Kalivaçi, investime të huaja në formë piramidale?

0
771

Kalvari i Becchetti-t, nga mungesa e punimeve për HEC-in, deri te gjyqet me kontraktorët apo dhe investitorët si “Deutsche Bank”

Blendi Hasani

Më 15 tetor të këtij viti, lexuesit e një gazete që shpërndahet falas kanë hasur në një fotografi, të cilën askush nuk e kupton që është e falsifikuar, veç atyre që njohin personin e paraqitur në të. Aty paraqitet një tribunë VIP stadium, gjatë një ndeshjeje futbolli, ku dy nga personat e paraqitur janë shumë të tërhequr nga loja, ndryshe nga i treti, i cili është përqendruar në objektivin e fotografit. Kjo nuk është foto origjinale. Personi që është “ngjitur” në të është një nga ish-administratorët e kompanisë BEG spa, Ardi Kollçaku, dhe kjo “ngjitje” është bërë me qëllim që dikush ta shohë atë shumë pranë një personi tjetër VIP shqiptar, që nuk është tjetër, veç ministrit të Financave Ridvan Bode, edhe ai spektator në këtë ndeshje futbolli. Teknologjia e sotme ta lejon ta bësh këtë, por një gjë e tillë mund të gëlltitet nga syleshët, pasi në atë stadium ka pasur edhe persona të tjerë, që e dinë se si qëndron e vërteta.

Shtrohet pyetja: Për çfarë arsyeje një investitor italian kërkon të hiqet me anë të një mashtrimi se një njeri i trj qëndron pranë kreut të Financave shqiptare?

Përgjigja qëndron në një skemë të tërë piramidale, që është ngritur në Shqipëri, prapa së cilës qëndrojnë administratorët e kësaj kompanie, Becchetti dhe Cerroni, të cilët kanë marrë përsipër të ndërtojnë një hidrocentral të përmasave serioze në vendin tonë, por në fakt po e përdorin lejen e dhënë që në vitin 1997 për këtë qëllim nga qeveritë shqiptare për punë të tjera. Në fakt, kompania italiane aktualisht ndodhet në një seri gjyqesh, në Shqipëri e Itali, për përplasje me investitorë të tjerë, ndër të cilët edhe Deutsche Bank, apo gjiganti ENEL i energjisë elektrike, të gjithë të tërhequr dikur në një vepër që konsiderohej serioze, por të cilën duket se e kanë përdorur për qëllime të tjera, veç atij të biznesit. Ndryshe nuk do të shpjegohej pse ky HEC, në kushtet e kërkesës gjithnjë në rritje për energji elektrike në vend dhe në rajon, ka zënë ujët e lumit të Vjosës, si një kuçedër, dhe nuk lëshon vend as për ata që duan vërtet ta kthejnë potencialin hidrik të këtij lumi të pashfrytëzuar deri tani në energji.
Fakt është që në vitin 2009, pas 12 vjetësh punimesh me pikatore, kompania ka ndërprerë fare punimet për ndërtimin e kësaj vepre hidroenergjetike, për t’u hedhur në fushën e gjyqeve pa fund me kompani nënkontraktore, të cilat kërkojnë pagesën e munguar për punimet e kryera. Llogaritë e munguara vërtiten në disa milionë euro.
Skema e përdorur nga Becchetti për të mjelë Shqipërinë fillon të sqarohet, po të mbahet parasysh se, dy vjet para se të kërkonte licencën, ajo është themeluar. Pra, nuk ka një CV në fushën e investimeve. Kapitali ishte deklaruar në vitin 1995 në vlerën e 1 milionë eurove, pra të paguara ishin vetëm 340 mijë euro. Një kompani e tillë, që mund të krijohet nga kushdo, nuk mund të përmbushë asnjë nga kriteret që kërkohen për ndërtues për vepra të tilla, me prodhim 350 milionë kilovat/orë në vit. Kompanitë që erdhën në Shkodër dhe ndërtuan brenda afateve HEC-in e Ashtës, subjekte norvegjeze e austriake me emër, kanë kapacitete financiare teknike të pakrahasueshme me këtë operator të padëgjuar, të cilit qeveria shqiptare i ka besuar një vepër shumë të madhe.
Dielli duket që në mëngjes, thotë një fjalë e urtë. Kushdo që ka sy, mund të ketë parë se për tre vjet rresht, deri në vitin 2000, kjo kompani nuk hodhi asnjë lopatë të vetme dhe, nuk nguli asnjë kazmë në territorin e objektit, ndërkohë që qëllimi i vërtetë u ravijëzua kur Këshilli i Ministrave lejoi që koncesionari të transferonte të drejtën e tij tek operatorë të tjerë. Me sa duket, ky ishte edhe synimi i pronarit të kësaj kompanie liliput. Ky ishte edhe një pranim de facto i pamundësisë së Becchettit për të ndërtuar HEC-in, madje një hedhje drite se objektivi ka qenë ky, që përpara se ai të kërkonte lejen koncesionare. Pra, një subjekt arrin të marrë licencën, duke u hedhur hi syve qeveritarëve naivë e të korruptuar shqiptarë, për të shkuar me të në dorë më pas nëpër banka e kompani të tjera të mëdha, duke u kërkuar bashkëpunim, falë një ekskluziviteti. Ai për këtë hedh pak euro, dhe fitimi do të ndahet me kompaninë realizuese.
Kur bëhet fjala për kontraktorë të tillë si ENEL në Itali apo Deutsche Bank në Gjermani, çdo gjë është e sigurt. Të bindur se ndërtimi i një objekti energjetik në Shqipëri është diçka me shumë leverdi edhe këta dinozaur të financave të eurozonës u hodhën në veprim. Por, çdo gjë mbaroi, kur u zbulua nga ana e tyre se BEG-u nuk ishte as një qehaja fshati, por thjesht një sekse në vështirësi për të siguruar paratë për ata që merrte si kontraktorë. Një gjë të tillë nuk e toleron njeri në Evropë. Deutsche Bank arriti deri aty sa të pranonte të ishte aksionere me Becchettin për 45 për qind të aksioneve, në një shoqëri me kapital të përbashkët financiar 15 milionë euro, që ky i fundit nuk mund t’i kishte. Sipas kontratës së ndryshuar, prodhimi duhej të fillonte në vitin 2005, por edhe gati tetë vjet pas kësaj asgjë nuk po ndodh. Banka e madhe gjermane, pasi e ka kuptuar skemën, është tërhequr prej saj. Pala italiane ofronte aksionet e saj si vlerë të paguar në natyrë, ku përfshihej vlera e vetë koncensionit një vlerë financiare, projekti i papërfunduar, një autoveturë “Nissan” dhe disa pajisje të vogla zyre, por nga kjo duhej të ishin zbritur me kohë edhe borxhe të papaguara ndaj të tretëve. Në fakt, në këtë periudhë angazhohen në punë si nënkontraktorë edhe tri kompani shqiptare, të njohura në fushën e ndërtimeve të mëdha civile, që duhej të ishin paguar me milionat e bankës gjermane. Por, kur kjo e kuptoi se me kë kishte të bënte dhe u tërhoq nga financimi, Becchetti nuk kishte se me çfarë t’i paguante dhe gjithçka mbeti në vend. Punimet e kryera po prishen nag agjentët atmosferikë dhe prurjet dimërore të Vjosës, ndërkohë që HEC-i nuk ndërtohet. Kësaj situate i shtohen disa milionë borxhe, që italianët u detyrohen kompanive shqiptare.
Koncesionari me kalimin e kohës ka kryer një seri veprimesh në kundërshtim me ligjin. Pas tërheqjes së gjermanëve nga shoqëria e përbashkët, në mënyrë të dënueshme nga ligji është transferuar kapitali fillestar i gjithi në pagesë në natyrë dhe jo në para. Pra, ky kapital nuk përfaqëson asnjë stok monetar, por vetëm pasuri të vlerësuara nga vetë kompania. Që në këtë moment, koncesioni duhej të ishte hequr dhe t’i jepej dikujt tjetër nga ana e shtetit shqiptar, që nuk kuptohet pse nuk e ka bërë një gjë të tillë deri tani.
Koncesionari mund të mendohet se ka dashur të krijojë vazhdimisht, ndaj shtetit shqiptar dhe ndaj investitorëve potencialë të huaj, idenë e një qendre të madhe investuese që përfaqësonte një grup gjigant financimi, i cili kishte vendosur në kohë lidhje me kompani të mëdha të fushës së financave dhe të infrastrukturës në eurozonë. Ky mashtrim bëhej shumë i besueshëm kur në lojë u përfshi Deutsche Bank. Por, për të njëjtën arsye, gjithë imazhi binte poshtë si një kështjellë prej rëre në momentin që banka gjermane u tërhoq duke i lënë strucit vetëm kokën nën rënë dhe pjesën e trupit jashtë saj.
Ideja e ndërtimit të HEC-eve apo rrugëve me koncesion është shumë frytdhënëse për një shtet. Kjo, pasi paratë nuk jepen nga buxheti i shtetit, por nga kompania realizuese e një vepre dhe kjo e fundit gëzon të drejtën e rifitimit të tyre, bashkë me një fitim përkatës, në vite nga shfrytëzimi i veprës. Kështu, fondet e buxhetit mund të përdoren për qëllime të tjera. Aktualisht, jo vetëm të gjitha HEC-et vendore po jepen në këtë formë, por gradualisht po kalohet edhe në administrimin e rrugëve nacionale apo ndërtimin e segmenteve të rinj me koncesion. Ajo që ka ecur keq në këtë drejtim është se, në vitin 1997 nuk ishte në fuqi një ligj shumë i specifikuar, si ky i përpunuar mirë me të gjitha hollësitë ngë qeveria Berisha, që është në fuqi prej disa vitesh. Kështu, qeveritë e mëparshme kanë bërë një krim të madh duke dhënë një koncesion dikujt, që “sipas mendimit të tyre”do ta realizonte veprën me paratë e veta. Ekonomia e një vendi nuk ndërtohet dot me hamendje, por me analizë të saktë paraprake të aftësive realizuese të një kompanie apo të një koncesionari, të cilit shteti vendos t’i japë një leje të tillë të rëndësishme. Atyre që u është dhënë aktualisht dhe që mbajnë shtrënguar fort një koncesion të pamerituar për ndërtimin e hidrocentralit të madh të Kalivaçit u duhet prerë sa më shpejt mundësia për të shfrytëzuar paaftësinë e qeverive të mëparshme apo naivitetin e qeveritarëve të dikurshëm. Pasuria natyrore nuk mund të kthehet në një piramidë, siç është rasti për të cilin po flasim. Gjykatat, Prokuroria dhe qeveria duhet të marrin çdo masë ligjore që, së pari, të detyrojnë firmën koncesionare të paguajë për të gjitha punimet e kryera dhe, së dyti, në rast se i mungojnë kapitalet, të mos duket më nga këto anë, por të lerë shqiptarët apo subjekte të huaja serioze t’i kryejnë këto punë. Në burimet natyrore të Shqipërisë nuk ka vend për të ndërtuar skema piramidale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency