100-vjetori, Topalli nderon 7 ish-kryeministrat, mungojnë Fino dhe Majko

0
982

Nderohen Fatos Nano, Ilir Meta, Vilson Ahmeti dhe Ylli Bufi, mungoi Aleksandër Meksi

Topalli: Ftojmë atë, që hidhërohet sa herë që populli feston, se kurrë nuk është vonë me kthy rrugë

Florenc Drizari

Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nderoi me aktet e themelimit të shtetit shqiptar ish-kryeministrat e 20 viteve të fundit, figurën e Azem Hajdarit, të Pjetër Arbnorit, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.
Të pranishëm në ceremoninë e organizuar në ambientet e Kuvendit ishin ish-kryeministrat socialist Fatos Nano, Ilir Meta, Ylli Bufi e Vilson Ahmeti, ndërkohë që munguan Aleksandër Meksi, Bashkim Fino dhe Pandeli Majko. Grupi socialist e bojkotoi në tërësi këtë ceremoni, ndërkohë që përjashtim bënin Arben Malaj dhe Kastriot Islami, edhe pse ky i fundit nuk bën më pjesë në radhët e socialistëve. Pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, z. Islami ka qenë shpeshherë pjesëmarrës në evenimentet e organizuara nga Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë, ndërkohë që ra në sy prezenca e ish-ministrit të Financave Arben Malaj, ndryshe nga kolegët e tjerë socialistë. Aktualisht, z. Malaj është përpallur me një sërë debatesh me disa deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste si dhe me kreun e kësaj partie, Edi Rama, lidhur me demokratizimin e brendshëm në parti dhe qëndrimet që duhet të mbaj opozita për votimin e ligjeve të integrimit.

TOPALLIN

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë ceremonisë së shpërndarjen së akteve të themelimit të shtetit për figurat e shquara që kanë dhënë një kontribut në konsolidimin e shtetit shqiptar, tha se në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm është detyrë ti kujtojmë të gjithë, edhe ata që janë kundër integrimit të vendit. “Të nderojmë të nderuarit, të mos harrojmë ata që për më shumë se gjysmë shekulli shtypën popullin e tyre, të falim e të mishërojmë ata që kane humb rrugën… por duhet t’i kujtojmë. E të ftojmë atë, që hidhërohet sa herë që populli feston, se kurrë nuk është vonë me kthy rrugë e të mos pengosh ëndrrën shekullore të këtij populli për të qene pjesë e Evropës. Ne duhet të jemi bashkë në rrugën e Evropës. Sot, këtu, përtej diferencave, përtej partive që i përkasim, ne jemi bashkë, jemi njëlloj, se jemi shqiptarë, për të nderuar historinë tonë, për të kremtu jubileun tonë”, – tha Topalli. Kryeparlamentarja në fjalën e saj vlerësoi edhe kontributin e ish-kryeministrave në këto 20 vite demokraci, duke përfshirë edhe figurat e Aleksandër Meksit, Azem Hajdarit, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. “Sot nderojmë ish-kryeministrat e vendit tonë gjatë këtyre 20 viteve në Shqipëri. Sot përkulemi me nderim për heronjtë e Kosovës, për Gandin e Ballkanit, Ibrahim Rugova, e për luftëtarin legjendar Adem Jashari. Sot kujtojmë e nderojmë Mandelën shqiptar Pjetër Arbnorin dhe liderin e lëvizjes studentore Azem Hajdari. Sot aktivitetin e kam disi të veçante se dua t’i jap mirënjohje ish kryeministrave të 20 viteve të fundit, se siç ka thënë njëri prej tyre ata janë pjesë e historisë”, – tha Topalli.

CEREMONIA
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë vazhdon shpërndarjen e akteve të themelimit të shtetit për figura të shquara, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në konsolidimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Një ditë më parë Kryeparlamentarja i dhuroi aktet e themelimit të shtetit ish-kryeministrave që pas viteve 1990 e në vijim, duke filluar me ish-kryeministrin Fatos Nano. Në fillim të ceremonisë Kryeparlamentarja Topalli ftoi z. Nano të ngrihej në skenën e improvizuar në ambientet e Kuvendit dhe pas leximit të kualifikimeve profesionale dhe veprimtarisë së tij politike, i dhuroi tri aktet e themelimit të shtetit shqiptar. Mes tyre nuk pati asnjë deklaratë zyrtare, por vetëm shtrëngim duarsh. Ndërkohë që, kjo praktikë u ndoq edhe për ish-kryeministrat e tjerë të pranishëm në këtë ceremoni. Dhurimi i akteve të themelimit të shtetit u bë sipas kronologjisë kohore në të cilën ish-kryeministrat kanë qenë në detyre ku pas z. Nano, u nderua Ylli Bufi dhe Vilson Ahmeti. Më pas, ish-kryeministri i radhës Aleksandër Meksi mungoi në ceremoni dhe gjatë prezantimit të jetëshkrimit të tij, Kryeparlamentarja komentoi duke thënë se “do t’ia dërgoj në shtëpi” (aktet e themelimit të shtetit). Pas ish-kryeministrit Meksi, i erdhi radha tre ish-kryeministrave socialistë, Bashkim Finos, Ilir Metës dhe Pandeli Majkos. Ish-kryeministri Meta, njëkohësisht edhe kryetar i LSI-së, iu bashkua ftesës së Kryeparlamentares Topalli, ndërkohë që dy figurat e larta drejtuese të PS-së munguan. Për Bashkim Finon dhe Pandeli Majkon, zonja Topalli deklaroi se do t’ua dorëzojë në zyrë tri aktet e themelimit të shtetit.

Fatos Nano (1952-)

Lider historik i së majtës. Katër herë Kryeministër. Lider historik i së majtës në Shqipëri, themelues dhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Bëri përpjekje për të reformuar Partinë e Punës në një parti të majtë evropiane. Gjatë lidershipit të tij, Partia Socialiste, si rezultat i reformave u anëtarësua në familjen e partive të majta. U diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës në vitin 1974, punoi si ekonomist. Filloi karrierën politike në dhjetor të 1990-ës, ku u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Në janar të vitit 1991 u caktua zëvendëskryeministër, në qeverinë e Adil Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991 u emërua Kryeministër i qeverisë transitore. Pas zgjedhjeve, me 31 mars 1991, Nano u caktua përsëri Kryeministër. Qeveria e tij nuk zgjati shumë, ai dha dorëheqjen pas pak javësh. Kongresi i 10-të i Partisë së Punës i mbajtur në qershor të të njëjtit vit, ndryshoi emrin nga Partia e Punës në Parti Socialiste, dhe zgjodhi Fatos Nanon si kryetar të Partisë Socialiste me 12 qershor të vitit 1991. Pas daljes nga burgu, në vitin 1997 u zgjodh për të tretën herë Kryeministër. Në vitin 2003 zgjidhet për herë të katërt Kryeministër. Në 2005 Partia Socialiste humb zgjedhjet. Fatos Nano jep dorëheqjen si kryetar i saj. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1991-2009.

Ylli Bufi (1948-)

Deputet, ministër, nënkryetar Parlamenti, Kryeministër. Ylli Bufi është një politikan shqiptar. Në qershor të vitit 1991 zgjidhet ministër i industrisë së lehtë dhe ushqimit. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në vitin 2009. Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2005-2009, kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë. Anëtar i disa forumeve drejtuese të Partisë Socialiste shqiptare. Ministër Ekonomie në vitin 1997. Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit, qeveri e formuar si rezultat i marrëveshjes midis forcave politike në vend, në maj të vitit 1991. Qeveria e Stabilitetit ishte qeveri me bazë të gjerë dhe ku për herë të parë merrnin pjesë ministra të opozitës, Qeveria e Stabilitetit e nxori vendin nga izolimi i gjatë komunist, duke e bërë Shqipërinë anëtare të disa organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Doktor i shkencave inxhinierike.

Vilson Ahmeti (1951-)

Kryeministër i Shqipërisë në Qeverinë Teknike (1991-1992) dhe ministër në Qeverinë e Stabilitetit (1991). Qeveria Teknike me Kryeministër Vilson Ahmeti, përgatit vendin drejt zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit të vitit 1992. Inxhinier mekanik. Në 1993 u tërhoq nga veprimtaria politike shtetërore.

Aleksandër Meksi (1939-)

Deputet, nënkryetar Kuvendi, Kryeministër. Dy herë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë në vitet 1992-1996; pastaj 1996-1997. Është historian, Profesor. Aleksandër Meksi ishte Kryeministri i parë pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte Kryeministër, vendi bëri reforma të mëdha. Në dhjetor 1990 ishte bashkëthemelues i Partisë Demokratike dhe një nga kontribuuesit kryesorë për organizimin e partisë dhe të programit të saj. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet (1991-2001) dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë (prill 1991 – prill 1992). Arkeolog, studiues.

Bashkim Fino (1962-)

Deputet, ministër, Kryeministër. Me marrëveshjen e marsit 1997 ndërmjet forcave politike ai u emërua nga Presidenti Sali Berisha Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (mars-korrik 1997). Është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë që prej vitit 1997. Ka qenë ministër, anëtar i disa prej kabineteve qeveritare të Partisë Socialiste deri në vitin 2005. Vazhdon të jetë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Ilir META (1970-)

Deputet, ministër, zëvendëskryeministër dhe Kryeministër. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës 1999 – 2002; Në dhjetor të vitit 1990 mori pjesë në Lëvizjen Studentore. Anëtar i Forumeve drejtuese të Partisë Socialiste, Kryetar i FRESSH-it. Në vitin 2003 u shkëput nga Partia Socialiste dhe në shtator 2004 themeloi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim ku u zgjodh Kryetar i saj. Pas vitit 2009 mori detyrën e Ministrit të Jashtëm, Ministër i Ekonomisë dhe Zëvendës Kryeministër. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992.

Pandeli Majko (1967-)

Deputet, ministër, dy herë Kryeministër. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë në periudhën tetor 1998 – tetor 1999. Nga shkurti 2002 – korrik 2002 ishte përsëri Kryeministër. Pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990. Në vitet 1992-1995 ishte kryetar i Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESH). Anëtar i forumeve drejtuese të Partisë Socialiste. Ministër i Mbrojtjes, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Deputet në të gjitha legjislaturat që nga viti 1992.

Azem Hajdari (1963 – 1998)

Lider i Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991. Me një kontribut të veçantë në rrëzimin e regjimit komunist. Disa herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë. U bë i njohur në dhjetor 1990 kur doli në krye të Lëvizjes Studentore dhe qe një nga themeluesit dhe drejtuesit e PD-së. U zgjodh katër herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator të vitit 1997 u plagos në një atentat në sallën e Parlamentit; në shtator 1998 u vra para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë. Kryetar i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Kishte një instinkt politik krejt të veçantë. U diplomua për Filozofi në Universitetin e Tiranës.

Pjetër Arbnori (1935-2006)

Mandela i Shqipërisë, dy herë Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1992-1996 dhe 1996-1997. Veprimtar politik, shkrimtar. Ishte ndër nismëtarët për themelimin e një grupi ilegal socialdemokrat gjatë kohës së komunizmit. Për këtë në vitin 1961 u arrestua dhe u dënua me vdekje. Më vonë dënimi iu kthye në 25 vjet burgim për t’u liruar nga burgu pas 28 vjetësh e 6 muajsh. Lirohet nga burgu pas ndryshimeve te viteve ‘90. Në janar 1990 mori pjesë në demonstratën antikomuniste në Shkodër dhe ishte një ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Anëtar i Forumeve drejtuese të Partisë Demokratike. U zgjodh disa herë deputet në Shkodër. Si deputet në vitet 1991-2001 dhe Kryetar i Kuvendit ka luajtur një rol me rëndësi për konsolidimin e demokracisë dhe për vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërparlamentar me shumë vende. Ka shkruar shumë libra dhe ka përkthyer shumë të tjerë.

Ibrahim Rugova (1944-2006)

Lider i Lëvizjes Paqësore për Pavarësinë e Kosovës. Avokat i rezistencës paqësore. i mbiquajturi “Gandi i Ballkanit”. i vlerësuar me çmimin “Sakarov”, i deklaruar “Hero i Kosovës”. Ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga viti 1992 deri në vitin 2000 dhe përsëri nga viti 2002 deri në 2006. Rugova hyri në politikë në vitin 1989 dhe u bë lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si President, Rugova vazhdoi të mbështeste rrugën paqësore për pavarësi. Rugova për një kohë shumë të gjatë është mbështetur si rrallëkush nga populli shqiptar në Kosovë. Vdiq me 21 janar të vitit 2006. Babai dhe gjyshi i tij u vranë në vitin 1945 nga komunistët jugosllavë. Që në vitin 1968 mori pjesë në protestat e Kosovës. U diplomua në vitin 1971, studioi në Universitetin e Parisit, në vitin 1984 mori titullin “Doktor”. Punoi në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë.

Adem Jashari (1955 – 1988)

Themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar dhe komandant legjendar, hero i Luftës Çlirimtare të popullit të Kosovës. Mori pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe deri në 1989 qëndroi në ilegalitet, duke shpërndarë trakte që bënin thirrje për t’u hedhur në luftë. Në vitin 1990 organizoi grupet e para të armatosura të cilat filluan aksionet kundër policisë serbe. Gjatë viteve 1991-1998 policia serbe i rrethoi disa herë shtëpinë e tij deri sa në mars 1998, familja Jashari luftoi derisa u vranë që të gjithë 21 veta. Kulla e familjes së tij është shndërruar në muze dhe është kthyer në një vend homazhesh të përhershme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency