Vizita/ Basha: Rama të shtyjë vizitën, serbët refuzuan de fakto kryeministrin  

0
110

Erneta Shevroja

lulzim basha para gazetareveBasha, Nikoliçit: Ndihmësi i Sheshelit që së bashku me Millosheviçin dhe Karaxhiçin janë speciet e fundit të barbarisë mesjetare në Ballkan

 Kreu i opozitës, Luzim Basha, i kërkoi hapur Kryeministrit Rama që minimalisht të shtyjë vizitën e tij zyrtare në Beograd, në kushtet kur krerët e shtetit serb nuk janë distancuar nga dhuna dhe fyerjet ndaj shtetit dhe popullit shqiptar. “Është e qartë se me këto qendrime dhe deklarata, pala serbe de fakto ka refuzuar vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd”, deklaroi Basha.  Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, “mesazhi është mos eja, dera është e mbyllur” dhe në këtë situatë vizita e Kryeministrit është e padenjë dhe ekzibicion”, – tha Basha.  Ai vijon duke vënë në pikëpyetje qëndrimin pro integrimit evropian të shteti serb, duke thënë se fqinji ynë i rikthehet të kaluarës konfliktuale. Gjithashtu, kreu i PD-së foli ashpër për qëndrimet dhe provokimet e politikanëve serbë.

“Pas ngjarjeve të së martës, insistimi i z. Rama për të trokitur në derën e mbyllur serbe është shumëfish më i pakuptimtë, shumëfish më i padenjë. Ndaj, sot i kërkoj Kryeministrit, minimalisht të shtyjë vizitën e tij në Beograd. Një vizitë për ekzibicion, në këto kushte, nuk ia vlen asnjë qindarkë”, – u shpreh kreu i Partisë Demokratike. Sipas Bashës, shteti serb ka shtyrë tri kërkesa të Kryeministrit për të vizituar Beogradin dhe pas ndeshjes së futbollit mes dy skuadrave, vizita është akoma më e papërligjur për çështje që duhet të jenë pjesë e dialogut mes dy vendeve fqinje. “Në çfarëdo kushtesh vizita ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësisë së veçantë që janë pjesë e axhendave të këtij niveli. Dhe sipas mediave, kërkesa e z. Rama për të vizituar Beogradin është refuzuar tri herë apo është shtyrë tri herë. Në çdo rast, vizita në pikëpamjen tonë ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësishme që duhet të jenë pjesë e dialogut të këtij niveli”.

Referuar dhunës së shfaqur dhe deklaratave të ashpra të palës serbe, kryetari i opozitës u shpreh se shteti serb është i dyzuar në qëndrimin e tij për integrimin në Evropë. “Në të kundërt, vendi ynë ka vendosur të kthejë faqe, të vendosë nivel tjetër marrëdhëniesh mes dy vendeve fqinje dhe të shikojë kah integrimit evropian”, – tha Basha. “Në anën tjetër, urrejtjet dhe dhuna antishqiptare në shtëpinë e saj, gjestet e kërkuara anti-NATO, paradat në Beograd për të nderuar agresorin e sotshëm të lirisë, demonstrojnë se Serbia është e dyzuar, për të mos thënë e shtirur në lidhje me integrimin evropian dhe aspak e gatshme për të filluar një histori të re, me shikim nga e ardhmja të marrëdhënieve me Shqipërinë”, – nënvizoi kreu i opozitës.

 

Basha për Nikoliçin

Ndërkaq, Basha u tregua i ashpër ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, sipas të cilit Shqipërisë do t’i duhen shekuj për t’u bërë një vend normal, pa urrejtje ndaj serbëve. Sipas Bashës, Tomislav Nikoliç është si “ndihmësi i Sheshelit që së bashku me Millosheviçin dhe Karaxhiçin janë speciet e fundit të barbarisë mesjetare në Ballkan”.

Basha tha se politikanët serbë u mbajtën ison huliganëve. Ata treguan qëndrim ordiner dhe provokues. “Ata u mbajtën ison huliganëve me deklaratat dhe qëndrimet e tyre. Asnjë distancim nga fyerjet në kor e himnit tonë kombëtar në fillim të ndeshjes. Asnjë distancim nga thirrjet raciste: ‘Vritini, pritini shqiptarët’ nga huliganët. Asnjë distancim nga dhuna, jo vetëm nga huliganët, por edhe nga forcat e sigurisë serbe ndaj lojtarëve tanë të kombëtares dhe stafit të kombëtares në stadiumin e Beogradit. Asnjë distancim nga poshtërimi ndaj lojtarëve, stafit dhe delegacionit tonë, jo vetëm nga huliganët, por edhe nga forcat e policisë serbe”, – nënvizoi Basha.

Ndërkohë, kreu i Bashkisë Tiranë dhe i PD-së i kërkoi Kryeministrit të ndërpresë “shëtitjet e tij nëpër botë me një axhendë të varfër” dhe të përballet me problemet reale që shqetësojnë njerëzit.

 

 Vizita në Beograd/ Thaçi: Rama s’ka arsye të frikësohet, e rëndësishme edhe për Kosovën e rajonin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i bën thirrje Edi Ramës të anashkalojë deklaratat e ashpra dhe provokuese të udhëheqësve serbë dhe të realizojë vizitën në Beograd më 22 tetor. Thaçi vlerëson se kjo vizitë është e rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën dhe për gjithë rajonin. Ai argumenton se ballafaqimi me të shkuarën, vendosja e marrëdhënieve të reja mes vendeve fqinje dhe plotësimi i kritereve që ka vendosur Bashkimi Evropian duhet të jenë shtylla të realitetit të ri në Ballkan. “Ballkani Perëndimor ka hyrë në fazën e pakthyeshme të integrimeve euroatlantike, që qëllim parësor e kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Derisa ende dëgjojmë gjuhë të urrejtjes dhe provokime që vijnë nga hijet e të kaluarës së hidhur, progresi i arritur me Marrëveshjen e Brukselit ka mbyllur kapitullin e luftës dhe ndryshimit të kufijve. Prandaj dialogu me fqinjë, mirëkuptimi për ballafaqim me trashëgiminë e të së kaluarës dhe fokusi i pandërprerë në plotësimin e kritereve euroatlantike duhet të jenë shtylla kryesore të shteteve tona”, – shkruan Thaçi në Facebook. Sipas arsyetimit të Hashim Thaçit, Kryeministri Edi Rama nuk ka arsye të frikësohet nga vizita në Serbi. “Kryeministri Edi Rama përfaqëson një shtet anëtar të NATO-s që kurrë nuk do të lejojë rrezikimin e shqiptarëve në Ballkan, prandaj edhe nuk ka arsye të frikësohet nga dialogu dhe vizita tek fqinjët. Vizita në Beograd është e rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën, Luginën e Preshevës dhe tërë rajonin”, – ka vijuar Kryeministrit kosovar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency