Zagreb, arrestohet për korrupsion kryebashkiaku, BE: Shqipëria të ndjek shembullin

0
108

kryebashkiaku i zabrebitVala e vendosjes se drejtesisë vazhdon të funksionojë në Kroaci, vendi i fundit Ballkanik që është futur në BE. Kryebashkiaku i Zagrebit, Milan Bandic  u arrestua dje pasdite, kanë konfirmuar burime të gazetës kroate “Jutarnji list”. Milan Bandic akuzohet për korrupsion, abuzim me detyrën, si dhe favorizime në tendera. Akuzat i janë paraqitur zyrës së Antikorrupsionit. Bashke me Bandic janë arrestuar edhe dy nga nashkëpunëtorët e tij Ljubicic Kikas dhe Peter Pripuz, edhe këta nën akuzën e korrupsionit.

 

Kryetarja e delegacionit të PE për Shqipërinë

Ndërkohë, të njëjtën ndëshkueshmëri po kerkojnë vendet e BE-se edhe ndaj Shqiperisë.  Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Monica Mocavei ka thënë që Shqipëria duhet të gjejë vendin në shinat e duhura të integrimit, duhet pikësëpari të arrestojë zyrtarë të lartë. “Kjo është çështje kyçe dhe nënkupton se ka prokurorë dhe gjyqtarë të guximshëm e profesional, të cilët mund të zbatojnë ligjet pavarësisht nëse kanë përballë ministra, kryeministra, deputetë, kryebashkiakë, apo kushdo tjetër. Kjo është ajo çfarë bëra në Rumani. I dhashë fuqinë gjyqësorit për të qenë i pavarur, po kështu prokurorisë dhe zyrës kundër korrupsionit. Tashmë, ne kemi ish-kryeministra, ministra aktualë apo ish-ministra, ish- deputetë, ishkryebashkiakë, prokurorë apo gjyqtarë që vuajnë dënimin në burg për korrupsion apo veprimtari të tjera kriminale. Vjen një moment kur hetuesit dhe gjykatësit vlerësojnë se ‘Po, ne mund ta bëjmë këtë, madje dhe pa politikanët, sepse për një kohë të gjatë kjo nuk ka ndodhur’. Kështu që më së pari për t’u bërë për ta vënë vendin në shinat e duhura është të paturit e një drejtësie të pastër, sepse me anë të saj, pastrojmë të gjitha sistemet e tjera”, ka pohuar ajo.

 

Lufta ndaj korrupsionit afron Shqipërinë me BE

Gjithashtu, Monica Mocavei është shprehur se lufta ndaj korrupsionit është faktori kryesor që e afron Shqipërinë me BE.  “Kështu që ata duhet të presin që unë të insistoj për këtë, për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, kundër krimit në përgjithësi, kundër pastrimit të parave, kundër trafiqeve dhe e dimë se këto krime ekzistojnë në Shqipëri, sikundër dhe në Ballkan. Unë do të insistoj për këto, por dhe për ligje të mira, e zbatimin e tyre çfarë është më e rëndësishme, sepse në shumë vende bëhet plotësimi në letër për ligje që nuk zbatohen kurrë, apo që nuk zbatohen siç duhet. Sigurisht, unë do të shoh të gjitha aspektet e tjera të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe dëshira ime është ta mbështes Shqipërinë përgjatë rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Jam për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit”, ka thënë ajo referuar rastit të arrestimit të kryebashkiakut të Zagrebit.

 

 

 

 

Vijojnë sulmet në Serbi

Sulme të reja kanë ndodhur si pasojë e incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Xhamia e Suboticës është sulmuar me koktejl molotovi gjatë natës në mes të së shtunës dhe të dielës, ndërsa në qytetin e Novi Sadit, ku u sulmuan më parë nëntë furra të shqiptarëve është sulmuar me gur ëmbëltorja Telep, në pronësi të pjesëtarëve të komunitetit goran me prejardhje nga Prizreni.  Imami i Xhamisë së Suboticës, Selmo Drekoviç ka konfirmuar lajmin, por ai ka shprehur besimin se organet e rendit do të gjejnë autorët. Sipas videove të xhamisë, të cilat i ka kontrolluar policia, kanë qenë dy persona që kanë sulmuar këtë objekt fetar. Zjarrin thuhet se e kanë fikur kalimtarët e rastit dhe përfaqësuesit e xhamisë dëmin e kanë vërejtur vetëm dje në mëngjes.

 

 

Turqia nuk do të pajisë më armë luftëtarët kurd

Turqia nuk do të armatosë dhe nuk do të bjerë dakord për transferim armësh për luftëtarët kurdë që po luftojnë me ekstremistët e Shtetit Islamik për kontrollin e Kobanit, qyteti sirian në kufi me Turqinë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i quajti dje forcat kurde si të barabartë me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit që ka 30 vjet që është prëfshirë në një fushatë të armatosur për vetëqeverisje në Turqi. Turqia dhe Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë atë parti, një grup terrorist. Zoti Erdogan tha se “do të ishte jashtëzakonisht e gabuar” që të pritej që qeveria turke “t’i thotë hapur ‘po’ aleates së saj, Shteteve të Bashkuara për këtë lloj mbështetjeje. Është e pamundur që të pritet diçka e tillë prej nesh”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency