Juristja: Josha biznesmenin, më duheshin lekë për fëmijën 3 vjeç

0
504

Elton Qyno

 

Zbardhet skema si e joshi me një buzëqeshje Raviola Lila biznesmenin e reklamave deti te momenti i 30 minutave në hotel

Mesazhi: “Na jep 100 mijë euro ose në të kundërt atë me të cilën shkove në hotel, merre për grua”

“Na jep 100 mijë euro ose në të kundërt atë me të cilën shkove në hotel, merre për grua”. Ky është njëri nga disa mesazhet që Ervin Gjana dhe Altin Dardha i kanë dërguar biznesmenit të reklamave dhe posterave, Juland Mustafaj. Për gjobitjen e tij, grupi kishte hartuar një plan të hollësishëm dhe për këtë kanë shfrytëzuar juristen Raviola Lila, për shkak se dhe kjo e fundit ka pasur nevojë për lekë, pasi ka një fëmijë 3-vjeçar. Ky ka qenë dhe faktori kryesor, i cili ka bërë që Lila t’i bindet çdo urdhri të të dashurit të saj, Ervin Gjana, dhe shokut të tij, të arrestuar Altin Dardha. Në prani të prokurorit të çështjes, Gentian Trenova, 25-vjeçarja Raviola Lila ka treguar e përlotur se gjithçka e kishte kryer për shkak të rritjes së fëmijës së saj 3 vjeç. “E dija që po bëja diçka të gabuar, por s’kisha çfarë rruge të zgjidhja tjetër për të rritur fëmijën tim 3-vjeçar. Kështu, jam detyruar t’i ngjitem një biznesmeni në zonën e Kombinatit, duke i kërkuar fillimisht atij të më çojë në shtëpi, pasi ishte një ditë me shi, dhe më tej kemi shkuar në hotel me të. Të gjitha veprimet i kam bërë, pasi merrja udhëzime nga Altin Dardha si dhe Ervin Gjana, të cilët më mësonin se si duhet të sillesha me Juland Mustafaj, deri në momentin e kërkimit të lekëve. Biznesmenin e reklamave e kam takuar tri herë dhe me të kam shkuar në një hotel në Tiranë, ku kemi qëndruar 30 minuta dhe më pas, kanë ardhur Ervin Gjana e Altin Dardha, ku i kërkuan Julandit se për të zgjidhur problemin, kishte dy zgjidhje, të jepte 100 mijë euro ose në të kundërt të më merrte për grua mua”, – ka treguar mes lotësh 25-vjeçarja Raviola Lila.

Joshja me një buzëqeshje

Takimi i parë mes biznesmenit Juland Mustafaj dhe 25-vjeçares Raviola Lala është bërë në një ditë me shi. 25-vjeçarja, e vënë në dijeni për planin e dy të njohurve të saj Gjana dhe Dardha, të cilët kishin afruar rreth vetes dhe shtetasin tjetër Rustem Koçi, ka vendosur të joshë biznesmenin, duke i dalë përpara makinës. Pikërisht, një veprim i tillë ka ndodhur në zonën e kombinatit, ku teksa Juland Mustafaj, sapo kishte dalë nga studioja e tij “Dixhiprint-al” që ndodhet në ambientet e ish-kombinatit tekstil në Tiranë, ka marrë makinën e tij tip “BMW X5” dhe është nisur në drejtim të rrugës, drejt qendrës së kryeqytetit. Gjatë kësaj kohe, ka filluar të bien reshje shiu dhe teksa biznesmeni ishte duke lëvizur me makinë ai është ndalur nga një vajzë. Ishte pikërisht Raviola Lila,e cila i ka dalë përpara “BMW X5” dhe ka filluar t’i buzëqeshë në mënyrë joshëse atij. Në këtë moment, biznesmeni ka ndaluar makinën buzë rrugës dhe pranë saj, nga dera e shoferit është afruar 25-vjeçarja. Kjo e fundit i ka kërkuar duke iu lutur Juland Mustafaj, që ta merrte me makinë dhe ta çonte deri tek 9-katëshet, pasi nuk kishte as çadër dhe se do të lagej nga shiu. Kërkesës së vajzës i ka dhënë “OK” Juland Mustafaj, i cili, pasi ka marrë në makinë të renë, e ka zbritur atë në zonën e 9-katësheve, pasi pikërisht aty ajo pretendonte se kishte banesën ku jetonte. Pasi ka zbritur, Raviola Lila, ka pranuar të shkëmbejë numrat me biznesmenin, duke i premtuar atij se do i telefononte pasi i kishte një kafe borxh për nderin që ai i kishte kryer, duke e sjellë nga zona e kombinatit tek 9-katëshet me makinë.

Takimi i dytë në kafe

Ashtu siç e kishin lënë, Raviola Lila ka telefonuar biznesmenin Mustafaj, duke i kërkuar atij të dilnin për kafe, pasi nuk mund të mbante mbi shpatulla borxhin. Biznesmeni ka pranuar dhe se shumë shpejt ata janë takuar në një kafe në Tiranë, ku kanë qëndruar disa orë së bashku. Pikërisht në këtë kafe, gjatë bisedës me 25-vjeçares, biznesmeni i ka propozuar Lilës që njohjen e tyre ta çonin edhe më tej, duke qëndruar për disa çaste vetëm në ambientet e një hoteli. Mbase një kërkesë e tillë është bërë edhe, për shkak se 25-vjeçarja në atë takim kishte shkuar me një veshje tepër provokative. Kësaj kërkese fillimisht ajo i është përgjigjur negativisht, pasi i tillë ishte plani i hartuar nga tre personat e tjerë të këtij grupi. Në prani të prokurorit të çështjes, Lila ka treguar se Ervin Gjana, Altin Dardha dhe Rustem Koçi i kishin kërkuar që ajo të bënte rolin e interesantes, duke mos ia hapur telefonin edhe në rastet kur biznesmeni do t’i telefononte asaj. Një gjë e tillë kryhej me qëllim, për të mos rënë në sy një plan i fshehtë që ishte kurdisur nga katër të arrestuarit.

30 minutat në hotel

Pas propozimit në ambientet e kafes, për të qëndruar të vetëm në një hotel, disa ditë më vonë 25-vjeçarja vendos të jetë e gatshme për të shkuar në hotel me biznesmenin Juland Mustafaj. Ky ishte takimi i tretë i tyre dhe së bashku kanë hyrë në një dhomë dhe kanë qëndruar gati 30 minuta. Mirëpo sapo kanë dalë nga ambientet e hotelit, para tyre janë shfaqur shtetasit Altin Dardha dhe Ervin Gjana, të cilët kanë filluar t’i kërkojnë shpjegime dhe të konfliktohen me biznesmenin. Këtij të fundit i kanë kërkuar se nëse nuk jepte 100 mijë euro, atëherë duhet ta merrte për grua ose në të kundërt do t’i vrisnin që të dy. Pas kësaj, ata janë larguar dhe disa ditë më vonë i kanë shkuar në ambientet e biznesit në Kombinat, duke i kërkuar që ti jepte lekët. Pas disa ditë negociatash, biznesmeni ka rënë dakord që të paguajë fillimisht një këst prej 25 mijë euro, por kur ishin takuar së bashku katër autorët e këtij krimi dhe po prisnin ardhjen e Juland Mustafajt, ka ndërhyrë policia e Tiranës, duke i arrestuar në Rrugën e Barrikadave.

 

25-vjeçarja ndryshon dëshminë në gjykatë

lihet në burg, së bashku me tre autorët

Katër të arrestuarit e gjobëvënies 100 mijë euro janë lënë arrest me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por që në fakt asnjëri prej tyre para gjykatës s’ka pranuar krimin. Edhe vetë 25-vjeçarja Raviola Lila, që në deklarimet paraprake kishte treguar gjithçka, në sallën e gjyqit ka pohuar se nuk dinte asnjë gjë rreth asaj që kishte ndodhur. Prokurori Trenova, kishte kërkuar për 25-vjeçaren masën e “Arrestit shtëpiak”, duke marrë parasysh rolin bashkëpunues të saj në fillim të arrestimit si dhe kujdestarinë e fëmijës 3-vjeçar. Mirëpo për shkak se Lila ka ndryshuar thëniet atëherë prokurori i çështjes ka ndryshuar dhe qëndrimin e tij për masën e sigurisë, duke kërkuar lënien në burg të së resë. Pikërisht në këtë moment, Lila ka kërkuar mëshirë nga gjykata, por gjithçka ishte vonë, pasi qëndrimi i akuzës tashmë ishte dhënë. Ndërkohë, i njëjti vendim është marrë edhe për tre shtetasit e tjerë: Altin Dardha, Ervin Gjana dhe Rustem Koçi, të cilët janë lënë në burg. Gjatë zhvillimit të masës së sigurimit ata s’kanë pohuar asnjë fjalë rreth krimit, duke pohuar se nuk kishin lidhje aspak me këtë çështje kriminale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency