Taksat / Sot nis “kërbaçi” i administratës tatimore

0
127

 

tatimore ne biznese

Ndonëse nuk është mirëpritur nga shumica e ekspertëve fiskalistë, qeveria nuk hoqi dorë nga aksioni i paralajmëruar për të goditur evazionin fiskal

Ervin Kaduku

 

 

Nga sot pritet të fillojë aksioni më i madh kundër informalitetit në vend, i paralajmëruar gjatë ditës së djeshme edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ndonëse nuk është bërë ende publike se çfarë do të bëhet konkretisht (Tatimet pritet të japin informacion të detajuar vetëm ditën e sotme) mësohet se cilat do të jenë disa nga veprimet kryesore në kuadër të këtij aksioni.

Aksioni do të ketë si bazë hulumtimin e bërë nga 400 tatimorët që u morën me kontratë të përkohshme në muajt e verës, të cilët “gjurmuan” bizneset në çdo cep e lagje të Shqipërisë dhe dërguan online të dhënat e grumbulluara.

Për tatimorët ky muaj dhe ai në vijim do të jenë tepër të ngjeshura, ku ata kanë marrë porosi të qarta se si duhet të veprojnë:

-Së pari, çdo mall që kapet pa faturë do të konfiskohet në vend.

-Së dyti, kush nuk lëshon kupon do të penalizohet në mënyrë absolute.

Erion Prifti, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit ka pohuar se do të penalizohet edhe blerësi, në rast se nuk merr faturë, në bazë të legjislacionit në fuqi.

-Së treti, nëse do të gjenden dyqane pa NIPT, do të konfiskohet dyqani (çfarë ka dyqani brenda do të boshatiset). Tatimet kanë pohuar se ky aksion nuk do të jetë selektiv.

Mësohet se Drejtoria e Tatimeve i ka bërë kërkesë Ministrisë së Rendit, që në aksionet e tyre të shoqërohen nga Ministria e Rendit. Burime nga Drejtoria e Policisë së shtetit pohuan nga ana tjetër se policia do të mbështesë si aksionin kundër informalitetit ashtu dhe atë për ndërtimet informale. Do të ketë grupe shoqërimi, që do të shoqërojnë punonjësit e tatimeve dhe në rast se ka kundërshtime, apo thyerje të ligjit, forcat e rendit do të veprojnë, sipas legjislacionit në fuqi.

 

Regjistrimi

Radhë të gjata dhe orë pritjeje kanë shoqëruar dje ata që duan të regjistrojnë bizneset e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Lodhja dhe stresi i pritjes ishte i dukshëm në fytyrat e tyre që me orë dhe me ditë të tëra presin për të regjistruar biznesin e tyre pranë kësaj qendre. Por edhe pse sportelet e QKR punojnë me kapacitet të plotë, përsëri fluksi është i papërballueshëm, duke krijuar radhë të gjata, në një ambient ku temperaturat janë shumë të larta dhe mungon ajri i kondicionuar. Shumica e qytetarëve që ndodhen në pritje, thonë se kanë ardhur të regjistrojnë një biznes i cili aktualisht është i hapur, por i paregjistruar, e të frikësuar nga ajo ç’mund të ndodhë me aktivitetin e tyre ekonomik të përditshëm pas shtatorit, janë dyndur të regjistrohen.

Por, ka edhe nga ata qytetarë që ndryshe nga këta të parët, kanë ardhur të kryejnë procedurat e mbylljes përfundimtare të biznesit të tyre.

 

Perspektiva

Normat e ngadalta të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto (PBB) do të garantojnë që Shqipëria të mbetet mes vendeve më të varfra në Evropë gjatë dekadës së ardhshme, sipas një raporti të fundit të BMI Research, një kompani e grupit të njohur ndërkombëtar të renditjes, Fitch rating.Një mbështetje e tepruar në konsumin privat nuk është optimale, duke pasur parasysh nivelin e dobët të zhvillimit të sektorit të konsumit, që është relativisht i ri, ndërsa progresi i dobët në zbatimin e reformave strukturore do të dëmtojë panoramën afatgjatë ekonomike të vendit. Nga një prej ekonomive më të mbyllura në botë nën komunizëm, që përfundoi në vitin 1992, Shqipëria ka rritur hapjen e saj të tregtisë gjatë viteve të fundit. Shqipëria ishte një nga të vetmet vende evropiane që shmangu një recesion gjatë krizës globale ekonomike, dhe ka përmirësuar edhe marrëdhëniet me vendet fqinje. Progresi në secilën prej këtyre fushave u shpërblye në vitin 2014, kur Shqipëria mori statusin kandidat i BE-së. Përkundër këtij përparimi, BMI Research mbetet më pak optimist rreth perspektivave të rritjes në të ardhmen e vendit. Çështjet e trashëguara nga epoka komuniste ende vazhdojnë. Korrupsioni mbetet një plagë në të dy qeveritë dhe biznesin, dhe ndikon mbi atraktivitetin e Shqipërisë si një destinacion për investime. Burokracia e vendit është e lartë, dhe tregu i punës është tepër i varur nga sektori publik për punësim. Administratave të njëpasnjëshme u mungon progresi për të zgjidhur këto probleme dhe kjo nënkupton se administrata aktuale e udhëhequr nga socialistët do të bëjë vetëm hapa në tentativë në zbatimin e reformave strukturore në vitet në vijim. Angazhimi i BE-së për të mos pranuar anëtarë të rinj për pesë vjet, duke filluar nga viti 2015 mund të reduktojë më tej nxitësit për qeverinë për të zbatuar reforma të dhimbshme.

 

Ndikimi grek

Në 30 qershor bankat në Greqi u mbyllën, teksa kriza e borxheve arriti një kulm të ri dhe vendi po rrezikonte seriozisht daljen nga euro. Natyrshëm frika u transferua dhe në Shqipëri, që ka lidhje të forta me fqinjin, si financiare ashtu dhe tregtare.

Me kalimin e muajve, megjithëse Greqia tashmë ia “hodhi” krizës, po dalin në dritë efektet e kësaj krize në ekonominë shqiptare. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se tregtia me Greqinë shënoi një tronditje të fortë në korrik, si për eksportet ashtu dhe për importet, teksa kompanitë shqiptare e kishin të vështirë të kryenin pagesat përmes bankave dhe bizneset greke u stepën përballë situatës në dukje të pashpresë.

Importet nga shteti fqinjë ranë me 13.5% në korrik, në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke zbritur në 13.5 miliardë lekë. Produkti kryesor që importohet nga Greqia është ai i “ushqimeve, pijeve alkoolike dhe duhanit”, me gati 30% të totalit, në korrik 2015. Për 7-mujorin, Greqia vijoi të ishte partneri i dytë i Shqipërisë për importet, me 8.4%, pas Italisë, ndonëse Kina po i afrohet me shpejtësi.

Eksportet shënuan një rënie më të lehtë, me gati 6%, duke zbritur në 771 milionë lekë. Produkti më i eksportuar janë tekstilet. Megjithatë, efektet pritet të ndodhen dhe në vijim, teksa kompanitë shqiptare raportuan se në korrik ato vijuan punën me porositë që kishin marrë më parë, më pas partnerët greke u tërhoqën në pritje të qetësimit të situatës. Greqia është partneri i pestë i Shqipërisë për eksportet.

Në total, volumi tregtar me Greqinë në korrik ra me 12.2% me bazë vjetore, sipas INSTAT. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se kriza në Greqi do të ulë rritjen e ekonomisë shqiptare me 0.25% këtë vit. Të dhënat e Shoqatës së Bankave treguan se në 6 muajt e parë të vitit u tërhoqen nga bankat me kapital greke në Shqipëri 136 milionë euro, ndërsa të dhënat e sistemit bankar për muajin korrik pritet të publikohen më vonë gjatë ditës.

====

 

Me 9.3 miliard lekë

Rriten ndjeshëm eksportet e produkteve bujqësore

 

Eksportet bujqësore, blegtorale dhe agroindustriale për 6-mujorin e parë të vitit 2015, kanë arritur në vlerën e rreth 9.3 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje të ndjeshme me rreth 2 miliardë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë konfirmojnë se sektori bujqësor vijon të ecë në shina pozitive. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë eksportet janë regjistruar në vlerën e 7.3 miliardë lekëve. Peshën më të madhe në rritje e kanë pasur konkretisht produktet bujqësore me thuajse dyfish të eksportit. Konkretisht nga 2.9 miliardë lekë, që kanë qenë një vit më parë, në 4.4 miliardë lekë për 6-mujorin e këtij viti. Duket se subvencionet e dhëna dhe orientimi drejt tregjeve evropiane ka bërë që ky vit të jetë i mbarë për fermerët shqiptarë. Ndërsa embargo e Rusisë duket se nuk ka dhënë efekte tek eksportet. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri Edmond Panariti, në një konferencë për shtyp të dhënë pak ditë më parë. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, importet gjatë kësaj periudhe kanë rezultuar në vlerën e 44.5 miliardë lekëve nga 42.5 miliardë lekë që kanë qenë gjatë 2014­ës. Deficiti tregtar është regjistruar në rreth 33.2 miliardë lekë.

——-

 

 

Bilancet e reja

 

Bankat fshijnë 78 milionë euro kredi të këqija

 

Në gjashtë muajt e parë të vitit bankat fshinë gati 11 miliardë lekë kredi të këqija nga bilancet e tyre. Shifra është e barabartë me sasinë në vlerë prej 78 milionë eurosh. Kjo është hera e parë që bankat private pastrojnë bilancet nga kreditë e këqija dhe ky operacion diktohet nga një rregullore e re e miratuar nga Banka e Shqipërisë.

Rregullorja, e cila është pjesë e planit kombëtar për uljen e kredive me probleme, detyron bankat që të çregjistrojnë nga bilancet çdo kredi të keqe që ka lindur më shumë se tre vjet më parë. Deri tani, një veprim i tillë ka qenë i pamundur.

Por ekspertët e Bankës së Shqipërisë tërheqin vëmendjen se nxjerrja jashtë bilancit të bankave nuk do të thotë se kreditë falen. Sipas tyre, këto kredi do të vazhdojnë të ndiqen deri në rikuperimin e tyre, të plotë apo të pjesshëm. Nxjerrja nga bilanci i një shume kaq të madhe të huave të humbura është arsyeja kryesore se pse treguesi i kredive të këqija u përmirësua. Të dhënat zyrtare nga BSH tregojnë se në fund të qershorit kreditë me probleme ranë në nivelin 20.3 për qind, nga 22.7 për qind që ishin në tremujorin e parë të vitit. Rënia me 2.4 pikë përqindje brenda një tremujori është më e forta e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i krizës dhe 80 për qind e saj vjen pikërisht për shkak të fshirjeve. Paralelisht, veç kësaj mase, ulja e kredive me probleme është ndihmuar edhe nga ristrukturimi i tyre, si dhe rritja e kredisë totale për ekonominë. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është që brenda vitit kreditë e pakthyera të zbresin nën nivelin 20 për qind, një target i cili me shifrat e tremujorit të dytë tashmë duket gati i arritur. Autoritet shpresojnë se ulja e kredive të këqija do të injektojë më shumë besim tek sektori bankar, për ta nxitur atë të kreditojë ekonominë me ritme më të shpejta, çka do të ndihmonte konsumin dhe investimet e saj.

 

Zhvlerësohet leku

Leku pësoi një zhvlerësim të lehtë ndaj monedhave kryesore në kursin e këmbimit gjatë tremujorit të dytë të të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i kursit nominal efektiv të këmbimit u nënçmua mesatarisht me 3.0% në terma vjetorë. Kjo ecuri u diktua pothuajse tërësisht nga dobësimi i monedhës vendase ndaj dollarit amerikan. Kursi nominal efektiv i këmbimit, llogaritet kundrejt monedhave të këmbimeve me pesë partnerët tregtarë kryesorë, të cilët janë Italia, Greqia, Gjermania, Turqia dhe Kina. Zhvlerësimi i lekut ka ardhur duke u dobësuar në fund të periudhës tremujore dhe, në terma realë, është vënë re një nënçmim më i përmbajtur i lekut, me 2.0% në bazë vjetore. Shkak për këtë kanë qenë normat e inflacionit më të larta në vend, krahasuar me ato të regjistruara në shtetet e Eurozonës. Në kursin me monedhat kryesore, ai ndaj euros vijon të jetë mjaft i qëndrueshëm. Kursi mesatar i këmbimit euro/lek rezultoi në nivelin 140.6 në tremujorin e dytë dhe leku shënoi një nënçmim të lehtë me 0.4% në terma vjetorë. E ndryshme është ecuria ndaj dollarit amerikan, ku leku është nënçmuar amerikan me 24.0% në krahasim me një vit më parë. Zhvillimet e dollarit amerikan në tregjet e huaja valutore kanë gjetur pasqyrim edhe në tregun vendas. Në tremujorin e dytë, raporti mesatar mes dollarit amerikan dhe lekut ishte 127.2.

===

 

 

Energjetika

 

Bilanci i OSHEE-së “ngel në klasë” te auditimi

 

Pronat e OSHEE-së vazhdojnë të jenë ende të paregjistruara

 

 

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk arriti të merrte certifikimin e audituesve për bilancin e vet për vitin 2014 pasi grupi i auditorëve deklaroi se nuk kishte sigurinë e mjaftueshme për të dhënë një opinion pozitiv dhe se në bilancin e OSHEE-së gjenden disa të dhëna që janë në mospërputhje. Raporti i auditimit, i firmosur më 20 korrik 2015, thekson se OSHEE ka dështuar në auditimin e bilancit edhe për vitin 2013, kur qe nën administrimin nga shteti shqiptar, ndërsa duket se disa nga porositë kryesore të lëna nga audituesi i bilancit të vitit 2013 nuk janë realizuar as nga administrimi i kompanisë gjatë vitit të kaluar. “Përgjegjësia jonë është të shprehim një opinion për pasqyrat financiare duke u bazuar në auditimin e kryer. Ne kryem auditimin tonë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit. Megjithatë, për arsye të çështjeve që përshkruhen tek paragrafi për “Bazat e Refuzimit të Dhënies së Opinionit”, ne nuk ishim në gjendje të siguronim të dhëna të mjaftueshme dhe të përshtatshme auditimi për të krijuar një bazë për dhënien e opinionit”, thuhet në raportin e audituesve, një kopje e të cilit u gjet nga BIRN. Duke iu përgjigjur pyetjeve të BIRN mbi këtë problem, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike tha se problemet me bilancin e kompanisë qenë të trashëguara dhe se ajo po punonte për zgjidhjen e tyre. “Fakti që auditorët japin refuzim për dhënie opinioni, nuk ka të bëjë në këtë rast me certifikimin e saktësisë së të dhënave të bilancit, por me faktin se bilanci i OSHEE rezulton prej disa vitesh negativ dhe me një problematikë të theksuar të aseteve të paregjistruara e të paevidentuara të kësaj shoqërie”, – tha OSHEE. Duke hedhur poshtë dyshimet e audituesve për vërtetësinë e bilancit, OSHEE thotë se i ka konfirmuar shifrat e saj me Bankën Botërore. “Për sa u përket shifrave nëse janë të sakta apo jo, ato janë miratuar në qeveri në Financial Recovery Plan në Mars të 2015 dhe janë të konsoliduara për të gjithë sistemin e të miratuara edhe nga Banka Botërore. Janë bërë nën konsulencën teknike dhe me miratimin e Bankës Botërore”, – tha OSHEE përmes një përgjigjeje me shkrim për pyetjet e BIRN. Banka Botërore i ka dhënë kredi korporatave të ndryshme publike në Shqipëri si KESH apo OSHEE, por gjithmonë me garanci sovrane, gjë që do të thotë se qeveria e Shqipërisë do ta shlyejë kredinë në rast se korporata publike është në pamundësi financiare. Auditimi është një proces që synon të vërtetojë apo kontrollojë bilancin e një kompanie të raportuar nga vetë kompania, me synimin për të garantuar se bilanci i deklaruar nga kompania nuk mbart keqraportime si pasojë e gabimeve apo mashtrimeve. Auditimi shërben gjithashtu edhe për të treguar se sa e aftë është një kompani të përgatisë bilance të sakta dhe në përputhje me standardet e kontabilitetit. Kur auditimi kalohet me sukses, audituesit zakonisht shkruajnë: “Ne kemi verifikuar bilancin dhe mund të themi se ai është i saktë dhe i ndershëm”. Kur audituesit kanë paqartësi për një pjesë të bilancit, atëherë ata japin “opinion me rezerva” duke thënë se bilanci pranohet si i vërtetë me përjashtim të një shpenzimi, një të ardhure apo një aseti që ka vlerë të paqartë. OSHEE ka deklaruar në bilancin e vet të ardhura në masën 47.2 miliardë lekë për vitin 2014 nga 37.7 miliardë lekë të deklaruara në vitin 2013. OSHEE ka deklaruar shpenzime prej 48.2 miliardë lekësh për vitin 2014 nga 63.6 miliardë lekësh që qenë shpenzimet në vitin 2013. Qeveria shqiptare ndërmori një fushatë shtatorin e kaluar me synimin për të luftuar vjedhjet e energjisë elektrike dhe mospagesat. Enti Rregullator i Energjisë, në raportin e vet vjetor, vëren se, si pasojë e kësaj fushate, OSHEE arkëtoi 48.8 miliardë lekë, nga të cilat, 38.8 miliardë qenë arkëtime për energjinë e konsumuar gjatë vitit 2014 ndërsa 10 miliardë lekë qenë nga arkëtimet e detyrimeve të prapambetura të periudhës 2007-2013.

Por pavarësisht suksesit të shfaqur, OSHEE vijon të arkëtojë shumë më pak se sa faturon. Të dhënat e analizuara nga ERE tregojnë se gjatë vitit 2014, OSHEE faturoi 53.2 miliardë lekë të shitur dhe nga kjo, arriti të arkëtojë vetë, 38.8 miliardë lekë duke lënë 14.4 miliardë lekë fatura për konsumin e vitit 2014, të paarkëtuara. Fushata e qeverisë për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura vijoi edhe në pjesën e parë të këtij viti. Por rezultatet pritet të zbardhen vetëm pasi bilanci i vitit 2015 të jetë përgatitur nga kompania dhe analizuar nga auditorët.

Për më tepër, audituesit nuk janë të sigurtë se kjo është situata reale. “Në Pasqyrat Financiare të shoqërisë ekziston një mospërputhje e llogarive të arkëtueshme midis sistemit faturimit&arkëtimit (billing-ut) dhe të pozicionit financiare “Të arkëtueshme” (kontabiliteti) për gjendjen e klientëve më 31 dhjetor 2014 (faturat e papaguara nga abonentët për energjinë elektrike). Menaxhimi është në dijeni të këtyre mospërputhjeve pasi diferenca kanë rezultuar edhe në periudhat e mëparshme si dhe gjatë vitit 2014. Shoqëria gjatë vitit 2014 nuk ka bërë të mundur identifikimi plotësisht të këtyre diferencave”, – thuhet në raportin e auditimit. Audituesit nuk bëjnë të ditur nëse diferencat e raportuara nga sistemi i faturimit me ato të raportuara në bilanc janë më të ulëta apo më të larta, por i citon këto diferenca si argument për të mos dhënë opinion mbi vërtetësinë apo jo të bilancit kontabël të deklaruar nga OSHEE.

Audituesit vërejnë se OSHEE ka një mosmarrëveshje me Posta Shqiptare në lidhje me faturat e arkëtuara në rrjetin e Posta Shqiptare sh.a, ku në një rast, posta ka faturuar dy herë OSHEE për shërbimet e një muaji. OSHEE tha se po punon për të zgjidhur pasaktësitë në raportim me partnerët e vet. “Ndërsa në lidhje me saktësimin e llogarive me furnitorët e saj kryesorë, OSHEE është duke kryer rakordimet me secilin prej tyre dhe pritet që brenda vitit 2015 të jenë zgjidhur të gjitha diferencat e akumuluara nga vitet e mëparshme, e ndihmuar kjo dhe nga një Grup Ndërinstitucional i cili është duke e përshpejtuar procesin duke koordinuar me gjithë strukturat përkatëse”, – tha OSHEE.

 

Pronat e OSHEE-së

 

OSHEE punësoi kompaninë BDO Albania si audituese për bilancin e vitit 2013. Në korrik të vitit 2014, kompania refuzoi të japë opinion për një sërë arsyesh, ku mes të tjerave qe mosrakordimi i detyrimeve dhe pretendimeve me Posta Shqiptare, mosrakordimi me KESH etj. Por përtej refuzimit të opinionit mbi saktësinë e bilancit, auditori theksoi edhe një çështje: “Pa lëshuar një opinion, tërheqim vëmendje ndaj shënimit 5, i cili përcakton se certifikatat e pronësisë së tokave dhe ndërtesave të Shoqërisë, të cilat duhet të transferoheshin nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare sh.a, gjatë momentit të shpërndarjes së SHoqërisë, ende nuk janë finalizuar. Rrjedhimisht, këto toka dhe ndërtesa nuk janë regjistruar në mënyrë të rregullt në Regjistrin e Hipotekës”. Audituesi la për detyrë që OSHEE të zgjidhte këto probleme, me qëllim që të llogariste saktë vlerën e aseteve të saj dhe ta raportonte këtë vlerë në mënyrë të besueshme në bilanc. Por një vit pas dhënies së këtij opinioni nuk duket se ka ndryshuar gjë. Audituesit e vitit pasardhës theksuan të njëjtën gjë: ato nuk qenë në gjendje të shikonin nëse pronat e OSHEE të raportuara në bilanc, ekzistojnë të regjistruara siç duhet në hipotekë. Por OSHEE thotë se as këtë vit nuk do të jetë në gjendje të mbyllë inventarizimin dhe kontabilizimin e saktë të të gjitha pronave të veta. “Inventarizimi dhe rivlerësimi i aseteve është një proces që ka filluar por që parashikohet që të përfundojë përtej 31.12.2015, kështu që dhe kjo çështje nuk do të rregjistrohet në bilancin e fundvitit 2015”, – tha OSHEE.

Korporatat publike në Shqipëri kanë në shumë raste probleme të theksuara në bilancet që raportojnë dhe auditorët shumë shpesh japin opinion me rezervë. KESH Sha psh ka marrë auditim me “opinion me rezervë” për vitet 2012 dhe 2013 dhe po kështu e ka marrë edhe Posta Shqiptare sh.a për bilancin e vitit 2014.

 

(marrë nga agjencia BIRN)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here