Mesatarja duhet të jetë jo më pak se 8
Kusht, provimi i anglishtes
Doktoraturat këtë vit do të jenë me kushte më të vështira se një vit më parë. Sipas Ministrisë së Arsimit, përveç përzgjedhjes së profesorëve që do të marrin përsipër doktorantët, do të ketë dhe verifikime për çdo kandidat. “Punimet e të gjithë doktorantëve do të kalojnë në një komision të veçantë, i cili do të verifikojë çdo punim. Vitet e fundit kemi pasur punime të cilat kanë qenë të kopjuara ose kanë marrë idenë nga dikush dhe vetëm kanë ndryshuar fjalët. Këto lloj punimesh nuk do të pranohen, madje do të kemi dhe dënime për këta kandidatë”, – theksojnë burime pranë Ministrisë së Arsimit. Kriteri kryesor për çdo kandidat mbetet mesatarja, e cila duhet të jetë jo më pak se 8 për studimet “Master Shkencor”, po kështu edhe për studimet 4-vjeçare. Mbrojtja e gjuhës do të jetë kushti i dytë për çdo doktorant, i cili duhet të ketë certifikatë në një nga programet TOEFL ose TOEC.
Kriteret
-Të ketë realizuar si autor i parë, së paku, tri referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat dy referime ose paraqitje duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare, në një vend të zhvilluar (simpozium, konferencë, kongres), të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuara me kod ISBN-je. Lista e shteteve, në të cilat veprimtaritë shkencore ndërkombëtare dhe referimet e mbajtura ose paraqitjet (poster) shkencore do të njihen, miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, me propozim të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe Konferencës së Rektorëve.
-Të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku dy prej artikujve duhet të jenë botuar ose pranuar për botim në revista shkencore të njohura perëndimore;
-Të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të fakultetit disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuara nga udhëheqësi shkencor. Struktura e disertacionit dhe e përmbledhjes së tij përcaktohen në rregulloren e studimeve të doktoratës;
-Të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Dokumentet
Kërkesa e kandidatit drejtuar Këshillit të Profesorëve
CV personale dhe bibliografia e punimeve shkencore dhe fotokopjet e tyre
Diplomë e shkollës së lartë dhe lista e notave (fotokopje e noterizuar)
Diplomë e DIND, DND, MsC (fotokopje e noterizuar) dhe lista përkatëse e notave
Fotokopje e pasaportës ose kartës së identitetit
Dy fotografi
Dy referenca nga persona me titull akademik
Një deklaratë që pranon të shlyejë detyrimet financiare të këtyre studimeve
Dëshmi e gjuhës së huaj (fotokopje e noterizuar)
Vërtetim nga qendra e punës, nëse është i punësuar (ose deklaratë noteriale)
Mandat për tarifën e aplikimit për konkurrim, prej 2000 lekësh
Dëshmi penaliteti