1952/ Mbledhja e Prishtinës/ As shkodranishtja, as elbasanishtja nuk janë të pushtetshme, përveç gegnishtes letrare

mustafa 1 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Letra e mëposhtme është vijim i numrit të djeshëm që lidhet me mbledhjen e Prishtinës për shqipen e njësuar, ku diskutohej mes kosovarishtes, shkodranishtes dhe elbasanishtes, duke dhënë argumente për qëndrimin ndaj një gegnishteje letrare. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

VENDIMET E MBLEDHJES SË PRISHTINËS

Me 14 dhe 15 nanduer të këtij vjeti u mbajt në Prishtinë nji mbledhje për çashtjet gjuhësore të shqipes. Na këtu po japim rezolucjonin e kësaj mbledhje pa ndonji komentim.

Prej çlirimit e tëhu veprimtarija gjuhësore dhe letrarishtja e pakicave kombëtare shqiptare në RFPJ, e zhvillueme nëpër tekstet shkollore, të përkohshëmet letrare, shtypit e botimit të shumë, ka dhanë, në sajë të mirëkuptimit dhe të zbatimit të vijës së drejtë të politikës për zgjidhjen nacjonale, fryte që na garantojnë nji zhvillim edhe ma të bujshëm, ma t’ardhshëm. Mirëpo gjatë këtij proçesi janë paraqitë disa probleme, që i takojnë njij njajtësimi sa ma të plotë të gjuhës së shkrimit ndër ne. Këto probleme takojnë :

1. Trajtë fjalet

2. Drejtëshkrimi

3. Mungesa e terminave dhe shprehjeve që të çfaqin risinat dhe ngathnjesat në zhvillimin e jetës shoqnore, politike, ekonomike, kulturore në vendin tonë.

Për të ndihmue n’udhëzimin e drejtë të zgjidhjes së këtyne problemevet, me inisjativën e Këshillit për arsim e kulturë të Kosovë – Metohis, janë thirrë një numër ndër gjuhëtarët dhe letrarët shqiptarë të Jugosllavis, që, të mbledhun me 14 nanduer 1952, mbasi ndëgjuen referatin e shokut Idriz Ajetit mbi disa prej problemevet të sipërshënuem dhe mbasi u zhvillue nji diskutim i gjanë mbi gjithë rendin e ditës, mbledhja arrijti në këto përfundime :

Me qenë se pakica kombëtare shqiptare në RFPJ flet nji djalekt të gegënishtes, gjuha e shkrimit ndër ne nuk mund të jetë veçse gegënishtja. Me qenë se n’anën tjetër as shkodranishtja, as elbasanishtja nuk kanë qenë të zojat me u përgjithsue si gjuhë shkrimi për të gjithë gegët, e aq pak mund të përgjithsohet gegënishtja që flitet nga shqiptarët në Jugosllavi, për këto arsyena prej vjetësh po konstatohet prirja e pushtetshëme drejt formimit të nji gegënishteje letrare, në të cilën vijnë e bashkëpunojnë nëngegënishtet e ndryshme simbas kriterit të mënjanimit t’evolutavet partikularishte të nëndialekteve të ndryshëm. Këso dore gjuha e shkrimit e shqiptarëvet të Jugosllavis do të përvetësojë gjithshka ka të përshtatshëm në shkodranishte dhe elbasanishte pa lanë mbas dore mundësinat dhe begatinat e kosovarishtes dhe dibranishtes, dhe madje tue u dhanë këtyne nji shkak të fuqishëm zhvillimi të matejshëm.

Gegënishtja e përdorun ndër ne, në pjesën e saj ma të madhe asht tashma e përcaktueme, si për kah trajta, fjalët, ashtu edhe për kah drejtëshkrimi, siç shifet kryesisht në të përkohshëmen “Jeta e Re”. Prej pikavet ku mbretnon ende nji njajtësi e plotë, ma të randësishmet mbas mendimit t’anë janë këto që vijojnë:

 

1.         Trajta JAM SHKUE, JAM ARDHË e tjera duhet të mënjanohet si nji prodhim i njij evolute partikulariste.

2.         Gjithashtu kosovarizmat PO VIJKA, PO SHKOJKA etj në vend të ARDHKA, SHKUEKA, BLEKA etj. Janë për t’u mënjanue si prodhim i nji evolute partikolariste.

3.         Komisjoni asht i mendimit që trajtat e imperfektit veprues PUNONJE dhe PUNOJSHA të lejohen me u përdorë krahas pëlqimit të shkrimtarit.

4.         Detyrimi i përtardhun : KAM ME PASË vetëm gabimisht mund të përdoret ne vend të kohës së përtardhun (futur) DO TË KEMË.

5.         Komisjoni rekomandon gjithashtu që akordimi logjik, për shembull SHTETET E MËDHEJ të lejohet me u përdorë SHTETET E MËDHA.

6.         Krahas me trajtat LIBËR I SHKRUEM, LETËR E SHKRUEME duhet të përdoren trajtat LIBËR I PASUN, LETËR E NDRYSHUN.

7.         Janë të drejta vetëm trajtat KAM SHKUE, KAM FOLË, KAM NDEJTË etj e jo KAM SHKRUEJTË, KAM FOLUN, KAM NDEJTUN etj.

8.         Përsëritja pleonastike e njij objekti – emën i pashquem, si për shembull : “E bleva pulën” asht gabim. Kur objekti asht emën i shquem, rekomandohet mbajtja e pleonazmit vetëm atëhere kur objekti emën i shquem vjen para foljes, p.sh. LIBRIN E LEXOVA, kështu që mbas kësaj do t’ishte gabim me shkrue : E LEXOVA LIBRIN.

9.         Foljet që n’infinitiv mbarojnë me “YE” dhe me “A”, në vetën e tretë t’aoristit mbarojnë me “U”, p.sh. KTHYE – KTHEU, KËCYE – KËCEU, LA – LAU.

10.       Janë të drejta vetëm orthografinat “mundësi”, kurse I MUNDSHËM, E MUNDSHËME (me fjalë të tjera prej dy ë-ve postonike, që vijnë mbas theksit tonik, e parafundit bje).

11.       Janë të drejta vetëm orthografinat KËNDUE etj.

12.       ME LEVRUE, ME LEVDUE, ME LESHUE janë orthografi të drejta.

13.       Janë të drejta orthografinat : I HAPTË, I LAGTË, I PËRBASHKTË etj. e jo I HAPËT, I LAGËT, I PËRBASHKËT etj.

14.       Janë të drejta orthografinat : I VETËM, E VETËME, PUNË, PUNËTUER, KANGË, KANGËTAR etj.

15.       Me nji shumicë prej pesë kundra katër janë të drejta orthografinat : LIRIS, JUGOSLLAVIS etj. e jo LIRISË etj.

16.       Komisjoni me nji shumicë prej shtatë mbi dy rekomandon drejtëshkrimet e pronorëvet : T’IM, T’AND etj. me apostrof dhe përdorimin e nyjes “I” – “E” në nominativ : p.sh. LIBRI I IM, MOTRA E JOTE etj.

17.       Mbetet për diskutim T’anë e T’ONË për njajsin e mashkullores.

 

PASUNIMI I FJALORIT PARALELISHT ME JETËN SHOQNORE

Për pasunimin e fjalorit kemi këta burime :

1.         Me futë në përdorim kryekrejet fjalët qi gjinden në cilindo djalekt apo nëndjalekt të shqipes. Fjalori i shqipes asht i përbashkët pamvarësisht prej djalektevet. Të folunat popullore do të jenë burim i vazhdueshëm për pasunimin e fjalorit të gegënishtes letrare.

2.         Me ringjallë fjalët dhe shprehjet tashma të harrueme të shkrimtarvet të vjetër.

3.         Prej fjalësh të thjeshta dhe grimcash folore me trajtue fjalë të pathjeshta të reja.

4.         Fjalët e hueja që jemi të detyruem me i përdorë t’i marrim prej burimit origjinal tue ia përshtatë natyrës së gjuhës shqipe.

5.         Për kryemjen e detyrave të përmenduna ma sipër propozojmë krijimin e njij trupi të përhershëm me seli në Prishtinë e i përbamë prej kompetentash i cili do të marrë përsipër si mbledhjen e materjalit të duhun, ashtu edhe ndërlidhjen me të gjith ata që merren me çashtjen gjuhësore. E për t’ia mbërrijtë këtij qëllimi, ky trup duhet të ketë nji aparat dhe nji organ, në të cilin duhet të rrihen e të parashtrohen të gjitha çashtjet gjuhësore.

 

 

Ramleh, 30.I.1953

I dashuni Zef,

Me keqardhje të fortë po marr vesht prej letrës s’ate, së dytës me 9 të k.m., se s’qênke mirë me shëndete. Zoti të shëndoshtë e të forcoftë, se shpresat, të familjevet e t’atdheut, mbi juve të rijt mbështeten.

Ka pak dit qi i kam nisun Ndoit nji letër të gjatë e ajo i përgjigjet edhe pjesës së dytë të letrës s’ate mâ së parës. Prej ksaj së dytës due me bâmë objekt bisedimi vetëm disa pika kryesore e me u marrë mâ tepër me gjuhë se me tjetër.

Përkthimin shqip t’artikullit të Bariqit botuem në Jetën e Re të Prishtinës mbi Ilirët e Shqiptarët po e pres me gzim e falënderim të madh. Kam pasë kënduem edhe studime tjera të Bariqit, ndonse jo shumë, mbi gjuhën shqipe. Ai âsht mjaft i çëmuem si albanolog. A âsht gjallë? Po ky Vojislav Dancetoviqi qi duket se n’universitetin e Beligradit paska zânë vêndin e Bariqit, ky kush qênka? Pa tjetër ka me qênë nji komunist sërb, por po pyes për tê si dijetar.

Do t’a këndoj me ândë të madhe përkthimin e kryeveprës njegoshjane, Gorski Vjenac qi paske bâmë ti vet’i dyti. E kam pasë kënduem edhe origjinalin me atë sërbishte të keqe qi dijshem e e kam lânë edhe atê ndër nja 1000 vllime tjera të biblijothekës s’eme në Tiranë. Ka edhe përkthimin italisht, Il serto della montagna, të bâmë s’dij prej kuj. Kam ndëgjuem tue thânë se Fishta i ynë ka qênë influencuem mjaft prej ksaj vepre në lahutën e Malcisë.

Më ke kënaqun te jet me tekstin e vëndimevet gjuhore të Prishtinës në kuvêndin e arsimtarvet shqiptarë të Jugoslavisë. I kam çëmuem fort ato vëndime në përgjithsí. Disa vrojë të mija po t’i shënoj këtu varg:

Nga 17 pikat e para: s’kuptohet se ç’kanë dashun të thonë në p.2 Ardhka për vijka e shkueka për shkojka mirë; por duket se po dashkan të hjekin atë po përpara kohës së tashme qi i ep ksaj kohe nji shkallzim (nuance, sfumatura) në shqipen t’onë qi s’e ka asnji gjuhë tjetër ndër ato qi njoh un, përveç tyrqishtes. Qe, madje, si paskam bâmë vetë këtu nji shêmbull pa dashun: po dashkan paskam shkruem; mund të kisha thânë fare mirë këtu edhe dashkan pa po. Por më thânë don ase po don janë dý kuptime të ndryshme. Ndoshta ata të kuvêndit kanë dashun të thonë se Kosova ka vetëm trajtën me po në mënyrën e pakujtueshme e jo edhe atê të thjeshtën qi asht e nevojshme. Ke pika 3 nuk marr vesht se ç’i paska shtŷmë me pranuem pranë formës punojsha edhe tosknishten punonje (e drejta punonja), ata qi këtë djalekt e kanë dëbuem kryekëput! Gjithashtu s’kuptohet te p.4 se pse me i a hjekun gegnishtes formën kam me pasun (nuk flasin për kam për të pasun) kur tosknishtja lêhet krejt mbas dore. Vëndimi do t’ishte fare me vênd, jo për ata, por mbas theorisë s’eme qi due të bâhet gjithë ç’âsht e mundun për t’i afruem dý djalektet kryesore (ke për të kënduem Abetarin). Te p.5, arsimtarët e andejshëm duket se nuk e dijkan qi Gegnija mbarë edhe nji pjesë e madhe e Tosknisë thonë male të nalta (të larta) e jo të -të, pra edhe Shtete të mëdha(ja) e jo të mëdhej (mâ e drejta -dhaj; Krutanët -dhoj, m. e -dhó ase -dhoja, f.) Ke p.6 ….letër e ndryshun? Si rregull e marr vesht se ç’kanë dashun të thonë dhe e pëlqej; por te shêmbulli kanë gabuem, sepse nji inf. – part. ndryshun s’ka shqipja. Ke p.7 e kanë ngatrruem lâmshin: forma shkrojtun për shkrue(m) âsht nji rrymë për t’i u vûmë nji pendë e pakapërcyeshme; por me hjekun formën e infinit – participit me -un, s’âsht aspak e drejtë as për gegnishten vetëm (mâ gjatë shih Abetarin). Ke p.8 shihet haptas se nuk e kanë kuptuem rolin e premnit pleonastik në shqipet. Kosovari sigurisht bân nji gabim për Gegët tjerë, kur thotë e kam blemë nji pulë; por as rregulla qi ka dashun të vênë kuvênd’i Prishtinës s’âsht kurrkund në tê. Me thânë e bleva pulën qênka gabim! E si âsht drejt atbotë? Duket se u dashka thânë vetëm pulën e bleva, kurse populli s’bân asnji ndryshim ndërmjet dý frazavet e s’kuptohet se pse do të shtrëngohet me e vorfnuem gjuhën e vet. Mbasandej mbë nj’anë flitet për emën të pashquem e mbë tjetrën sillet për shêmbull pulën, qi âsht emën i shquem. Ke p. 10 diç kanë dashun të thonë shumë me vênd për ë-në, por s’kanë dijtun t’a formulojnë mirë e qartë. Natyrisht un s’e pranoj as pikën 11, siç je tue e kuptuem prej shkrimit të letrave të mija e do t’a shohsh edhe n’Abetarin. Te p. 13, për mue janë të drejta dhe i përdoroj të dyja format, sod për sod kudo e ndoshta nji ditë gjuhtarët mund t’i dallojnë njânën prej tjetrës simbas bashkzânores së fundme të fjalës qi merr atë mbrapashtesë, -të a -ët, për arsye eufonije. Se me thânë qi njâna âsht e drejtë e tjetra jo më duket pa vênd. Jam krejt në kundërshtim me pikën 14. Nji rregull: kudo qi ë-ja e bân theksimin e fjalës me ramë mbi rroken e tretë nga bishti, ajo shlyhet; pra: i vetëm, e vetme dhe jo e vetëme (mund të lêjohen përjashtime për arsye eufonije). Tjetër rregull: çdo ë mbarimtare; pra: bashkpun- e jo bashkëpun-; puntuer e jo punëtuer (mund të pranohen përjashtime e gjithnji për arsye shqiptimi mâ të lehtë). Ke pika 15: Instituti i Studimevet Shqiptare i ka pasë pranuem të dyja format. Un vetë deri te Abetari kam pasë përdorë gjithmonë -ás, -ês, -ís, -ós, -ús, -ýs; prej Albetarit e mbrapa kam pranuem premas -asë, -esë, -isë, -osë, -usë, -ysë. Arsyet, si për këtê ashtu edhe për çdo rregull tjetër gramtikore, tý kam me t’i dhânë vetëm kur të më pyetsh.

Në pjesën e pasunimit të fjalorit, të gjitha parimet i kanë me vênd.

Tash prej letrës s’ate.

ë-në un e kam shtimë nën nji dishiplinë thuejse absolute në systemën t’eme orthografike. Rregullat mâ kryesoret ke me i gjetun n’Abetarin e të Mërguemit. Nja dý t’i dhashë këtu mâ nalt.

Për ethezuem, në je përnjimênd i sigurtë se âsht fjalë Mirdite – le t’i lâmë mbë nj’anë shkrimet – të lutem me më dhânë me tê disa fraza e, kisha me thânë, mbasi të keshë pyetun edhe shokë tjerë qi ke aty. Nuk e harroj kurrë, se ka qênë mësimtar për mue, kur ime shoqe pat përdorë nji herë nji fjalë italishte tue kuvêndue me mue, e kur e qërtova un e pashë se ajo ishte krejt e bindun se kishte përdorë nji fjalë Kruje! Edhe shënoje qi ajo s’ishte nji intelektuale qi kishte lexuem gazeta, revista e libra shqip plot me fjalë të hueja ase neologjizma të sajueme dosido. E saja nuk ishte as nji fjalë italishte qi kishte hŷmë në gjuhën t’onë. Verbet lulzuem e vallzuem kanë zânë vênd tashmâ në letërsinë t’onë e jo keq. Por në qoftë se s’e ka populli, s’më gján se i bâjmë nji shërbim gjuhës tue i a shtuem edhe këtë neologjizmën ethezuem veç për mos me përdorë në vênd të saj nji perifrasë, edhe në mos paçim për tê ndonji frasë popullore. As n’italishtet e në frëngjishtet s’po më kujtohet ndonji verb qi t’i përgjigjet atij. Më duket sikur ti e ke përdorë – se po përtoj me e kënduem rishtas letrën e parë t’ânden për me gjetun frasat – me kuptimin fytyruer t’italishtes agitarsi a smaniare. Na përdorim, gjithmonë fytyrisht, verbin përpushun me këtë kuptim. Mandej, simbas rasës, kemi edhe me u ndezun, me u djegun, me marrë zjarm a flakë. Tekembramja, si neologjizëm kishte me më pëlqyem shumë mâ fort me u zjarmuem, nga zjarmija, se ethezuem.

Qêjt un kisha me i a lânë Shkodrës e me përdorë qênt, mbasi kështu thuhet në gegnishten e poshtër – e deri në Mirditë, si po shoh – e në tosknishten mbarë. Trajtën qêna, ndonse rrallë, e kemi edhe na e gjithashtu si në Kosovë.

Faleminderës për tfillimet mbi fjalën lajle, qi më bâhet se përdoret vetëm në shumsin, apo jo?

Rasën po t’a tfilloj krejt mbushamêndas (kjo neologjizëm më duel tash kot për herë të parë e hama dreq se âsht tue m’a mbushun mênden as mue vetë). Âsht substantiv’i verbit me ramë, sikur vrasë nga vramë. Krahaso (kështu Kruja edhe Kristoforidhi, nga ablativja (krahash, për krahash) tash cas, fr. e caso, it. nga lat. casus prej verbit cadere = me ramë; gjer. Fall, fallen = rasë, me ramë; e deri arab. waka’ah = me ramë, wak’ah = rasë (këndej në shqipet vaki nëpër tyrqishten). Âsht nji kângë qi tingullon: Rashë e vojta…, e na thomi edhe më ra e vojta, dmth. më ra e vojta, dmth. më ndodhi qi vojta (dikur në Mirditë); urim: mâ e ligë mos të raftë (tue u damë prej kuj i kemi qênë për kryet shëndoshë). Rasë ka këto kuptime: caso (edhe me kuptimin gramatikuer); circostanza, occasione (vroj edhe këtu oc – cas – ione). Pse rasa në gojë të …intelektualvet u bâ rast? E para pse jugorët s’e kanë këtë formë substantivi e nuk dijtën me e bâmë rasje sikur e ka pasë përdorë dikur Fan Noli a Faik Konica ase njâni edhe tjetri; e dyta, ndëkim’i tyrqishtes qi ka fjalën rast gati krejt me të njâjtin kuptim.

Struth-i âsht lo struzzo. Thonë se ky shpend i çuditshëm i Afrikës kur kujtohet se âsht tue e ndjekun gjuetari fsheh kryet në rânët… për mos me e pamë! Dikush i a vesh këtë mjeshtrí të hollë thëllânzës, qi e futka kokën në borët.

Javë, për javë, i përjavshëm (mbas rregullës së të ramit t’ë-së për shkak të theksimit), i përjavëshmi (përjashtim nga rregulla – duhej t’ishte i përjavshmi e mund të shkruhet edhe kështu – për shkak të gërmës v qi n’atë vênd, -vshm- kishte me u bâmë gati e pandieshme në shqiptim); e përjavshme ase (për shkak të v -së) e përjavëshme; por i përditshëm, i përditshmi (= i përdiçmi), e përditshme (-çme); kështu si kjo e fundit edhe i përvjetshëm et.; i vetëm, i vetmi, e vetme, e vetmja et. Atje ku shihet nevoja me e lânë nji ë për lehtsi’ shqiptimi mund të lêhet edhe ajo e mbrapashtesës -shëm tue hjekun atê të fjalës rrânjë e, si thashë mâ parë ndër kllapa, mund edhe të mbahemi mbas rregullës tue i shporrë të dyja ë-të e tue i a lânë kënduesit mundën e shqiptimit ase barrën me i a vûmë ë-në vetë në shqiptim ku t’i vijë mâ lehtë atij.

Nxêni mirë këta premna; më, të, i, na, ju, u (tha, thashë); m’u, t’u, i u (aspak gabim e madje fonetikisht mâ drejt edhe ju), na u (fonetikisht ndihet edhe n’u) ju u, u u (vu) bâ se…; m’a, t’a, i a (fonetikisht mâ drejt ja), na a (ase na e), ju a, u a (va) dha.

Toskizmës pikrisht (qi âsht edhe neologjizëm) un rrekem me i ikun, tue përdorë fjalët e popullit mû (para nji fjale qi fillon me zânore mun, si mun atij, mun atje), shi, bash.

Qysh = si; qyshë (qy, çy, që -Toskët- çë, ç’) prej … Jam habitun në Thkellë kur mësova se, tue pyetun për shëndet, burrit i thojshin si e grues qysh je? A âsht kështu edhe në Mirditë?

PYETJE: mamtushë? Shpurdhun? Cingrimë? (Krist. ka cingris zjarmin’ shkrep zjarmin).

Nji gabim i madh (ndër tjera të panumërta) qi âsht në short me zânë rrânjë: jam i kërcnuem mund të thuesh vetëm në qoftë se e përdor kërcnimin si verb transitiv (kalimtar), qi s’âsht. Nuk thomi e kërcnoj, por i kërcnohem.

Shtjelm âsht formë djalektore (Mirditë); duhet shkelm ase shqelm (rrjedh prej verbit shkelë.

PYETJE: reshtem = ndalem? Në Mirditë? Edhe te na thonë me reshtu qênt (me i ndalun kur i turren kuj), por po reshtem nuk e kemi. Sogje e dij prej letërsisë shkodrane, por populli a e ka e ku? Karficë? Me u kërsimë?

Edhe nji herë po flas për kah. I mora vesht fare mirë tfillimet e tua. Por prap se prap më duket qi s’kishte me ecun me mënyrën subjunktive, kah të …., por me tjerat: kah sheh, kah pa, kah po shihte, et. Me gjithë këtê, s’ngul kâmbë, mbasi âsht nji fjalë djalektore e atje ku flitet ndoshta mund t’a përdorin edhe me subjunktive. Në gjuhë kombtare, veç, mendoj se duhet të mbesë vetëm me kuptimin e përgjithshëm, baras me formën tosknishte nga. Un i përdor të dyja këto forma, tue bâmë këtë dallim kuptimi: Kah po shkon? e Nga po vjen? Âsht nji dallim arbitrar, pa dyshim. Por në të tâna gjuhët e botës qi kanë nji historí, kështu kanë ndihmuem synonymat e format e djalekteve të ndryshme për pasunimin e tyne.

PYETJE: “Në rasë se u gjindet vegza…” Kjo fjalë a don të thotë këtu mënyra, mjeti? A ka edhe ndonji kuptim tjetër? Ku përdoret? E rakitën e Kosovës a mundesh me m’a tfilluem? Shumë më ka pëlqyem ajo strofë popullore qi e ka këtë fjalë. A ke mundun të mbledhsh ndopak kângë popullore?

NJI VRÓ: A din se të kam gjetun gabime shqiptimi, a nemose transkriptimi, deri në djalektin t’ând ke letra e parë ku më rrëfejshe gojdhânën për Kastrijotët? Kjo gjâ ndodh te të tânë intelektualët e, përgjithsisht, âsht nji shênj i gzueshëm për përparimin e gjuhës kombtare. Këtu po të përmênd nji formë kosovare: kanë (kânë) ke shkruem, e âsht krejt e drejtë gjuhsisht. Por Kosovari e shqipton, në mos qofsha un vetë i gabuem, jo me â, por me o, konë. Ky nuk âsht nji fenomen vetëm kosovar me e ndërruem a-në hundore me o. Edhe n’Elbasan âsht bâmë mâma momë; se mâ në Tiranë kjo edhe tjera po se po. Këtë kritikë, qi s’âsht kritikë, t’a bâna shi për me të kallzuem këtë fenomen dhe arsyen e reservës s’eme si gjuhtar kundrejt çdo intelektuali në shqiptimin e transkriptimin e saktë të formavet djalektore.

Sa e bukur ajo filosofí mirditore “S’kaa buurr mishi si s’merr m’thue pri shqite sod!” Sod e gjithmonë, besa. A më bâhet mue apo âsht e vërtetë qi Mirdita thotë disi mâ fort “sojd” se “sod”?

Kot sa për ndriçim: na thomi kërcû-ni, kërcûjt në kuptimin lânduer; por gratë t’ona thonë Kërcûna un ç’më gjet! Akcila ka mbetun kërcûnë me duer në gjî. Edhe Toskët kërcu-ri.

Kokla s’ka asnji lidhje me colica, qi vjen prej greqishtes kôlon = zorrë. Fjalën t’onë, qi ndër ne ka kuptimin e bërthamës së vetme e të fortë si asht qi kanë disa pemë si pjeshka e ndër juve paska, shumë bukur, edhe atê të veshkes, atê duhet t’a lidhim me koke, kokërr, koqe e ndoshta edhe me kokë, prej greqishtes kókkos.

PYETJE: shtyllak a âsht tamam fjalë Mirdite? A kishe me mundun ti, makar tue pyetun edhe tjerë aty, me m’i diftuem emnat e secilës farë pishe qi bîjnë ndër bjeshkët t’ona, tue më bâmë edhe përshkrimin e secilës? Un dij këto fjalë: pishë, halë, bre, vgjê (qi ti shkruen me metathesë e me ndërrimin karakteristik të gegnishtes s’epër të gj-së me xh, sikurse edhe të q-së me ç, xhvê); por nuk i njoh këta e nuk jam i sigurtë se cilës fjalë italishte a frëngjishte ase gjermanishte i përgjigjet secila. Në Krujë i thonë pishë secilit drû qi nxier rrëshinë e copave të çame të këtij drûni qi ndizen për dritë; bre e dij se it. âsht abete, fr. sapin e gjerm. Tanne (ajo qi i ka degat të hapta); në qoftë se mundesh me m’i përshkruem, do të shënojsh veçoritë qi dallojnë njânin prej tjetrit. Po të pyes edhe dy emna bimësh qi s’kam mundun kurrqysh deri tash me i gjetun. Njâna âsht nji bimë parasite, bîn ndër degë drûjsh “si lisi e molla” thotë Larousse-i e “bân do kokrra të vogla rrumbullake e të helmueshme’ (Fernando Palazzi). Kam pyetun nji Matjan për tê e më tha se e njihte e se në Mat thânkan për tê se e kanë mbjellë melekt (êngjëjt). E tue më thânë kështu miku i im, m’a mbushi mênden taman se e njihte atë bimë, mbasi un e dij se qyshë n’epokat parahistorike mâ të lashtat i ka qênë veshun nji farë shênjtnije e, edhe sod, popujt e krishtênë e përdorin kërshëndellash për “stolisje urimtare”. It. i thonë vischio, fr. Gui. Emn’i dytë qi më duhet âsht nji farë drûni qi quhet it. betulla (edhe me nji emën tjetër qi s’po më bie ndër mênd), fr. bouleau. Asht nji drû qi rritet mjaft, me lândë të bardhë e të lehtë. Ç’kuptim ka me taman skrapthi? Me mikluem, miklim a i ke prej letërsisë shkodrane apo edhe prej popullit? Po qe se përdoren në Mirditë a në Kosovë kisha me dashun ndonji frasë. E trike ç’âsht? E Loze? E boshtërr? Cupili në ç’punë hŷn? Pavarsisht nga sa shkrova mâ nalt për mirditishten t’ânde (qyr deri ku mbërrîn guxim’i im!), po të pyes soll (apo sall në Mirditë, si në Krujë?) për t’a dijtun: a thuhet tash në Mirditë sikur po e shoh në nji frasë mirditore të ksaj letrës së dytë? Un e dij se atje thonë vetëm tahê. Por s’kishte me qênë çudë qi edhe Mirditasit të kenë filluem me u shkodranosun. Ç’âsht dhâni?

A po sheh pra se as un s’pata fê mëshrire për shëndetën t’ânde? Prap se prap due me të porositun, si bâj kurdoherë edhe me djalin t’em qi kam n’Amerikë, qi mâ e para gjâ për të cilën duhet të keshë kujdes të jetë shëndetja. Kam ndiem prej nji miku t’em qi ka qênë aty e të ka njohun se paske ende do varrë të pashrueme në shtat. E mb’anë tjetër ti po më qahe prej veshkesh.

Bajraktarit (Z. Melyshit) i falem nderës qi më ka kujtuem shpesh në këtë mërgim. Nuk e mbaj mênd a e kam pasë pamë në Shqipní. Mbaj mênd, veç, të parët e tij; Gjonin e Dodë Bardhoku. Me këtê të fundit rrijshim shpesh në Rrëshê kur isha i arratisun në 1914-1915! Të vështira kanë qênë edhe ato kohna për mue. Por ku me i marrë sod? S’e harroj kurrë gazin qi bâjshim me Pjetër Përtênen. Ti Zef je i Fândë (a thuhet kështu?). Un kam qênë në Fând në prendverën e 1923-shit. Por s’kam ndêjtun veçse nja 2-3 dit. Kam nji plagë në zêmër qi kam harruem emnin e mikut ku pata ramë. E kam pasun të shkruem në shtëpí. Por ku e kam sod arqivën t’eme? Më ka pasë përsjellë atje Marka Prengë Çoku prej Lajthize, tek i cili pata ramë mâ parë. Prengë Çoku, në mos u gabofsha ka pasë ardhun e më pamë në Tiranë e Markun e pata gjetun në Shkodër te Kapidani në nândorin e ’43-shit.

Edhe Gjon Pjetrin e Gjomarkajvet faleminderës gjenealogjisë së Ndoit po e dij mirfilli se kush âsht e qi ka edhe nji djalë qi e quejnë Pjetër. Por as atê s’po dij a e kam pamë ndonji herë. M’i u fal me shëndet fort. Gzohem fort qi ju ka Kap. Gjoni aty rreth vetes. Ndoit i kam, mbas nji të gjate tërkuzë edhe nji letër të shkurtën këto dit. Përqafime.

 

Share it :