Testi i ri i dashurisë që zbulon suksesin e martesave

0
133

Shkencëtarët kanë hartuar një test të ri dashurie, që, sipas tyre, është një matës i mirë i martesave të lumtura ose jo

martese e lumtur

 Studimi

Kërkimi mbështet idenë se reagimet e pavetëdijshme ndaj një fotoje të partnerit ose partneres mund të jenë një parashikues i dobishëm i të ardhmes së martesës.

Studimi i publikuar në “Journal Science” tregoi se ata që kishin një reagim negativ kishin më shumë gjasa të ishin të palumtur vite më pas.

Autori i studimit, Xhejms Meknulti (James McNulty) nga Universiteti Shtetëror i Floridës, thotë se testi i ri mat ndjenjat e vërteta të të sapomartuarve kundrejt njëri-tjetrit, ndryshe nga sa ata shprehen te të tjerët apo ia pranojnë vetes.

Përgjigjet e menjëhershme të ndërgjegjes së brendshme duket se janë shumë të fuqishme në parashikimin e çifteve që do të vazhdojnë ta ruajnë lumturinë vite më pas.

Skuadra e kërkuesve që u morën me studimin intervistoi 135 çifte të sapomartuara menjëherë pas dasmës. Hulumtuesit u kërkuan atyre ta vlerësonin martesën me terma pozitivë dhe negativë që nga “mirë”, “keq”, “e kënaqshme” dhe “e pakënaqshme”.

Më pas ata matën reaksionet e pavetëdijshme të secilit duke përdorur testin intrigues të dashurisë. Këtu përfshihej shikimi i fotografisë së njëri-tjetrit për një të tretën e sekondës.

Pjesëmarrësve në studim u duhej të përgjigjeshin sa më shpejt të ishte e mundur me fjalë si “e mrekullueshme”, “e paparë”, “e tmerrshme” dhe “e frikshme”.

Shpejtësia, sipas së cilës përgjigjeshin, luante rolin kyç në shprehjen e ndjenjave të vërteta, tregojnë kërkuesit. Testi u bazua në parimin psikologjik të shoqërimit.

Mendohet se pas shikimit të rrufeshëm të një fotoje të partnerit ose partneres, në mendjen e të sapomartuarve krijohej një mendim pozitiv ose negativ.

 

E mrekullueshme apo e frikshme?

Nëse tek ata krijohej një gjendje pozitive, pjesëmarrësit e studimit shpreheshin me fjalë si “e mrekullueshme” ose “e paparë” më shpejt sesa kur thoshin fjalët negative që i vinin në mendje prej imazhit të paraqitur për shumë pak çaste.

Studiuesi Meknulti dhe skuadra e tij zbuluan se përgjigjet që dhanë të porsamartuarit ishin të gjitha pozitive dhe secili ishte shumë i lumtur me zgjedhjen që kishte bërë. Por përgjigjet e nënvetëdijshme nga testi i dashurisë varionin dukshëm.

Studiuesit i intervistuan çiftet çdo gjashtë muaj për katër vitet e ardhshme. Rezultoi se përgjithësisht, ata që kishin dhënë përshtypje negative të pavetëdijshme në të ardhmen ose ishin të palumtur ose po përjetonin divorc.

“Të gjithë duan të besojnë se janë pjesë e një marrëdhënieje të mirë dhe njerëzit mund ta bindin veten se janë, por niveli i reagimeve të tyre të sinqerta dhe të menjëhershme tregon të vërtetën për marrëdhëniet e tyre”, – thotë autori i studimit.

Testi mat praninë ose mungesën e ndjesive negative në lidhje me martesën e sapolidhur. “Njerëzit mund të kenë dashuri dhe ndjenja negative në të njëjtën kohë dhe testi i nxjerr këto ndjesi në pah”, – u shpreh Meknulti.

Megjithatë, sipas studiuesve, kërkimet nuk janë akoma në gjendje të përcaktojnë me saktësi ndjesinë e çifteve përpara se këta të martohen. Kështu që, e vetmja gjë që mund t’u ofrohet atyre që janë akoma të lirë apo në një marrëdhënie që s’ka përfunduar në martesë, është të dëgjojnë zërin brenda vetes.

“Mendoj se këshilla më e mirë do të ishte që cilido t’i kushtonte vëmendje ndjesisë që merr nga kontakti vizual me partnerin ose partneren. Nuk mendoj se ky duhet të jetë faktori i vetëm që duhet të ndikojë tek opinioni për dikë, por është i rëndësishëm dhe s’duhet nënvlerësuar”, – përmbyll studiuesi, i cili mundësoi hulumtimin.

 

Kriza?!

Por kur kriza bëhet e parikuperueshme, janë paratë dhe mungesa e komunikimit shkaku kryesor i prishjeve. Çiftet zihen se si, kur dhe sa duhet të shpenzojnë. Pothuajse ka të njëjtën peshë me këtë edhe mungesa e aftësisë për të komunikuar dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë, gjë për të cilën ankohen të dyja sekset. Dhe më pas vjen edukimi i fëmijëve, ndarja e punëve në shtëpi, ndërhyrja e prindërve, menaxhimi i kohës së lirë.

Por për të shmangur më të keqen, sapo të shfaqet sinjali i parë i krizës për t’i bërë ballë është mirë të drejtoheni tek ekspertët. Nëse fjala “terapi e çifteve” ju tremb, ekzistojnë grupe të orientimit familjar dhe të dëgjimit, të organizuar nga shoqata jofitimprurëse që merren me familjen, komunikimin në marrëdhëniet e çifteve, ndërveprim midis fëmijëve dhe prindërve. Shpesh probleme që në dukje janë të pazgjidhshme mund të zgjidhen shumë lehtë me një ndërmjetësim nga jashtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency