Konflikti për truallin e shtëpisë i vendosin tritol në derë familjes

0
364

Elton Qyno

Ngjarja në Fushë-Krujë, policia: Besim Ziri ka konflikte me dy fise për truallin 71.800 m2

 

Konfliktet për pronat në Fushë-Krujë kanë bërë që në banesën e shtetasit Besim Ziri të vendoset një sasi lënde eksplozivi, nga shpërthimi i të cilës ka pasur vetëm dëme materiale. Eksplozivi i llojit tritol ishte vendosur në derën e jashtme të shtëpisë nga persona ende të paidentifikuar. Shpërthimi është regjistruar në orët e mbrëmjes së dy ditëve më parë. Nga hetimi i çështjes, policia e Krujës ka deklaruar se familja Ziri prej vitesh është në një konflikt gjyqësor me disa familje të fisit ku bën pjesë. Kjo, për shkak se disa nga familjet brenda fisit pretendojnë se toka ku Besim Ziri ka ndërtuar banesën dykatëshe u përket atyre dhe jo pronarit të shtëpisë, ndërtuar viteve të demokracisë. Gjatë proceseve gjyqësore palët kanë pasur përplasje me dy nga familjet e tjera të fisit, pasi herë pas here ato kanë pretenduar se trualli ku është ndërtuar u përket me trashëgimi dy familjeve dhe jo personave të tjerë, përfshirë këtu dhe Besim Zirin, që kanë ndërtuar banesa. Sipas policisë së Krujës, bëhet fjalë për një sipërfaqe 71.800 m2 të ndodhur në parcelat nr. 629 dhe 630 Fushë-Krujë, truall ky që tashmë është ende në proces gjykimi në Gjykatën e Lartë.

Shpërthimi dhe motivet

Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur në orët e mbrëmjes së dy dytëve më parë në Fushë-Krujë, ku nga plasja e tritolit ka pasur vetëm dëmtime materiale dhe fatmirësisht jo në njerëz. Sipas burimeve pranë policisë së Krujës, autorët e krimit kanë shfrytëzuar errësirën e natës dhe pa rënë në sy kanë mundur të futin një sasi tritoli në derën e jashtme të banesës ku jeton shtetasi Besim Ziri. Nga shpërthimi i fuqishëm, kanë mbetur të alarmuar të gjithë anëtarët e familjes Ziri, të cilët kanë dalë me shpejtësi të shohin se çfarë kishte ndodhur. Lidhur me këtë ngjarje ata kanë njoftuar menjëherë policinë e Krujës, e cila ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje. Pas hetimeve të kryera dhe pyetjes së personave që kanë dijeni rreth ngjarjen, policia është bindur se vendosja e tritolit në derën e shtëpisë, ka si motiv një konflikt pronësie. Nisur nga kjo situatë, në ambientet e policisë janë shoqëruar disa persona, me të cilët familja Ziri ende vazhdon betejën ligjore nëpër gjykata për të drejtën e pronësisë së truallit ku është ndërtuar objekti dykatësh. Burimet policore thonë se bëhet fjalë për dy familje, Ziri dhe Merlika, me të cilat familja e Besim Zirit është në konflikt pronësie për truallin me sipërfaqe 71.800 m2 të ndodhur në disa parcela në Fushë-Krujë. Pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje disa nga anëtarët e dyshuar të këtyre dy familjeve, ndërkohë që për sa i përket identifikimit të autorëve të këtij krimi të rëndë, burimet thanë se gjatë këtyre dy ditëve e kanë pasur të pamundur për shkak se nuk kanë administruar në dosje prova konkrete, si gjurmë apo dëshmi të personave të tjerë që mund të kenë parë autorët në momentin kur kanë vënë lëndën plasëse.

Familja: S’kemi konflikte

Për të hedhur sa më shumë dritë mbi shkaqet dhe identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, policia e Krujës ka marrë në pyetje kryefamiljarin Besim Ziri. Gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit ka treguar se nuk ka pasur konflikt me asnjë person dhe s’ka asnjë arsye që mund të ketë ndikuar në vendosjen e lëndës shpërthyese në derën e shtëpisë. Burimet thanë se ai ka pretenduar se trualli ku është ndërtuar banesa, u përket trashëgimtarëve të tij dhe se një gjë të tillë e ka njohur Komisioni i Kthimit të Pronave që në vitin 1995. Pavarësisht pretendimeve të Zirit, se ai nuk ka pasur konflikte, strukturat e policisë së shtetit kanë krijuar bindjen se shkak i këtij shpërthimi janë bërë konfliktet e vazhdueshme për tokën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency