T’i shkaktosh vetes dhimbje për t’u ndier mirë

0
226

Studimi/ Janë gjithnjë e më të shumtë personat që e trajtojnë trupin e tyre si një armik

 

 

 

SadoTë prihesh me brisk apo me thikë. T’i shkaktosh vetes dhimbje me çdo lloj mënyre dhe pastaj të ndihesh në faj. Janë të shumtë të rinjtë që vuajnë nga vetëplagosja. Dhe nëse arsyet janë shumë të ndryshme, qëllimi është gjithnjë vetëm njëri: të ndihen të gjallë. Por ka shërim.

Po përse ndodh e gjithë kjo? Nuk ekziston një përgjigje e vetme. Dikush thotë që ka filluar rastësisht, dikush tjetër pasi ka parë që e bëjnë shokët e tij, të tjerë për t’u ndier “në jetë”.

 

Motivet e vërteta janë më të thella

S. është 29 vjeç. I ati i saj ka ikur nga shtëpia kur ajo ishte ende fëmijë. Ka krijuar një familje të re, pastaj është kthyer dhe për të ka pasur qëllime jo tërësisht atërore. Që fëmijë S. e mbërthente një zemërim i dhunshëm, deri në moshën 11 vjeç bënte urinën në shtrat, gjatë adoleshencës marrëdhëniet e saj sentimentale ishin të stuhishme, me zënka, grushte, tradhti. Në moshën 14 vjeç pret rastësisht një krah dhe zbulon që kjo e bën të ndjehet mirë. Ndjehet e lehtësuar, tensioni ulet. Zemërimi dhe dhimbja i largohen. Plagosja i kthen një gjendje paqeje, harmonie. Që atëherë fillon të plagosë veten në mënyrë të vullnetshme, për vite të tëra i shpon krahët gjithnjë e më thellë. Deri sa shumë herë përfundonte në spital. Në moshën 27 vjeç fillon terapinë. Sot nuk prihet më.

 

Sëmundja e rinisë

S. vuan nga DSHS (Dliberate Self-Harm Sindrome) ose vetëplagosja, nevoja për t’i shkaktuar dhimbje vetes. A është kjo një histori e vetme? Mund të themi që jo, duke pasur parasysh konkluzionet e neuropsikiatërve, psikoterapistëve, pediatërve dhe psikologëve. Janë gjithnjë e më të shumtë në numër personat, sidomos adoleshentë, që e trajtojnë trupin e tyre si një armik. E shpojnë, e çajnë, e djegin, manipulojnë me mijëra mënyra të ndryshme, derisa e shkatërrojnë. Fiziku bëhet vendi ku shfryjnë konflikte dhe dhimbje të thella, territor i huaj, i pakontrollueshëm. Me të gjitha kostot.

 

Fiziku kontrollon mendjen

Po përse ndodh e gjithë kjo? Nuk ekziston një përgjigje e vetme. Dikush thotë që ka filluar rastësisht, dikush tjetër pasi ka parë që e bëjnë shokët e tij, të tjerë për t’u ndjerë “në jetë”. Motivet e vërteta janë më të thella. Kemi të bëjmë me persona shumë të dobët, të paaftë për të kontrolluar emocionet, që kanë shumë pak besim tek vetja dhe shumë frikë për të ardhmen. Një situatë tipike për adoleshencën, kur transformimet e thella fizike dhe mentale mund ta bëjnë të patolerueshëm shqetësimin psikik. Nëse dhimbja emotive e pakontrollueshme kthehet në dhimbje fizike, bëhet më e durueshme. Nxirret jashtë ajo që nuk mund të mbahet më brenda. Të ndjesh dhimbje fizike është një mënyrë për të ndarë: unin nga njëra anë dhe trupin nga ana tjetër. Atë trup që po ndryshon, që më tradhton, nuk e vuaj më, e dominoj, e detyroj të pësojë, i fshij nevojat e tij. Dhe bëhem fuqiplotë. Kjo është një ndjenjë që forcohet edhe nga një reaksion kimik i lidhur me prerjen: plagosja shkakton një çlirim të menjëhershëm të endorfinës, që kanë një efekt qetësues. Vetëplagosja është një mënyrë për të dënuar veten, për të shfryrë, për të rimarrë kontrollin. Nuk vetëvriten shpesh, por vetëm atëherë kur bëhet e paevitueshme. Dhe përgjigjja është një situatë kritike. Kush vuan nga vetëplagosja ka një përfytyrim jo të vazhdueshëm për veten, ka nevojë për të tjerët që t’i japin identitet, për dikë që ta bëjë të ndihet në jetë: një të dashur, një mik, një prind. Nëse ndokush mungon (qoftë edhe për një çast) humbasin pikën e referimit dhe dhimbja bëhet e patolerueshme. Atëherë i bëjnë keq vetes, për ta rigjetur veten. Asnjë nga ata që vuan nga vetëplagosja nuk mendon se të vritesh është një gjë e bukur, por të gjithë mendojnë që është gjëja më e mirë që mund të bëjnë për të mos u varrosur.

 

Vuaj, pra ekzistoj

Vuajtja, pra bëhet e vetmja mënyrë për ta dashur veten. Por a është e nevojshme të kthehesh me të vërtetë në mazokist për të tejkaluar dhimbjen për të jetuar? Më shumë se për mazokizëm, mund të flitet për sadizëm. Nuk i nënshtrohesh një torture, kërkohet dhimbja, ia imponon vetes. Trupi nuk është një armik, përkundrazi. Është një mik, pasi nëpërmjet dhimbjes më përgjigjet. Vuajtja pastaj përjetohet si e kundërta e mosvuajtjes, një teknikë për të bërë anestezinë. Sa më shumë i shkaktoj vetes dhimbjes, aq më shumë mësoj ta durojë atë. Kur humbja e raportit me veten është totale, të plagosësh veten është një mënyrë për ta gjetur atë: ndiej dhimbje, pra ekzistoj.

 

Një identitet shumë delikat

Raporti me trupin është një nga nyjat e adoleshencës. Për t;u rritur është e nevojshme ta konsiderosh trupin si një vend privat, ekskluziv, vendin e gjendjes tënde të re, të pavarur nga prindërit. Brezi i sotëm është delikat nga këndvështrimi i ndërtimit të esit: identiteti jetohet si diçka ekstremisht e paqëndrueshme. Të bërit pirsing apo tatuazhe, shërben për të forcuar imazhin personal: trupi kthehet në një vend spektakolar. Është si një lloj letre, ku mund të pikturosh, ku mund të shënosh kufijtë midis vetes dhe botës. Është zbulimi që trupi nuk është i shenjtë, dhe kështu që mund ta vandalizosh. Kur brishtësia e brendshme është shumë e fortë, ai që është një gjest estetik bëhet patologjik dhe arrihet në një sulm të mirëfilltë ndaj trupit. Një sulm që është shumë e lehtë të shpërthejë: një telefonatë që e pret dhe që nuk të vjen, një keqardhje, mungesa e vëmendjes, janë të mjaftueshme këto për të shkaktuar një krizë. Nuk arrin të kërkosh ndihmë, ankthi rritet dhe bashkë me të edhe nevoja për të plagosur veten. Plagosja është çliruese, bën që të dalë diçka që nuk është më e shtypur, të pritesh është sikur të hapësh një derë midis vetes dhe botës.

 

Një thirrje për ndihmë

Si mund të ndihmohet dikush që ka arritur në vetëplagosje? Hapi i parë konsiston në njohjen në kohë të simptomave, përpara se pasojat të bëhen dramatike. Vetëplagosja është sinjali i një bllokimi të procesit evolutiv, të një shqetësimi që adoleshentin nuk është në gjendje ta menaxhojë dhe as ta shprehë. Por duke sulmuar veten, lëshon alarmin. Duhet të mësosh të dëgjosh, për të bërë mundur që të ndërhysh në mënyrë të vrullshme. Zakonisht kush e plagos veten, tenton të plagoset gjithnjë e më shumë dhe të kalojë nga një mënyrë vetëplagosjeje tek tjetra (nga plagosjet tek shqetësimet ushqimore, tek përdorimi i substancave narkotike dhe alkoolit). Kurat janë të ndryshme nga rasti në rast. Vetëplagosja shpesh është një simptomë e një shqetësimi të personalitetit. Individualizohet patologjia nga e cila vuan ai që vetëplagoset, për të zgjedhur terapinë më të mirë, nga analiza e ilaçeve, por vetëm në rastet më të rënda. Sikurse S. që ende nuk ka mësuar të jetë e lumtur, por ka filluar të ecë me këmbët e saj, të ketë besim tek vetja, të mos ia delegojë të tjerëve ekuilibrin e saj emotiv. Dhe nuk pritet më.

 

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

 

Kur fitimtari bëhet humbës

 

 

Majkëll R. Edelshtajn

Dejvid Ramsej Stile

 

Në moshën 25-vjeçare, Xheri ishte një djalosh shtatlartë dhe i pashëm, shpatullgjerë, me trup atleti. Ai ishte mjeshtër sërfi dhe skiator uji. As kostumi 3000 dollarësh i firmës Valentino s’e kishte ndryshuar shumë. Në punë shkonte me një makinë BMË, kurse për në plazh përdorte një Porshe. Ndryshe nga disa arrivistë fodullë e të paqëndrueshëm, Xheri kishte sjellje modeste të hijshme dhe me buzëqeshjen e tij të ngrohtë e ngjitëse, të përçonte menjëherë simpati. Kohët e fundit qe fejuar me një studente inteligjente dhe të bukur të fakultetit juridik.

Xheri ndihej mirë me veten. Ai zgjohej çdo mëngjes i gatshëm për të përballuar sfidat e ditës dhe gjente kënaqësi në ushtrimin e aftësive të veta. Kishte arritur suksese në biznesin e pronave të paluajtëshme, të cilin po e zgjeronte dita-ditës me shpejtësi dhe ndihej krenar me detyrat e veta. Ai padyshim zotëronte atë çka shpesh quhet vlerësim i lartë për vetëveten.

Askush që e njihte Xherin nuk dyshonte se ky djalosh ishte një bombë emocionale me sahat, akrepat e së cilës po i aviteshin fundit.

 

###

 

Gjashtë muaj më vonë, kur erdhi të më takonte, Xheri ndihej si mos më keq dhe ishte i preokupuar nga mendimet për vetëvrasje sepse muajin e kaluar i qe bërë vazhdë t’i dilte gjumi qysh në katër të mëngjesit nga një lloj lëmshi që i sëmbonte në stomak. Nga kjo, gjatë tërë pjesës tjetër të ditës ndihej mjaft i shqetësuar dhe shpesh binte në depresion. Në marrëdhëniet me të fejuarën po haste probleme ereksioni dhe kishte nisur t’i përvidhej mendimi se do të mbetej ngaherë impotent, një e ardhme, të cilën e shihte si turp të tmerrshëm. “Ndihem i tmerruar se kam për të humbur çdo gjë, duke përfshirë edhe mendjen. Nuk fle dot gjumë. Nuk më tërheq më asgjë. Qaj çdo mëngjes para se të nisem për në punë. Nuk jam fare në vete dhe nuk di se ç’bëj. Më duket sikur s’kam më as shpëtim, as rrugëzgjidhje.

 

            Teknika e ndarjes së problemeve

 

Kurdoherë që ndokush vuan nga probleme emocionale, sikurse ishte Xheri, kam zbuluar se me anën e një procedure të thjeshtë, zakonisht e sqaron situatën:

 

E para,           identifiko Problemin Praktik.

E dyta,            identifiko Problemin Emocional.

E treta,   bëje sërfistin ta shohë lidhjen mes dy problemeve: emocionalit dhe                                            praktikut.

I shpjegova Xherit ndryshimin mes një Problemi Praktik dhe një Problemi Emocional:

– Mua më duket, – i thashë atij, – se problemi yt praktik përfshin suksesin e biznesit tënd. Si mund të nisësh sërish që të fitosh para nga aktiviteti imobiliar? Apo të bie më mirë të ndryshosh profilin e punës tënde? Problemi Emocional është se ti po e shqetëson veten për pengesat që po has tani. Përse nuk ia kushton gjithë vëmendjen punës me pronat e paluajtshme, pa e gërryer veten nga brenda për këtë?

– Do të doja ta bëj. Por do të ndihesha si i paaftë, apo si dështak, nëse biznesi do më merrte të tatëpjetën e më shteronte. Todi sapo përfundoi një shitje dy milion dollarëshe – prej saj mori një përqindje të pabesueshme. Unë jam një hiç në krahasim me të.

 

Kam konstatuar thuajse përherë se personi vjen tek mua i bindur se Problemi i tij Praktik i prodhon automatikisht Problemin Emocional. Puna ime e parë është t’ia minoj këtë bindje, duke i treguar se është ai vetë që e shkakton problemin emocional me mënyrën sesi mendon. Problemi i tij praktik është i përcaktuar nga preferencat, kurse problemi emocional i mbin nga “DUHET” e tija. Më pas, të dy këto probleme, Emocionali dhe Praktiku mund të trajtohen të shkëputur nga njëri-tjetri.

Kjo mund të mos duket si ndonjë përparim i madh, por në fakt i tillë është. Sapo personi e merr seriozisht dhe nis ta trajtojë të shkëputur problemin e tij emocional nga ai praktik, ndodh shpesh një përmirësim i menjëhershëm i problemit praktik.

 

Box gri

 

Një argument vetëshkatërimtar

Rasti i Xherit është interesant për faktin se brenda pak muajve ai qe shndërruar nga një person që e mbivlerësonte veten, në një person që tashmë e nënvlerësonte. Por, mënyra e të menduarit të tij është diçka e zakonshme:

Unë dua të ndihem mirë. (këtu s’ka asgjë të keqe)

Që të ndihem mirë, duhet të ndihem mirë me veten (kjo është gabim).

Të ndihem mirë me veten, do të thotë të mendoj se jam person me vlerë.

Unë mund t’i vërtetoj vetes se jam me vlerë nga sukseset që arrij në X gjë: (fitim parash, të kaluarit e një provimi, të mbajturit e trupit në formë, joshja e seksit tjetër, të qenët i zoti në shtrat, dhënia lumturi familjes,…)

Uff! E paskam qelbur në X. Pra, qenkam i pavlerë. Unë NDIHEM KEQ.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency