Të hetohen të gjitha pikat e karburanteve

0
148

Shoqata e Hidrokarbureve u kërkon institucioneve përgjegjëse të hetojnë të gjitha pikat e karburantit në vend

 

karburantPas publikimit të listës me emrat e 45 karburanteve që shesin naftë pa cilësi, Shoqata e Hidrokarbureve kërkon një hetim më të thellë. Përqindja e lartë e squfurit përbën një rrezik të madh, si për makinat, por mbi të gjitha për shëndetin e njerëzve. Presidenti i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, kërkon që të zbulohen abuzuesit e vërtetë. “Abuzuesit e vërtetë janë furnitorët e pikave. Askush nuk prodhon karburant në shtëpi. Nuk jam për gjoba, pasi legjislacioni e thotë qartë që produkti që kapet jashtë standardit, duhet të bllokohet dhe jo të vihen gjoba. Nuk duhet të flitet me emra kompanish, por me emra markash, në mënyrë që konsumatori të kuptojë se te cili stacion është ky problem”, – përmend Aliaj.

 

Hetimi

Sipas presidentit të Shoqatës së Hidrokarbureve, duhet të hetohen jo vetëm pikat në zonat rurale, por në të gjithë vendin. Duke u bërë një krahasim çmimeve me të cilat tregtohet një litër naftë, konsumatori mund të kuptojë se po vidhet, thekson Aliaj në një prononcim për “TCH”. “Tregues i thjeshtë është vetë çmimi. Karburanti i cilësisë së mirë nuk është kuotuar asnjë ditë poshtë 100 dollarë për ton. Në doganë importuesi paguan 86 lekë për litër dhe po ta konvertosh, çmimi del 178 lekë për litër. Ndërkohë, shikon tabela që shesin me 165 apo 170. Nga kjo ta kesh të sigurt që po merr një naftë pa cilësi dhe jo në sasinë e duhur”, – thekson Aliaj. Kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve thekson se tolerimi i kompanive të naftës që abuzojnë është një shqetësim i madh për kompanitë që importojnë naftë brenda standardit dhe konkurrojnë sipas rregullave të lojës në treg: “I gjithë ky produkt që shitet jashtë cilësive, është evazion fiskal, pasi i gjithë produkti duhet të jetë i standardeve dhe për këtë paguhen akcizat dhe të gjitha detyrimet përkatëse. Nafta pa standarde është e shmangur nga të gjitha detyrimet fiskale”, – shprehet Luigj Aliaj. Sipas tij, nëse duhet të luftohet kjo dukuri, mjafton të zbatohet ligji për karburantet, i cili nuk lejon asnjë pikë karburanti të tregtojë naftë tjetër, përveç markës që ka vendosur në tabelë.
Pikat e karburanteve

Në listën e karburanteve ku është zbuluar sasi e lartë e squfurit apo probleme në dokumentacion bie në sy se 80% e tyre janë të vendosura në zonat rurale. Shumë pak pika janë në zonat më të populluara të vendit. Në Prokurori vazhdon të qëndrojë lista me 3 pikat e karburanteve të cilët kishin mashtruar me sasinë që hidhnin në çdo makinë. Fillimisht, numri i tyre ishte 14, më pas u pa që vetëm 7 prej tyre kishin probleme me pistoletat e naftës dhe benzinës dhe në fund vetëm tri pika janë çuar në gjykatë.

 

 

Skema e ndihmës ekonomike, do të përjashtohen disa kategori

Nga skema e ndihmës ekonomike pritet të dalin afro 200 persona që kanë përfituar në mënyrë abuzive. Ndryshimet në ligjin për ndihmën ekonomike synojnë të centralizojnë kompetencat e strukturave që e japin atë. Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë diskutoi dje ndryshime, të cilat gjithsesi nuk përcaktojnë qartë se kush do ta japë ndihmën ekonomike dhe kriteret si do të përfitohet. Zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, bëri edhe një paraqitje të shkurtër të projektligjit për anëtarët e këtij komisioni. “Në këtë projektligj parashikohet që ata individë të cilët vuajnë dënimin me heqje lirie apo trajtohen në institucionet e kujdesit rezidencial publik të financuar nga buxheti i shtetit të mos vazhdojnë të përfitojnë pagesat nga sistemi i mbrojtjes sociale, si ndihma ekonomike apo pagesa për aftësinë e kufizuar. Është vërejtur se personat me aftësitë e kufizuara që qëndrojnë në institucionet e përkujdesjes ku shteti përballon të gjitha shpenzimet për ushqimin, jetesën, veshmbathjen, ilaçe etj, familjarët e tyre vazhdojnë që të përfitojnë pagesën për pensionin dhe njëkohësisht dhe pagesën e kujdestarisë”, – tha Kospiri. Kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi, u shpreh skeptike për risitë e këtij projektligji. “Mendimi ynë është që kjo nuk është fare pjesë e reformës, përveç që i heq disa ndihmesa, sado minimale dhe të vogla që u bëhen shtresave më vulnerabël. Ajo që më shqetëson mua më shumë, është që janë bërë pa konsultim, pa analizë paraprake se çfarë impakti mund të kenë këto ndryshime që ju sillni tek këto shtresa vulnerabël. Pra, ne do ta shprehim votën tonë kundër, jo vetëm se në mendimin tonë preken shtresat më vulnerabël të shoqërisë, por sepse ka tendenca. Frika jonë është që do ta politizojë më shumë skemën, në vend që ta çlirojë nga politizimi që i është bërë deri më sot”, – theksoi Vokshi. Në relacionin e qeverisë, thuhet se në nenin 3 të projektligjit bëhet riformulimi i mënyrës së përfitimit të ndihmës ekonomike për individët, viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare sipas vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe ku në vazhdim përcaktohet se përfitojnë ndihmën ekonomike pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore. Kjo pasi nuk mund të përfitojnë dy herë nga i njëjti burim i programit të “Mbrojtjes sociale”. Më tej, në nenin 4 të projektligjit, parashikohet që ata individë, të cilët vuajnë dënimin me heqje lirie apo trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga buxheti i shtetit, të mos vazhdojnë të përfitojnë pagesat nga sistemi i mbrojtjes sociale, si ndihma ekonomike apo pagesa për aftësinë e kufizuar, gjatë kohës së qëndrimit në institucionet përkatëse. Anëtarët e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ranë dakord që të zhvillojnë seancë dëgjimore me shoqërinë civile dhe me grupet e interesit rreth kësaj nisme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency