha, i dha një punë në zyrën e përkthimeve të ministrisë së Jashtme. Aty vazhdoi studimet për drejtësi.

Më vonë Ismail Beut iu dha posti i atasheut në ambasadën e Parisit, por në prag të nisjes i vdiq e motra. Shkoi në Janinë dhe familja nuk e la të largohej.

Në Janinë filloi punë si ndihmësdrejtor për çështjet politike pranë Guvernatorit të Përgjithshëm, Aqif Pashës. (45) E mbajti këtë detyrë deri në 1964. Aty u martua me një vejushë nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, pasi lindi një vajzë.

Pas detyrës në Janinë, Ismail Beu shkoi në Larisa (Greqi) ku mori postin e shefit të kabinetit të Guvernatorit të Përgjithshëm të Thesalisë, Ismail Rahmi Pasha, ungji i tij. Një vit më vonë, 1865, ai shkoi në Stamboll, i cili ishte goditur nga kolera dhe filloi punë në zyrën e përkthimeve të Portës së Lartë. Në kryeqytet shkoi dhe Mahmud Beu, por qëndrimi i tij ishte pafat, ai vdiq aty në moshën 44-vjeçare. Një vit më pas, Ismail Beu u largua nga Stambolli me një detyrë të re në vilajetin e Danubit (Bullgaria e sotme), me propozim të Mid’hat Pashës, Guvernator i Përgjithshëm.

Në Rusçuk, qendra e vilajetit të Danubit, Ismail Beu u martua për herë të dytë, me vajzën e një fisniku grek nga Edreneja. Dashuria e tyre ishte një ngjarje nga ato që, pas lindjes së kinemasë dhe televizorit, u bënë filma. Ja subjekti i ngjarjes ndaj të cilës kinemaja shqiptare është treguar indiferente: një djalë mysliman bie në dashuri me një vajzë të krishterë; nëna e vajzës (në këtë rast njerka) e kundërshton martesën në mënyrë kategorike; djali bie në ujdi me vajzën që ta rrëmbejë; babai i vajzës bëhet palë me ta duke heshtur; ngjarja bëhet objekt diskutimi për qytetin, përfshi konsujt e huaj; konsulli belg merr pjesë si dëshmitar në ligjërimin e martesës; konsulli britanik e tejkalon vështirësinë që pati për ta pranuar faktin që dashnori (Ismail bej Vlora) hyri në shtëpinë e vajzës për ta rrëmbyer të dashurën e tij, por në fund pajtohet me realitetin dhe i shtron dashnorit trim një drekë. Një fund më i lumtur se i kësaj drame vështirë të gjendet: dashnorët u plakën së bashku dhe rritën katër vajza e gjashtë djem.

Në 1870, Ismail bej Vlora mori detyrën si guvernator i Danubit të Poshtëm dhe president i Komisionit Evropian për Danubin. Në 1973, ai hoqi dorë nga angazhimet publike. Që nga largimi prej Shqipërisë në moshë të mitur, jeta aktive që kishte bërë nuk i kishte lënë hapësirë të merrej me interesat vetjake. Kështu që ai refuzoi detyrën e guvernatorit të Nishit, detyrën e kryetarit të Gjykatës së Krimeve Penale në Pera si dhe një detyrë në ambasadën e Perandorisë në Uashington.

Së bashku me konsullin britanik në Varna, Ismail Beu hapi një minierë linjiti në ishullin Imbros, kur, për më shumë se një vit kaloi pjesën më të madhe të kohës, duke këqyrur punimet. Jeta në ishull ishte një arratisje nga bota e zhurmshme e politikës: as telegrame, as gazeta, as korrierë, asnjë lloj komunikimi tjetër që mund t’i prishte paqen. Këngët e të rinjve grekë dhe vallet popullore ishin i vetmi argëtim në ishullin që qeverisej nga një shqiptar.

Në korrik 1875, Ismail Bej Vlora ndërmori një udhëtim për në Evropë, stacionet më të rëndësishme të të cilit ishin: Vlorë-Romë-Milano-Paris-Londër e kthim. Në Londër u takua me ministrin e Jashtëm, me qëllim të shpjegonte situatën në Perandorinë Osmane dhe të studionte organizimin financiar të qeverisjes lokale britanike. Në kthim ndenji në Paris duke vazhduar studimin mbi të njëjtën çështje. U kthye në Vlorë të merrej me shfrytëzimin e bitumit të Selenicës, për të cilën kishte fituar koncesionin.

Pas kërkesave të përsëritura të Mid’hat Pashës, mik i vjetër i tij, Ismail Beu u kthye në Stamboll, ku u emërua Sekretar i Përgjithshëm për Çështje Gjyqësore në Ministrinë e Jashtme.

Mid’hat Pasha që e kishte ndihmuar Ismail Beun të ngjitej në karrierë, e tërhoqi zvarrë, dhe ishte e natyrshme, në rënie. Me dëbimin e tij nga Stambolli dhe Perandoria, Ismail Beu u syrgjynos në Kytahja. Aty jetoi i ruajtur me xhandarë, në një shtëpi me qira, të cilën e paguante vetë. Faktin që një i burgosur paguante qira për burgun e tij, ai e konsideroi diçka të pazakontë dhe në Lindje.

Shtatë viteve në syrgjyn u erdhi fundi me një ftesë për të marrë detyrën e guvernatorit në Mardin, Mesopotami. Largimi nga Kytahja dhe kalimi në mes të shkretëtirës bashkë me familjen ishte një sipërmarrje më e rëndë e se syrgjyni. Ai e pranoi, në mungesë të një zgjidhjeje tjetër. Pas një vizite në kryeqytet, Ismail Beu e rregulloi të linte detyrën në Mardin dhe të merrte postin e guvernatorit të sanxhakut të Bolusë.

Në Bolu mbërriti në maj 1884. Dy ditë pas mbërritjes mori lajmin e vdekjes së Mid’hat Pashës. Ai humbi dëshirën për punë, iu zbehën shpresat për të ardhmen e Perandorisë, u zhyt në trishtimin më të thellë për javë të tëra, humbi besimin te gjithçka – jeta, e ardhmja, njerëzit. Vdekja e mikut të tij dhe reformatorit të vërtetë të Perandorisë e tronditi nga themelet. Gjithë dëshpërimin e përmblodhi në një pyetje: “Kur një njeri kaq i shkëlqyer, me një jetë aq altruiste e pa interesa për vetveten, që kishte bërë aq shumë për njerëzit dhe vendin e tij, arrinte të pësonte një trajtim të tillë në duart e atyre, që ia kishin borxh nderimin dhe mirënjohjen e në fund arrinte të pësonte një fat të tillë tragjik – çfarë mund prisnin a të shpresonin vdekatarët e tjerë të kësaj toke?”

Në shenjë nderimi për punën e tij në mposhtjen e kusarisë në Bolu, Sulltani e nderoi me dekoratën e Mexhites. Grada civile më e lartë, grada Bala, e barabartë me atë të Vezirit, iu afrua si pjesë e joshjes që ai të pranonte, kohë më vonë, detyrën e guvernatorit të Galipolit.

Në 1890, Ismail beu iu kthye edhe një herë jetës private, u mor me biznes. Peripecitë e jetës së tij vazhduan, intrigat e njerëzve të vegjël në pallat nuk kishin të sosur. E akuzuan se kishte përfituar shuma financiare të konsiderueshme nga dy koncesione dhe më e keqja, ato para do të përdoreshin për përmbysjen e Sulltanit. Ky ishte një incident që Ismail Beu e mbylli personalisht me sovranin, të cilit i vendosi përpara kontratat.

Kundër dëshirës, ai shkoi guvernator në territorin e parë evropian të pushtuar prej osmanëve, i cili vazhdonte të ishte në shumicë i krishterë: Galipoli. Aty bëri dy gjëra: u preu rrugën shpërdorimeve përmes kanaleve ligjore dhe, duke kujtuar një kërkesë të Sulltanit për rosa të egra, në fshatin Kavak bleu një tufë, të cilat ishin zbutur. Falënderimet nga Pallati nuk vonuan, së bashku me shpresën e Sulltanit që herë tjetër t’i siguronte sovranit lloje më të rralla rosash të egra.

Pas Galipolit shkoi guvernator në Bejrut, në kufi me Libanin, i cili qeverisej nga bashkatdhetari i tij shquar, Vaso Pasha. Në 1892, Vaso Pasha u largua nga jeta, kurse Ismail Beu nga Bejruti.

Pas kthimit në Stamboll, Sulltani i kërkoi Ismail Beut të përgatiste një raport për reformat e përgjithshme në Perandori dhe reformat që duheshin ndjekur. Ai raport, raporti për Egjiptin më vonë dhe shpjegimet analitike që ka bërë përgjatë rrëfimit të kujtimeve akoma më vonë, shfaqin përmasën reale të tij si politikan dhe shpjegojnë gjithashtu faktin pse ai ishte një figurë aq e respektuar dhe me lidhje aq të forta në Evropë, të cilat i shfrytëzoi për realizmin e pavarësisë së Shqipërisë. Koloneli Gordon, i cili e kishte pikasur madhështinë e këtij njeriu, kur ai kishte qenë veç një zyrtar i nivelit të mesëm i Perandorisë, duhet të ketë qenë gjeni i një natyre tjetër.

Në prill 1900, Ismail bej Vlora u emërua guvernator i përgjithshëm në Tripoli, por nuk shkoi për t’iu shmangur ndonjë eliminimi të mundshëm. Ai kërkoi strehim politik në një anije britanike dhe në 1 maj, së bashku me tre nga djemtë e tij, u largua nga trojet e Perandorisë. Tetë vitet që pasuan jetoi në qytete të ndryshme të Evropës, duke punuar tashmë për çështjen shqiptare. Në korrik 1908, pas fitores së revolucionit xhonturk, ai u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit në Parlamentin Osman. Në 1910 u zgjodh kryetar i Partisë Liberale.

Në shtator 1912, Ismail Beu shkoi dhe një herë të fundit në Stamboll, me shpresën se kryeqyteti i Perandorisë do të tregohej më i arsyeshëm në trajtimin e çështjes shqiptare. Bisedimet me zyrtarët e lartë, pjesa më e madhe miq të tij, nuk dhanë rezultat. Ndërkohë, shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike.

Veziri i madh, Qamil Pasha, i ofroi postin e ministrit të Jashtëm, por ai zgjodhi t’i hipte trenit dhe më 25 tetor 1912 u nis për në Bukuresht. Njërin nga djemtë, Qazim Beun, e mori me vete, tjetrin, Et’hem Beun, e nisi në Vlorë.

Dy javë veprimtari diplomatike e politike mes Bukureshtit dhe Vjenës, në takime me personalitet të larta të fuqive të mëdha, çuan në telegramin e 9 nëntorit 1912, drejtuar parisë së Vlorës: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipëniës âsht sigurue”.

Ai nuk mbërriti me vaporin më të parë, por me vaporin që i vuri në dispozicion Mbretëria Austro-Hungareze.

Në 21 nëntor, themeluesi i ardhshëm i shtetit shqiptar zbriti në Durrës, i rrethuar nga kujdesi i vendasve. Për të qenë i mbrojtur, për sa kohë që do të ishte në Durrës, do të qëndronte në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit, kurse ushqimi i tij do të gatuhej në shtëpinë e Abaz Çelkupës.

Qyteti ku do të bëhej Kuvendi duhej të plotësonte tri kushte: të mos ishte i shkelur nga ushtritë e huaja, të cilat ishin përhapur nëpër trojet shqiptare; të ishte sa më pranë mesit të artë të katër vilajeteve; dhe të kishte lidhje telegrafike me Evropën. Jo në mënyrën ideale, qyteti që plotësonte këto kondita ishte Vlora.

Në 28 nëntor 1912, në orën 16:00, misioni i Ismail bej Vlorës mori i fund, i realizuar. Kuvendi i drejtuar prej tij futi në ligjërimin politik shqiptar dhe botëror një koncept të ri: shteti shqiptar. Qeverisja 14-muajshe e tij ka historinë e saj, por fjalët e Ismail bej Vlorës drejtuar miqve që kishin dalë për ta përcjellë, para se të hipte në varkën e vogël, thonë gjithçka: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ia lë trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një Atdhe amanet. Lamtumirë!”

Vdiq në 15 janar 1919, në Peruxha të Italisë, i helmuar. Fuqia e tij diplomatike, të cilës italianët i druheshin, ishte e tillë: nëse Ismail bej Vlora do të kishte marrë pjesë në Konferencën e Paqes, sot mund të kishim një Shqipëri tjetër. Ai nuk mori dhe kemi po atë Shqipëri që na la në 1912-ën.

 

Shënim: Për këtë shkrim janë përdorur këto burime: Ismail Qemali, “Kujtime”, Toena, Tiranë, 2009; Ismail Qemal bej Vlora, “Shqipëria dhe Shqiptarët”, Redona, Tiranë, përgatitur nga Darling Vlora; Lef Nosi, “Dokumente historike 1912-1918”, Shtypshkronja “Nënë Tereza”, Tiranë; gazeta “Arbënia”, nr. 427, 28 nëntor 1936, artikulli: “Nji udhëtim historik në Nëntor ’12”, me autor Qemal Karaosmani, faqe 1 dhe 6. Në variantin origjinal të artikullit janë vendosur referencat nominale të citimeve dhe paragrafëve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency