PS tërhiqet nga dy ligjet, mban kusht Gjykatë e Lartë

0
391

Florenc Drizari

 

Subashi: Jo të tria ligjet janë të lidhura me çështjen e Qarkut të Fierit

Partia Socialiste tërhiqet nga vendimi për të kushtëzuar votën e saj për tri nismat ligjore që janë vënë kusht për marrjen e statusit nga Brukseli, pa zgjidhur më parë çështjen në Qarkun e Fierit. Një ditë më parë, deputeti i opozitës, Armando Subashi, shpjegoi se jo të tria ligjet janë kusht për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar në këtë qark. Sipas deputetit Subashi, njëkohësisht i zgjedhur i kësaj force politike në Qarkun e Fierit, projektligji për statusin e nëpunësit civil dhe reforma parlamentare nuk janë kusht për Qarkun e Fierit. Për herë të parë opozita, që pas ngërçit politik të krijuar me mazhorancën për votimin e tri ligjeve të integrimit, duke e kushtëzuar votën e saj me zgjidhjen e çështjes së “Fierit”, ka ndryshuar qëndrim, duke vënë si kusht vetëm voton kundër projektligjit për Gjykatën e Lartë.

Tërheqja për 2 ligjet

Deputeti i Partisë Socialiste deklaroi se PS ishte e gatshme të jepte votën e saj në seancën e djeshme parlamentare për projektligjin e nëpunësit civil, por drafti nuk është ende gati nga mazhoranca. “Së pari, duam të bëjmë një sqarim. Jo të tria ligjet janë të lidhura me çështjen e Qarkut të Fierit. Ligji për statusin e nëpunësit civil është një ligj që nuk ka ardhur në Parlament. Ne e kemi ngritur, madje edhe sot ishim të gatshëm, ju e dëgjuat i thamë edhe Kryetares hajde ta votojmë ligjin për statusin, por nuk e kanë. Ligji ka qenë në Komision të Ligjeve, Komisioni i Ligjeve ia ka kthyer qeverisë për t’u ripunuar dhe ende nga qeveria nuk është ripunuar dhe nuk ka ardhur sërish që Parlamenti ta votojë”, – tha Subashi. Lidhur me votimin e reformës parlamentare, deputeti Subashi deklaroi se as ky projektligj nuk ka lidhje me ngërçin e krijuar në Qarkun e Fierit, por pa bërë të ditur nëse opozita do ta votojë apo jo këtë rregullore.

Kushti – Gjykata e Lartë

Edhe pse Partia Socialiste u tërhoq nga mosvotimi i dy nismave të tjera ligjore për të cilën kishte kushtëzuar votën e saj në disa seanca parlamentare (projektligji për nëpunësin civil dhe pregullorja e Parlamentit), projektligji për Gjykatën e Lartë vazhdon të mbetet një kusht i opozitës për zgjidhjen e ngërçit të krijuar në Qarkun e Fierit. I vetmi ligj që ka lidhje me çështjen e Qarkut të Fierit është ligji për Gjykatën e Lartë dhe që këtu ka një lidhje logjike, sipas deputetit Armando Subashi, që i referohet zbatimit të vendimeve gjyqësore në këtë qark. “Nëse flasim dhe duam që të bëjmë një ligj që të përmirësojmë sistemin gjyqësor, duke filluar nga piramida që është Gjykata e Lartë, atëherë le të japim të gjithë një shembull që përpara se të mendojmë për ta përmirësuar, jemi të gjithë të gatshëm që të respektojmë dhe të zbatojmë vendimet e asaj gjykate. Ndryshe për çfarë na duhet? Ja e miratuam atë ligj, në letër e bëmë edhe më të mirë Gjykatën e Lartë, kur vjen puna në praktikë vendimet e saj i hedhim në kosh, i injorojmë, nuk i njohim. Atëherë ç’vlerë ka kjo gjë, nëse ne duam që të përmirësojmë realisht jo vetëm ligjet, por edhe funksionimin e institucioneve, të përmirësojmë realisht funksionim e shtetit të së drejtës dhe të shtyjmë demokracinë përpara?!”, – tha Subashi.

Çështja “Ndreko”
Tërheqja e padisë pak ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier nga përfaqësuesi socialist Vangjel Ndreko vazhdon shkaktojë reagime të ndryshme mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas demokratëve, asnjë vendim gjykate nuk ia lë postin e kryetarit të Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndrekos. Madje, vendimi i disa muajve më parë i Gjykatës së Lartë, ku mbështeten socialistët, sipas Edi Palokës, kërkon shqyrtimin në themel të çështjes, shqyrtim nga i cili PS u tërhoq. “Asnjë vendim nuk ka në favor të zotit Ndreka dhe ju jeni dezinformuar nga deputetë të partisë Socialiste. Deri tani ka disa vendime gjykate që asnjëri nuk është për çështjen në themel. I vetmi vendim direkt në gjykatë është ai që lë kryetar të qarkut përfaqësuesin e Partisë Demokratike”, – u shpreh Paloka. Ndërkohë, deputeti socialist Armando Subashi tha se gjykata i ka rikthyer mandatin 11 këshilltarëve të majtë, duke e bërë të paligjshëm mbledhjen e prefektit në 14 nëntor dhe si rrjedhojë dhe shkarkimin e Ndrekos. “Nga 56 që kanë qenë të pranishëm minus 11, llogaria bëhet vetë, 45 anëtarë me mandat të ligjshëm, që kanë marrë pjesë në atë mbledhje, ndërkohë që, kuorumi që mbledhja të konsiderohet e ligjshme duhet të ishte 49. Kryeministri sot ka mbi tavolinë vendimet gjyqësore, që sipas të cilave, 11 këshilltarë të majtë duhet të ulen në karrigen e vetë. Nëse zgjidh këtë, çështja e qarkut të Fierit është e zgjidhur për ne. Ne nuk jemi tërhequr nga çështja e qarkut të Fierit”, – deklaroi deputeti socialit Armando Subashi.

 

Votimi në Parlament

– Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin shtesë për përgjegjësi dhe dëmshpërblim të Protokollit të Kartagjenës për Biosigurinë të Konventës të Biodiversitetit”

106 pro             

0 kundër

0 abstenim

– Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Nagojës “Për aksesin në birimet gjenetike dhe ndarjen e drejtë e të barabartë të përfitimeve që lindin nga përdorimi i tyre”, të Konventës së biodiversitetit “Për larminë biologjike”.

111 pro

0 kundër

0 abstenim

– Projektligji “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes” (Vazhdon shqyrtimi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare).

– Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9157, datë 4.12.2003, “Për përgjimin e telekomunikimeve”, të ndryshuar. – Vazhdon diskutimi në Komisionin e Sigurisë.

– Projektligji “Për nëpunësin civil”. – Ndodhet prej disa javësh në axhendën e Kuvendit të Shqipërisë

– Shqyrtimi i propozimeve të reformës parlamentare. (Projektvendimi “Për shtesa dhe ndryshime në rregulloren e Kuvendit” si dhe projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i deputetit”, i ndryshuar”). – ndodhet prej disa javësh në axhendën e Kuvendit në pritje për votim.

– Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. – Për votim

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency