Halla e faturinos: E vranë ditën e parë të punës, s’e njohëm nga fytyra

0
218

Elton Qyno

E moshuara: Shoferi mund ta ketë nxitur për t’ua kërkuar lekët udhëtarëve, paratë që fitonte, ia jepte të ëmës

Dyshimet e policisë, autorët u larguan me taksi në drejtim të Durrësit. Ende asnjë i arrestuar


18-vjeçari që u ekzekutua me thikë tek rreth rrotullimi i Zogut të Zi ditën e vrasjes e kishte ditën e parë të punës si faturino i furgonit ku ndodhi ngjarja e rëndë. Juljan Çuni kishte ndryshuar shofer, pasi sipas familjarëve, furgoni ku 18-vjeçari punonte ishte bllokuar nga Policia Rrugore dhe për të mos mbetur pa punë, është detyruar që të punojë me një tjetër shofer, në pozicionin e faturinos. Nisur nga kushtet e vështira ekonomike, 18-vjeçari ditën e diel është bashkuar me një shofer, i cili drejtonte një furgon të kuq, të cilin ai nuk e kishte të tijin, por të një shtetasi tjetër, që zotëronte disa furgona. Halla e viktimës tregon se në shtëpinë e Julian Çunit ishte vetëm ai që punonte dhe që mbante familjen, pasi anëtarët e tjerë nuk kishin mundësi për t’u punësuar. “Të gjitha lekët që fitonte i sillte në shtëpi dhe ja dorëzonte në darkë të ëmës. Nuk mbante asnjë lek për vete, nuk e shikoje të hynte në lokal apo të pinte cigare. Që në moshë të vogël ka qenë shumë i përkushtuar për familjen e tij”, – tregon halla e 18-vjeçarit Julian Çuni. Më tej ajo shton se ditën e diel, nipi i saj e kishte ditën e parë të punës si faturino me shoferin e ri, dhe se sipas saj ka shumë mundësi që ndonjë fjalë e shoferit mund ta ketë vënë në sedër, për të insistuar për marrjen e lekëve të katër udhëtarëve që kërkonin të zbrisnin nga furgoni në zonën e Laprakës.

Çuni, 14 vjeç faturino

Halla e viktimës tregon se nipi i saj ka punuar si faturino furgoni që në moshën 14 vjeç. Gjatë kësaj kohe ai kishte ndryshuar shumë shoferë dhe se nuk ka pasur problem, madje pjesa më e madhe e tyre e ka mbrojtur dhe e kanë ndihmuar kur kanë pasur konflikte me ndonjë udhëtar. “Unë kam mbetur e befasuar kur kam dëgjuar vdekjen nga goja e nipit të madh. Ka punuar në këtë profesion që në moshë të mitur dhe s’ka pasur asnjë problem, ditën e parë që ndryshoi shoferin e vranë për një biletë furgoni. Drejtuesi i furgonit mund ta ketë shtyrë për t’ia kërkuar lekët me insistim, prandaj dhe ndodhi sherri mes nipit dhe katër udhëtarëve”, – deklaron e moshuara. Më tej ajo shton se kërkon nga ana e policisë kapjen sa më parë të autorëve të krimit dhe dënimin e tyre maksimalisht, pasi kanë vrarë një njeri të pafajshëm. “Kur e morëm nga spitali dhe e sollëm në shtëpi, e pashë që ja kishin masakruar fytyrën. E kanë rrahuar shumë, dhe se nuk ka dalë asnjë që ta mbronte as shoferi dhe asnjë nga udhëtarët e tjerë që ndodheshin në furgon. Nuk i dallohej fytyra nga plagët kur ja lamë trupin dhe e veshëm si dhëndër, për ta çuar në banesën e fundit”, – tregon halla e viktimë Julian Çuni.

Autorët ikën me taksi

Pas administrimit të dhjetëra dëshmive në vendngjarje, strukturat e policisë së Tiranës kanë ngritur dyshimin se autorët e vrasjes së 18-vjeçarit janë larguar me një taksi. Nga pamjet filmike të regjistruara nga kamerat policore të sigurisë në dalje të kryeqytet, janë fiksuar momentet e sherrit dhe ai i vrasjes së të riut, por ata më pas kanë dalë jashtë rezes së kamerave duke hyrë në disa rrugica në zonën e Laprakës. Ekzistojnë dyshime se autorët janë larguar me një taksi, të cilën e kanë paguar, duke ju shmangur policisë dhe kontrolleve të saj dhe më pas janë larguar në Durrës. Zona është rrethuar shumë shpejt me efektivë policie, por që në fakt asnjëri prej tyre nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e personave që qëlluan me thikë faturinon e furgonit, 18-vjeçarin Julian Çuni. Ky i fundit fillimisht është rrahur nga katër personat dhe sapo kanë zbritur nga furgoni, njëri prej tyre që mendohet se i përket moshës 25-vjeçare e ka qëlluar disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup, ku si pasojë e të cilave 18-vjeçari ka humbur shumë gjak dhe më pas ka ndërruar jetën në spital.

Përgjimet

Policia e Tiranës pretendon se ka mundur të identifikoje dy autorët që rrahën dhe qëlluan me thikë faturinon dhe se tashmë po punohet për kapjen e tyre. Mësohet se për lokalizimin e autorëve të krimit janë vënë në përgjim rreth pesë numra telefoni, me qëllim interceptimin e ndonjë bisede telefonike, që autorët mund të kryejnë me familjarët dhe shokët e tyre, për të kërkuar ndihmë.

 

Flet shoku i shkollës

“Juliani ishte tip shumë i qetë, dikush

mund ta ketë shtyrë për t’u implikuar në sherr

Shoku i shkollës së 18-vjeçarit të vrarë Julian Çuni, Oltjani, tregon se shoferi i furgonit mund të ketë qenë ai që e ka nxitur shokun e tij, për të hyrë në sherr. Ai pretendon se Juliani ka qenë një djalë tepër i qetë dhe se nuk ka mundësi që të jetë konfliktuar i vetëm dhe pa shtysën e dikujt, me udhëtarët që ndodheshin në furgon. Në një intervistë për gazetën “Standard”, Oltjani tregon se me viktimën kishin kryer së bashku shkollën e “Bajram Curri” dhe se dy ditë para se të vritej ata kishin qëndruar së bashku në ambientet e pikës së lotos që administrohet nga Oltjani, jo shumë larg banesës së viktimës. Ai tregon se shoku i tij nuk ishte problematik dhe ka punuar që i vogël, vetëm për të mbajtur shtëpinë me bukë.

Në shoqërinë tuaj, si ju dukej Juliani, ishte problematik apo jo?

Jo, aspak. Ai vetëm punonte për të mbajtur shtëpinë me bukë dhe nuk kishte kohë të rrinte rrugëve dhe të merrej me punë problematike. Unë e kam njohur prej vitesh, pasi jam çun lagjeje dhe se jemi rritur së bashku me të. Madje, dhe shkollën “Bajram Curri” e kemi bërë së bashku, pasi iknin dhe vinin të dy në shkollë. Nuk e besoj që ai të jetë konfliktuar me udhëtarët, pasi Juliani nuk ndjehej fare dhe se ishte tepër i qetë. Këtë karakter kishte ai, nuk ndihej fare as në shoqëri por edhe kur punonte.

Ju besoni se dikush mund ta ketë shtyrë për t’u konfliktuar me udhëtarët?

Ka shumë mundësi që po, pasi sa mbaj mend unë, ai kishte rreth tre apo katër vite që punonte si faturino dhe nuk i kishte ndodhur asnjë incident. Mendoj se shoferi do ketë qenë ai që e ka shtyrë për t’i kërkuar lekët, pasi autorët kishin zënë katër vende, dhe nëse zbrisnin udhëtimi në Durrës, do të bëhej me 6 mijë lekë të vjetra minus dhe se nuk do arrihej kuota e lekëve.

Kur jeni takuar për herë të fundit me shokun tuaj?

Para dy ditësh kemi qenë bashku me një grup çunash në pikën e basteve që unë administroj. Aty Juli ka qëndruar së bashku me ne dhe kemi bërë biseda të ndryshme. Ai nuk vinte asnjëherë loto, por thjesht në darkë vinte për të parë ndonjë ndeshje futbolli.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency