VIP-at e ekonomisë shqiptare, kush u godit dhe kush rezistoi më 2013

0
190

Ervin Kaduku

ekonomia –  Shkëlqimi dhe rënia e Rezart Taçit, “blerësit” të Albpetrolit dhe ARMO-s

–  Dëmi i shkaktuar me largimin nga skena të Belle Air, viktimës së ndërrimit të pushtetit politik, llogaritet në dhjetëra miliardë lekë

Si ka qenë fati i kompanive më të mëdha shqiptare gjatë vitit të kaluar? Janë pak ato që janë fuqizuar, ndërkohë që subjekte shumë të fuqishme janë larguar nga skena, me vendim të politikës, apo si pasojë e falimentit të detyruar nga gabimet e bëra. Nga një analizë të revistës “Monitor”, lidhur me deklarimet e xhirove të VIP-ave për vitin fiskal 2013, shkëputëm dy detaje, që përbëjnë dy shembuj të bizneseve të mëdha që janë larguar nga tregu VIP dhe një tjetër që tregon se ku është përqendruar vëmendja e qeverisë, si sektor i privilegjuar i ekonomisë.

 

Rënia e një “kështjelle prej rëre”

Deri në fund të vitit 2012, kur ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol, Rezart Taçi konsiderohej si një ndër manjatët më të mëdhenj të naftës në vend, me plane të mëdha për të mbyllur ciklin nga prodhimi i naftës e deri te tregtimi me pakicë i saj. Në vitin 2012, përmes kompanive të tij, Taçi Oil, Kuid dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh. Krahas biznesit të naftës, Taçi Group, vitet e fundit, ishte zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit Alsat, tashmë i shndërruar në Albanian Screen, dhe në arsim, përmes shkollës private Nobel.

Por, 2013-ta solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Grupi u tërhoq nga blerja e Albpetrol në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar.

Në gusht 2013, kuotat kryesore të një prej sipërmarrjeve të tij, ARMO, iu shitën kompanisë azere Heaney Assets Corporation (shiko shkrimin në vijim për ARMO-n). Sipas kontratës së shitblerjes së ARMO-s, u ra dakord midis dy palëve që “për një periudhë 5-vjeçare, duke nisur nga data e kësaj kontrate, as Anika (motra e Rezartit) e as Rezarti nuk duhet të marrin pjesë, drejtpërdrejt a tërthorazi, apo të kenë interes financiar apo tjetër, në ndonjë person juridik që merret me rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit apo çdo produkti a shërbimi energjetik në Shqipëri”. Kjo solli rënie të menjëhershme të aktivitetit të Taçi Oil, sipërmarrja kryesore e grupit. Sipas të dhënave të bilancit të kompanisë, xhiroja e saj u tkurr me 72% në vitin 2013, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë.

Nga data 10 dhjetor 2013, Rezart Taçi është anëtar i Këshillit Drejtues të I.S.C. Petroleum Company, shoqërisë anonime që tregton markën IT OIL (e cila zëvendësoi me shpejtësi pikat me pakicë të tregimit Taçi Oil rreth një vit më parë), por që nuk figuron ende në listën e VIP-ave.

Aktualisht, sipas një kërkimi në QKR, Rezart Taçi figuron si aksioner vetëm në kompanitë Albanian Petro Consulting (që është e çregjistruar që nga viti 2012); GROUP – 6. A.I., kompani ndërtimi pa shumë aktivitet, ku ka 20% të aksioneve, të cilat janë të sekuestruara nga kompania përmbarimore EPSA në nëntor 2013; BT International Engineering Services Limited & Arun Construction Joint Stock Company, ku zotëron 40% të aksioneve, të cilat gjithashtu janë bllokuar nga shoqëria përmbarimore EPSA në nëntor 2013.

Edhe në kompanitë TAÇI OIL INTERNATIONAL TRADING & SUPPLY COMPANY, ende nën pronësi 100% të Rezart Taçit, në nëntor 2013 është vendosur sekuestro konservative mbi kuotat e debitorit, si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i këtyre kuotave, duke ndaluar tjetërsimin ose disponimin e tyre, si dhe ushtrimin e të drejtave që rrjedhin nga këto kuota, sipas informacionit nga ekstrakti historik i kompanisë në QKR. Bllokimi, sipas dokumenteve të QKR-së është bërë nga banka Raiffeisen, me objektin kthim kredie. Me të njëjtin argument janë bllokuar dhe aksionet e sipërmarrjes tjetër, Kuid, që realizonte tregtimin me pakicë të naftës së Taçi Oil sh.a.

 

Dëmi që politika i “dhuroi” biznesit të transportit

Teksa rezulton ende temë të mëdhenjtë e vitit 2013, dalja e papritur e Belle Air nga tregu në 2013-n ka lënë bosh një biznes prej rreth 16 miliardë lekësh në vit, apo gjysmën e tregut të fluturimeve. Pas një rritjeje të shpejtë, që nisi në vitin 2006, Belle Air shpalli falimentin në nëntor 2013, duke u bërë “viktima” më e madhe e ndërrimit të pushteteve. Për vitin 2013, kompania deklaroi një xhiro prej 12.6 miliardë lekësh, duke u renditur për herë të fundit në vendin e 16, mes VIP-ave të ekonomisë.

Teksa Belle Air la për operatorët e tjerë 52% të tregut pas falimentimit në fund të vitit të kaluar, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, sipas shifrave zyrtare të siguruara nga Tirana International Airport, përfitues janë kompanitë e reja që u futën në treg, por dhe ato të“vjetra” si Alitalia dhe kompania e saj low cost Air One. Kjo shpjegohet me fluksin e madh të fluturimeve që Belle Air mbulonte me Italinë. Një tjetër hapësirë kanë marrë ata që hynë rishtas në treg.

Air One ka rritur më shumë se dy herë peshën në treg, Alitalia e rriti me 6 pikë përqindje këtë peshë, kurse pjesën më të madhe e ka marrë Blu Panorama, e cila u fut si shpëtimtari i pasagjerëve që kishin paguar biletat e udhëtimit, por nuk i shfrytëzuan dot ato.

Por, ajo çka vihet re është se pothuajse të gjitha kompanitë kanë përfituar nga kjo lëvizje. LivingStone e Fly Albania, të cilat punojnë nën emrin e një kompanie, nuk renditen mes pesë kompanive të mëdha, ndonëse pritej që në treg të mbizotëronte një kompani shqiptare, bazuar edhe në përvojën e mëparshme të kalimit të tregut nga Albatros te Belle Air. Vetëm pjesa prej 52% e tregut që la bosh Belle Air, apo rreth 400 mijë pasagjerë në vit, u mbulua më së shumti nga Blue Panorama, e ndjekur nga Air One dhe më pas nga Alitalia (nga llogaritjet janë hequr pjesët e tregut që kishin Air One dhe Alitalia para falimentimit të Belle Air). Dy kompanitë e tjera, që hynë në treg në dhjetor 2013, Livingstone dhe Meridiana, nuk kanë arritur të tregohen aq agresive sa operatorët e sipërpërmendur.

 

Lulëzojnë Call Center-at

Kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center janë ato që kanë shënuar rritjen më të ndjeshme në 2013-ën, të preferuarat e qeverisë Rama. Të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për dy kompanitë kryesore, Intercom Data Service dhe Albacall flasin për një zgjerim të qarkullimit vjetor me ritme dyshifrore, mbi 50%. Për Intercom Data Service (IDS), kompania më e madhe Call Center në vend, 2013-a ka qenë një vit i mbarë. Qarkullimi vjetor i kompanisë, sipas bilanceve të dorëzuara te Tatimet, ishte 2.56 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 71%. Ajo hyri në listën e 100 më të mëdhave, duke u renditur e 77-a në 2013-n. Sipas të dhënave nga tatimet, Intercom Data Service ka rreth 3000 të punësuar, duke qenë punësuesi i dytë më i madh në vend, pas CEZ Shpërndarje.

Edhe Albacall realizoi një xhiro prej 2.25 miliardë lekësh në 2013-n, me një rritje prej 60% në raport me një vit më parë, duke hyrë dhe ajo në listën e 100 më të mëdhave, në vendin e 90.

Operatori i tretë më i madh Call Center në vend, Albania Marketing Service (Teleperformance) realizoi një qarkullim vjetor prej 11.8 miliardë lekësh në 2013-ën, ndërsa kishte 1500 të punësuar. Kompania ka shënuar për herë të parë një rënie të aktivitetit në 2013-ën. Që nga 2009 kur filloi aktivitetin, deri në 2012, zgjerimi ka qenë tepër i shpejtë, nga rreth 500 milionë lekë, në 2009-ën, në rreth 1.4 miliardë lekë në 2012-ën.

 

 Frenohet rënia e prurjes valutore nga emigrantët

Rimëkëmbja e shteteve fqinje Itali dhe sidomos Greqi, që po del nga recesioni, pritet të ndikojë pozitivisht dhe tek familjet shqiptare. Këto të fundit kishin parë një rënie vazhdueshme të kursimeve që u sillnin të afërmit e tyre gjatë viteve të fundit. Në gjashtëmujorin e parë 2014, paratë që emigrantët sollën në shtëpi ishin 251 milionë euro, pothuajse në të njëjtin nivel me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (kur rezultuan 252 milionë euro).

Por, pozitiv është fakti që ka ndalur rënia, që po vazhdonte prej vitesh. Kthesa duket se ka ardhur në tremujorin e dytë. Në tre muajt, maj-qershor, emigrantët sollën në shtëpi 135 milionë euro, apo 5 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Megjithatë, tendencën e qartë do ta tregojë tremujori i tretë, që është dhe periudha kur tradicionalisht fluksi i të ardhurave rritet, për shkak të emigrantëve që kthehen me pushime në atdhe në periudhën korrik gusht. Vlerësohet se në Itali e Greqi punojnë rreth 1 milion shqiptarë, të cilët dërgojnë vazhdimisht të ardhura tek të afërmit e tyre.

Që prej vitit 2007, remitancat kanë shënuar rënie të vazhdueshme për dy arsye:

-Së pari, tendenca ciklike, teksa ata që punojnë jashtë prej një apo dy dekadash i shkëputin gradualisht lidhjet me të afërmit e tyre në Shqipëri.

-Së dyti, kriza ekonomike e pas 2008-ës, që goditë rëndë fqinjët, si Italinë dhe sidomos Greqinë, la shumë të papunë, duke bërë që dhe një numër i madh emigrantësh të ktheheshin në vend, dhe duke u prerë burimin të afërmeve të tyre.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency