Kalivaçi, u mbars mali e polli një mi!

0
1463

Investimet në pajisje e makineri janë kryer në masën e 1.5 milionë lekëve, ndërkohë që vlera totale e përfshirë në kontratë është 129 milionë euro

Inspektimet e Ministrisë së Ekonomisë konstatojnë shkelje. Ja relacionet e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për HEC-in e Kalivaçit

Blendi Hasani

Disa muaj më parë, një ekip i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) kreu monitorimin në terren të punës së kryer nga koncesionari italian për ndërtimin e një prej veprave madhore të hidroenergjetikës shqiptare, HEC-it të Kalivaçit mbi lumin Vjosë. Të paktën, për nga projekti, kjo vepër është me të vërtetë serioze. Por, ekipi, i nisur nga ky institucion i ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka nxjerrë në pah disa konstatime tepër negative, që hedhin dritë mbi mungesën e seriozitetit të investitorit.

Kontrolli

Në relacionin teknik të datës 13 mars të këtij viti, pas kontrollit të kryer në objektin në fjalë nga grupi i punës, thuhet se që nga prilli i vitit 2011 në këtë objekt nuk kishte lëvizur asgjë. Pra, punimet u konstatua se ishin po ato që ishin parë edhe në monitorimin në terren, të kryer një vit më parë. Më tej: dy fashat e pjesës më të rëndësishme të HEC-it – digës – rezultonin të dëmtuara në pjesën e brendshme të lumit, për shkak të prurjeve të mëdha, ndërkohë që nuk kishte asnjë shenjë të fillimit të betonimeve. Megjithëse kishte filluar puna për riprofilimin e skarpateve, që kishin rrëshqitur në krahun e tunelit të devijimit, në momentin e monitorimit nuk po kryhej asnjë punim. Ura e ndërtuar më parë për të kaluar në anën tjetër të lumit ishte prishur dhe kishte dalë jashtë funksionimi, kështu që tani koncesionari po rinegocionte për zgjidhjen përfundimtare të një ure të re. Ura rezultonte e mbuluar nga uji dhe nuk ishte madje e dallueshme me sy se ku ndodhej.

Punimet e parealizuara renditen si më poshtë vijon:

  • Për para-digën e planifikuar deri në kuotën 94 metra, ishte depozituar vetëm një pjesë e materialit
  • Perdja e çimentimit të fashës së majtë, fashës së djathtë dhe seksionit qendror të digës ende nuk kishte filluar
  • Nuk ishte realizuar ngritja e fashave të majtë dhe të djathtë deri në kuotën 96 metra, sipas planifikimit në grafikun e punimeve, por në kuadër të mbushjes së trupit të digës, fasha e majtë ka arritur në 87 metra dhe ajo e djathtë në kuotën e 81 metrave. Praktikisht, në atë periudhë duhej të kishte përfunduar gjithçka.
  • Po kështu, nuk kishte përfunduar ekrani i betonit për faqen e majtë dhe të djathtë të digës
  • Nuk kishte nisur fare betonimi i pjesës kapërderdhëse (tramplina, muret, traversa dhe kanali ndihmës), të planifikuar për t’u përfunduar
  • Nuk ishte realizuar kompletimi i seksionit standard të devijimit, ku përfshihet vepra e marrjes, pjesa qendrore dhe ajo e largimit
  • Nuk kishin përfunduar punimet civile në veprën e marrjes, në dhomën e manovrimit, kullë dhe urën hyrëse në këtë vepër. Kjo punë, sipas grafikut, duhej të kishte mbaruar në këtë kohë
  • Nuk ishte realizuar vendosja e dy tubave të përforcuar dhe zgara e veprës së marrjes.

Veç këtyre hollësive, ajo që i përmbledh të gjitha në një konkluzion të vetëm negativ, është konstatimi se: Në këtë periudhë, duhej të kishte përfunduar ndërtimi i HEC-it të Kalivaçit. Një gjë e tillë nuk është kryer as sot e kësaj dite.
Këto konstatohen këtë vit. Por ekipi thekson se koncesionari ka paraqitur situacione të punimeve të ndërtimit që kanë datën 30 tetor 2009! Shoqëria nuk raporton asnjë lloj punimi ndërtimor më vonë se kjo datë. Po kështu, ekipit të AKBN-së i janë paraqitur libreza të masave të objektit, të panënshkruara nga mbikëqyrësi i punimeve, duke mos mundësuar krahasimin e situacioneve me preventivin e punimeve.
Sa më sipër, është vënë në dijeni ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës më datë 14 qershor 2012.
Por, monitorime të kësaj vepre hidroenergjetike janë bërë edhe vite më parë. Rezultati? Gati njësoj!

Precedenti

Në shkurt të vitit 2008, kreu i AKBN-së informonte ministrin Ruli se iu kërkua shoqërisë ndërtuese të vinte në dispozicion dokumentacionin për gjithë punimet e kryera, pagat, shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit, por në përgjigje u dha vetëm një dokumentacion që tregonte realizim punimesh në vlerë, pa asnjë hollësi tjetër. Kryetari i atëhershëm i AKBN-së kërkonte mbështetje nga autoriteti i ministrit për të vazhduar kontrollin më tej.
Ndërkohë, e njëjta agjenci konstaton më datë 25 tetor të vitit të kaluar se akti i piketimit, që duhej të hartohej para fillimit të ndërtimeve, e që të ishte një material grafik, i shoqëruar edhe nga një proces-verbal, në fakt ishte thjesht një vizatim, por mungonin pozicionet me koordinata e kuota të të gjithë objekteve të veprës siç do të ndërtohen, ku të specifikohej edhe kuota maksimale në biefin e sipërm dhe ajo minimale në biefin e poshtëm. Po kështu, raporti i mbikëqyrësit për punimet e realizuara nuk ishte firmosur e as vulosur nga dikush dhe nuk kishte një situacion përkatës. Po kështu, matjet e prurjeve 30-vjeçare, ato të katër viteve të ndërtimit apo verifikimi i seksioneve efektive dhe kapacitetit të devijimeve ekzistuese nuk ishin të nënshkruara, për disa matje nuk kishte fare vlera.
Fakti më i rëndë nga të gjitha këto konstatime të AKBN-së duket se është ai që – duke iu referuar bilancit financiar të kompanisë të vitit 2009 – investimet në pajisje e makineri janë kryer në masën e 1.5 milionë lekëve, ndërkohë që vlera totale e përfshirë në kontratë është… 129 milionë euro! Ndërkohë, dokumentacioni ishte i pashoqëruar me fatura tatimore, situacione të punimeve, madje edhe deklarata doganore për zhdoganimin e pajisjeve të importuara.

Investimi

Në muajin prill 2010, në HEC-in e Kalivaçit në ndërtim e sipër, 50 studentë të hidroenergjetikës të Universitetit të Tiranës, me pedagogun Zenun Murataj në krye, kanë shkuar për të marrë përvojë lidhur me atë se si realizohen projektet në praktikë. Ky fakt është pasqyruar nga disa media. Më tej, asnjë media nuk tha se me ç’përshtypje u larguan studentët nga vendi, që u ishte servirur si kantieri i një vepre gjigante. Sigurisht, atyre nuk iu është thënë në asnjë moment se leja për fillimin e ndërtimeve ishte marrë në vitin 1997 dhe aktualisht në këtë kantier vetëm HEC nuk ka. Ndërkohë që dy HEC-et në Ashtë të Shkodrës filluan dhe mbaruar në kohën e duhur, pa asnjë problem dhe tanimë janë lidhur me rrjetin e transmetimit elektroenergjetik shqiptar, në një kohë kur vendi gjithnjë e më shumë ka nevojë për energji.
Ideja e ndërtimit të HEC-eve me koncesion është shumë e mirë, por ajo duhet të bjerë në duar të sigurta. Ndryshe, projektet zvarriten pafundësisht, siç po ndodh në këtë rast dhe fjala nuk është për një objekt dosido!
HEC-i i Kalivaçit është planifikuar të ndërtohet mbi lumin e Vjosës, ku për herë të parë ngrihet një vepër hidroenergjetike. Projekti është për një hidrocentral me rezervuar, me volum të përgjithshëm prej 350 milia metrash kub, volum të dobishëm në masën 215 milionë metra kub, që do të krijohej nga ndërtimi i një dige me mbushje me gurë dhe me një ekran të papërshkueshëm betonarmeje. 6.710 kilometra katrorë do të zinte baseni ujëmbledhës në një vend me sipërfaqe të kufizuar si Shqipëria dhe prurjet mesatare ujore pritej të ishin në masën 149 metra kub ujë në sekondë. Plotat mund të ishin 5.000 metra kub/sekondë një herë në 1.000 vjet dhe 6.240 metra kub/sekondë një herë në 10.000 vjet. Kurora e digës është planifikuar në lartësinë 115.5 metra mbi nivelin e detit dhe niveli normal i rezervuarit parashikohet në 110 metra. Lartësia maksimale e digës, sipas projektit, është parashikuar në kuotën 49 metra mbi nivelin e detit.

Afatet

HEC-i u planifikua për t’u ndërtuar në tre vjet, me fondet e koncesionarit, pra jo nga buxheti i shtetit. Ai duhej të kishte mbaruar që në vitin 2011, por ende nuk duket asnjë shenjë përfundimi. Në të kundërt, vijojnë ecejaket në prokurori e gjykata të koncesionarit e të nënkontraktorëve të pajtuar prek tij, që janë ndryshuar në vite. Do të jepej 10 për qind e energjisë së prodhuar në favor të shtetit shqiptar dhe pjesa tjetër do të shkonte për shitje, brenda apo jashtë vendit, si e drejtë e koncesionarit. Vepra do të ishte e para e këtij lloji që prej vitit 1986, kur hyri në punë HEC-i i Komanit, por në fakt u parapri nga ai i Ashtës.

Angazhimet

Me këto ritme punimi, duket tepër absurd fakti që sipërmarrësi Becchetti, i cili ka marrë përsipër realizimin e veprës, të shfaqë interes për të ndërtuar vepra të tilla të tjera mbi kaskadën e ardhshme të Vjosës. Ai e ka shfaqur këtë interes më parë. Po kështu, ai është paraqitur në vitin 2009 në Romë, gjatë samitit të G8-ës për energjinë, për të paraqitur botërisht projektin që po realizon në Shqipëri, duke kërkuar bashkëpunim nga kompani të sektorit.
Do të ishte shumë më e ndershme që investitori të paraqitej botërisht me një objekt të përfunduar, por kjo ditë duket ende e largët. Ndërkohë, “yjet rrinë e vështrojnë” një urë të mbytur nga lumi, një investitor që shkon nga njeri breg i Vjosës tek tjetri me një varkë, një digë të filluar e të pambaruar dhe shqiptarëve u mohohet e drejta e realizueshme për të qenë një superfuqi rajonale energjie.

E njëjta agjenci konstaton më datë 25 tetor të vitit të kaluar se akti i piketimit, që duhej të hartohej para fillimit të ndërtimeve, e që të ishte një material grafik, i shoqëruar edhe nga një procesverbal, në fakt ishte thjesht një vizatim, por mungonin pozicionet me koordinata e kuota të të gjithë objekteve të veprës siç do të ndërtohen, ku të specifikohej edhe kuota maksimale në biefin e sipërm dhe ajo minimale në biefin e poshtëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency