Thyerja e bojkotit / Fleckenstein: Optimist që Kukan do të mbyllë me sukses bisedimet për krizën politike

0
139

kunt fleckenstein

Erneta Shevroja

Eurodeputeti ka reaguar për herë të dytë lidhur me takimet në Tiranë ditën e premte. Të hënën, Kukan në Tiranë

 

E hëna shënon ditën kur situata politike pritet të marrë një rrjedhë tjetër. Dy ditë pas largimit nga Shqipëria, eurodeputeti Knut Fleckenstein duket se është larguar me mendimin se të hënën opozita do të vendos të rikthehet në Kuvend, më 24 dhjetor, që shënon dhe seancën e fundit për këtë vit. Fleckenstein pas përfundimit të takimeve me 3 liderët e partive, Rama, Meta dhe Basha, është shprehur shumë optimist se do të gjendet gjuha e përbashkët mes tyre. Në një postim në faqen e vet zyrtare në “Facebook”, eurodeputeti është shprehur se i dërguari i dytë në Shqipëri nga Brukseli, që do të mbërrijë në Tiranë ditën e hënë, Eduard Kukan, do të përfundojë misionin me sukses. “Unë jam shumë optimist që kolegu im Eduard Kukan do të mbyllë me sukses bisedimet mes palëve të hënën për t’i dhënë fund krizës”, – shkroi Fleckenstein.

Reagimi

Mbërritja e eurodeputetit Eduart Kukan ditën e hënë duket se do të jetë finalizimi i një përpjekjeje që raporterët e BE-së për Shqipërinë bënë për të pajtuar pozitën dhe opozitën e për të bërë të mundur thyerjen e bojkotit të të djathtëve. Jo vetëm kur ishte në Tiranë, por edhe në statusin e tij në “Facebook”, vetë raporteri Knut Fleckenstein jep sinjale të forta shprese se kjo do të bëhet e mundur me mbërritjen në Tiranë të hënën të kolegut të tij eurodeputetin Kukan. Ndërsa takimet e tij ka shërbyer për të sqaruar kushtet e rikthimit të opozitës në Kuvend, detyrën përfundimtare do ta ketë raportuesi tjetër, Eduard Kukan. “Në bisedimet me Kryetarin e Parlamentit, Meta, Kryeministrin Rama dhe kryetarin e opozitës, Basha, unë u përpoqa të sqaroja termat dhe kushtet që opozita të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Parlament. Unë jam shumë optimist që kolegu im Eduard Kukan do të mbyllë me sukses bisedimet mes palëve të hënën për t’i dhënë fund krizës”, – u shpreh eurodeputeti.

Këta hapa, vijon Fleckenstein, e afrojnë Shqipërisë më pranë BE-së. “Bashkëpunimi ynë për këtë çështje është i mirë, përcakton qëllimin tonë të përbashkët për ta sjellë Shqipërinë më pranë BE-së”, – tha deputeti i Parlamenti Evropian. Eurodeputeti mbërriti në Tiranë të enjten pasdite dhe zhvilloi takimin e parë me kreun e Kuvendit Ilir Meta. Kryeparlamentari foli me tone bashkëpunimi me opozitën, ku u shpreh se mazhoranca është e gatshme të plotësojë çdo propozim të të djathtëve. Ndërkaq, të premten paradite, Fleckenstein takoi Kryeministrin Rama, i cili fundit u tregua mjaft i rezervuar sa i përket temës dhe përfundimit që ata arritën. As Kryeministri dhe as zyra e shtypit nuk raportoi as informacion dhe as fotografi apo video në lidhje me takimin me të dërguarin e Brukselit. Po të premten, Fleckenstein pati takimin e fundit me liderin e demokratëve, Lulzim Basha. Pas takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, raporteri Fleckenstein u shpreh optimist për zgjidhjen e krizës politike dhe kthimin e opozitës në datën 24 dhjetor në Kuvend. Ndërsa lideri i PD-së nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse opozita do i rikthehet punimeve të Parlamentit. Megjithatë, ai u shpreh se nga ana e opozitës nuk ka munguar asnjëherë vullneti për të qenë në parlament. Ai theksoi kërkesën për dekriminalizimin e Kuvendit dhe të gjitha institucioneve të tjera publike dhe të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të tjera.

 

 

 

 

Axhenda e eurodeputetit Kukan të hënën

 

Axhenda e takimeve të eurodeputetit ditën e hënë nis herët në mëngjes. Të parin takim raporteri i Brukselit, Eduard Kukan, e ka programuar ta zhvillojë me kryetarin e opozitës në orën 08:00 të mëngjesit. Një orë më vonë, në 09:00, Kukan pritet të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe pas një ore, është takimi i fundit me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

 

08:00 – Kukan do të takojë Bashën

09:00 – Kukan do të takojë Ramën

10:00 – Takimi me Ilir Metën

 

Box

Të dielën, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pritet të mbledhë grupin parlamentar. Kjo, ndoshta, me arsyen që demokratët të marrin një vendim të përbashkët sa i përket qëndrimit që do të mbajnë lidhur me bojkotin e Kuvendit.

 

 

 

Arsimi

Rama: Vitin tjetër, testim për çdo mësues, do të ndërhyjmë në çdo qelizë

 

Nga Korça, ku prej dy ditësh po inspekton punimet e nisura në qytet, Kryeministri Rama njoftoi se vitin që vjen të gjithë mësuesit do t’i nënshtrohen një testimi, në mënyrë të tillë që ata të dinë saktësisht se çfarë duhet të përmirësojnë. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, u takua me mësues dhe nxënësit më të mirë të Korçës. “Çka ka ndodhur këtë vit ka qenë jashtëzakonisht themelore për atë që do vazhdojë në vitin e ardhshëm dhe vitet e tjera, sepse jemi kthyer për të operuar sistemin e arsimit në qelizë. Rritja e të ardhurave dhe e mirëqenies janë të lidhura me dijen. Me një sistem arsimor që ne kemi trashëguar nuk kemi shans të rrisim mirëqenien aq sa duhet”, – tha Rama. Ndërkohë, Rama foli edhe për subvencionimet e fermerëve, duke thënë se nuk do të ketë shpërndarje në masë. “Përrallat e subvencioneve të shpërndara në qindra e mijëra thërrime për njerëz që pas kaq shumë vitesh janë akoma në stadin e bujkrobit, ne nuk i dëgjojmë. Ne duam të mbështesim bujkun, fermerin shqiptar që kthehet në sipërmarrës”, – the shefi i qeverisë.

 

 

PD: Veliaj favorizoi EAG-në, ministri: Le të shkojnë në Prokurori për çdo shkelje

 

Partia Demokratike akuzoi sërish ministrin e Mirëqenies Sociale për korrupsion nëpërmjet kompanisë EAG, në pronësi të një të afërmi të Veliajt. “Drejtoresha e Erion Veliajt ka detyruar specialisten e prokurimit, me presione e kërcënime sistematike, që të firmosë procedurën e paligjshme, sepse paratë i duheshin kaluar me çdo kusht kompanisë EAG. Drejtuesja e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që varet nga Erion Veliaj, ka vendosur t’i kalojë 25 milionë firmës, me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur, dhe ndërkohë produkti ekzistonte”, – akuzoi PD-ja nëpërmjet deputetes Albana Vokshi. Ndaj kësaj akuze reagoi ministri Veliaj, i cili tha se akuzat nuk janë të vërteta dhe për këtë PD-ja mund të ngrejë padi. Veliaj akuzoi për shpifje PD-në, pasi kjo e fundit kishte përfolur mbi 5 kompani, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me MMSR. Gjithashtu, ministri sqaroi se për 1 qershorin 2014, MMSR nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë të taksapaguesit, por është sponsorizuar nga agjencitë e OKB-së në Shqipëri. “Për Zyrat e Punës, MMSR nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë të taksapaguesit, por ato janë sponsorizuar nga banka, kompani celulare e shoqata biznesi për të mos rënduar buxhetin e shtetit. Logot e tyre i keni në hyrje të çdo zyre pune. Për investimet në shkollat profesionale, MMSR nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga taksapaguesit, por kemi tërhequr maksimalisht qeveritë gjermane, austriake e zvicerane”, – tha ministri Veliaj, duke vijuar: “E ftojmë PD-në të shkojë në Prokurori për çdo shkelje. Ftojmë Prokurorinë të hetojë çdo shpifje e akuzë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency