Vendimi/ Bie “FBI-ja” e qeverisë, Gjykata Kushtetuese rrëzon Byronë Kombëtare të Hetimit

0
133

Gëzim Saliu

 vendimi i kushtetueses per ByroenKushtetuesja pranon ankimimin e PD-së: Byroja Kombëtare e Hetimit, e papajtueshme me ligjin themeltar të vendit

Gjykata Kushtetuese shpall si të papajtueshme me ligjin themeltar të vendit ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ankimimi u dërgua në Gjykatë tetorin e vitit të shkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i cili vlerësonte se kjo strukturë merrte shërbimin ekskluziv të Prokurorisë. Në njoftimin për shtyp të ditës së djeshme të Gjykatës Kushtetuese, thuhej se pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga 1/5 e deputetëve të PD-së si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar bazuar në nenet 131 dhe 134 të Kushtetutës vendosi: “Shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të kreut VI “Byroja Kombëtare e Hetimit (nenet 27-36) të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” si edhe rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e nenit 49 të këtij ligji”.

 

Byroja Kombëtare e Hetimit

Byroja Kombëtare të Hetimit kaloi në Parlament me votat e mazhorancës si pjesë e ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Ajo u kundërshtua fort nga opozita, pasi, sipas demokratëve përmes saj, Kryeministrit dhe ministri i Brendshëm merrnin kompetencat e Prokurorisë së Përgjithshme, Byroja ishte parashikuar të ngrihej si pjesë e Ministrisë së Brendshme me detyrën për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit. Më 9 tetor 2014, Partia Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për të shpallur antikushtetuese Byronë e Hetimit. Në argumentin e padisë atë kohë, deputeti i PD-së, Arben Ristani tha se Byroja e hetimit është goditje në zemër të demokracisë. “Është një strukturë e cila merr shërbimet ekskluzive të Prokurorisë së shtetit. Në këtë mënyrë si është konceptuar është goditje e rëndë e sistemit demokratike dhe shkel parimet kryesore të Kushtetutës. Imagjinoni njerëz të emëruar nga ministri i Brendshëm apo kryeministri do të hetojë korrupsionin në kryeministri apo në agjencitë afër kryeministrit”, kishte deklaruar deputeti demokrat. Ndërkaq në fillim të muajit prill, në vend mbërritën për këtë çështje edhe dy ekspertë të FBI-së, të cilët zhvilluan një takim me ministrin e Brendshëm për të dhënë ekspertizën e tyre për ngritjen efikase të strukturës së Byrosë së Hetimit, e deklaruar se do të luftonte korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend. Me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, nisma e ndërmarrë nga mazhoranca e majtë rrëzohet, gjë e cila hedh poshtë mundësinë e ngritjes së një strukture të re të hetimit në vend. Byroja Kombëtare do të ishte një drejtori qendrore pranë kryeministrit që do të funksiononte për koordinimin e të gjitha shërbimeve, përmes një zyrë kordinative. Programi i Byrosë Kombëtare të Hetimit kishte të përfshirë analizën e informacionit kriminal, luftën kundër trafiqeve njerëzore, armëve eksplozive antiterrori, drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, njësinë speciale të agjentëve të mbulimit, policinë shkencore dhe antikrimi kompjuterik, mbrojtja e dëshmitarëve, policinë e qarkullimit e rendit etj.

 

Çfarë ishte Byroja Kombëtare e hetimit

Sipas asaj që ishte përcjellë nga qeveria, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte një drejtori qendrore pranë Kryeministrit që do të funksiononte për koordinimin e të gjitha shërbimeve, përmes një zyrë koordinatave. Në domosdoshmërinë e ngritjes së saj, qeveria argumentonte se “deri më tani shërbimet veprojnë paralelisht, duke nxjerrë jashtë skemës dhe informacione që s’duhet të dalin, por edhe duke u përdorur për luftën politike. Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i detyrojë të gjitha këto shërbime të mos punojnë paralelisht”. Më tej ishte parashikuar që Byroja Kombëtare e Hetimit do të merrej me analizën e informacionit kriminal i cili do të vinte nga shërbimet e specializuara të shtetit shqiptar, me luftën kundër trafiqeve njerëzore që janë kthyer në një gangrenë në Shqipëri, me luftën kundër kontrabandës në kufirin e Shqipërisë me rajonin dhe kontrabandën ndërkombëtare, luftën kundër trafikut të drogës dhe të lëndëve radioaktive. Luftën për eliminimin e armëve eksplozive dhe antiterrorin. Po ashtu do merrej me drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, me njësinë speciale të agjentëve të mbulimit, policinë shkencore dhe antikrimin kompjuterik, me mbrojtjen e dëshmitarëve dhe akomodimin e tyre si edhe me policinë e qarkullimit, të rendit dhe gjithë policitë e tjera.

 

 PD, Halimi: Vendim drejtësie, Byroja “de facto” e bënte Kryeministrin kryehetues

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, e cilësoi dje si vendim drejtësie, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ligjin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përmes një postimi në rrjetin social FB, deputeti demokrat theksoi se me këtë vendim gjykata frenoi dëshirën e kryeministrit për të qëndruar mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit. “Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin si antikushtetues të ligjit për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që “de facto” caktonte Kryeministrin si kryehetues dhe Kryeprokuror në vend. Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese frenon një Kryeministër autoritar dhe delirant që vepron në mënyrë arbitrare e mendon se qëndron mbi ligjet dhe Kushtetutën. Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit si një strukturë hetimore nën drejtimin direkt të kryeministrit ishte një përpjekje për shkatërrimin e shtetit ligjor, të drejtave dhe lirive të qytetarëve, njëlloj si burgosja masive e tyre dhe shkatërrimi arbitrar i pronave te ligjshme pa asnjë letër, me dorën kryeministrore”, – shkruante Halimi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency