Takimi me PD/ Arvizu: Reforma në drejtësi, jo brenda një nate, duhet gjithëpërfshirje          

0
111

Gëzim Saliu

Albania Protest Investigation Ambasadori i SHBA-së: KLD të jetë pjesë e diskutimit, konsultime me Venecian, EURALIUS-in dhe OSBE-në

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin qëndrimin e tyre për reformën në drejtësi përmes kryediplomatit të akredituar në Tiranë, Alexander Arvizu, i cili pohoi dje urgjencën e kryerjes së saj, por duke theksuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes. Pas një takimi që zhvilloi në selinë blu me deputetët demokratë Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi dhe Arben Ristani, ambasadori amerikan bëri të ditur se reforma në gjyqësor ishte fokusi i diskutimit. “Pikëpamja e SHBA-së është se qasja më efektive është ajo gjithëpërfshirëse, ku njerëzit marrin kohën e duhur dhe mënyra më e mirë është pjesëmarrja e plotë në Parlament si dhe konsultime të plota me të gjithë aktorët. Kjo përfshin aktorët e brendshëm, por edhe ndërkombëtarët, siç është Komisioni i Venecias, EURALIUS, OSBE etj. Dhe pozita jonë është shumë e ngjashme me atë të delegacionit të BE-së dhe prania e OSBE-së.Nuk është diçka që mund të zgjidhet brenda një nate, por kërkon kohë. Kjo është e vetmja mënyra si duhet të vazhdojë”, – deklaroi Arvizu.

 

Reagimi

Për kreun e diplomacisë amerikane në vend, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të jetë pjesë e diskutimit për reformën në drejtësi. “Për sa i përket pozicionit të tyre do t’i referoja tek ata, por këndvështrimi i SHBA-së për reformën është konsekuent. Biem dakord që reforma është një nevojë urgjente për vendin. Përmend KLD-në, sepse e di që del shpesh në lajme. Qartazi KLD ka qenë pjesë e këtij diskutimi. Duke parë performancën e pabarabarte të KLD-së, ndonjëherë KLD duhet të jetë pjesë e këtij diskutimi”, – u shpreh Arvizu. Ndërkaq, pas takimit, në një reagim në rrjetin social “FB”, deputeti demokrat Eduard Halimi theksoi se Kryeministri Rama po injoron thirrjet e ndërkombëtarëve, pasi nuk po bashkëpunon me opozitën. “BE, OSBE dhe SHBA i bënë thirrje Ramës që të ndalet dhe të dëgjojë aktoret e drejtësisë, të bashkëpunojë me opozitën, të konsultohet me ekspertët ndërkombëtare. Të gjithë i bënë thirrje Edi Ramës që të respektojë parimet dhe standardet euroatlantike, se reformat nuk behen për individë dhe nuk bëhen në një nate”, – theksoi ai. Më tej, duke u ndalur tek sistemi i pavarësisë së drejtësisë, Halimi theksoi se Rama duhet të forcojë luftën ndaj korrupsionit. “Të gjithë i thanë Ramës se duhet të forcojë pavarësinë e drejtësisë ashtu si dhe llogaridhënien ndaj ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit. Por Rama nuk i pret sepse nuk ka qëllim të bëjë asnjërën prej tyre. Obsesioni i tij prej oligarku autoritarist dhe oriental për të kapur dhe gjunjëzuar sistemin gjyqësor dhe për ta vënë në shërbim të klanit të tij politik dhe familjar nuk e lejon të dëgjojë askënd”, – deklaroi deputeti i PD-së, duke shtuar se rruga e injorimit me arrogancë e faktorit ndërkombëtar është rrugë e gabuar dhe e shkurtër për çdo qeveritar autoritarist dhe oligark.

 

Gjyqësori do reformë/ KE: Udhëzimi, sipas Komisionit të Venecias

Komisioni Evropian ka reaguar dje pas letrës të dërguar nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë më datën 11 korrik, duke pohuar se Shqipëria ka nevojë për një reformë në gjyqësor, që forcon pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e këtij sistemi. Sipas KE-së, reforma duhet të jetë tërësore dhe gjithëpërfshirëse. “Reforma duhet të jete efektive dhe të bazohet në udhëzimet e Komisionit të Venecias”, – ishte një nga rekomandimet e Këshillit Evropian. Nga ana tjetër, në reagimin e tij, Komisioni ka inkurajuar përfshirjen e aktoreve të sistemit në reformë dhe shpreh gatishmërinë për të asistuar Shqipërinë në këtë nismë, duke përshirë nëpërmjet dialogut politik dhe asistencës teknike.

 

Goditja e deputetit/ PD: Rama promovon Ndokën, e vë në rreshtin e parë

Partia Demokratike deklaroi dje se pas kërkesave të njëpasnjëshme të opozitës për reagimin e Kryeministrit Rama lidhur me ngjarjen e ndodhur dy javë më parë në Kuvend ku u godit deputeti Strazimiri. “Hesht prej dy javësh, edhe kur deputeti i tij me të kaluar kriminale, Arben Ndoka, kërcënoi me jetë zëdhënësen e Partisë Demokratike. Duhet pranuar se dje, më në fund Edi Rama pati një reagim. Teksa fliste për rendin dhe sigurinë, ai e kishte vendosur deputetin Ndoka në radhën e parë, përballë tij. Pas këtyre bëmave mafioze, Edi Rama ka vendosur ta promovojë deputetin e dënuar për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit”, – tha koordinatorja për mediat e PD-së, Silvi Bardhi. Më tej, PD e cilësoi si lojë hipokrite dhe banale edhe përfshirjen e Kryetarit të Kuvendit pas komenteve për bojkotin e opozitës. “Kjo është një sjellje e dënueshme, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë ndërprerë marrëdhëniet me atë Kuvend ku janë instaluar strukturat e dhunës antiopozitë, për të shmangur gjakderdhjen. Me pushime të parakohshme është logjika dhe mendja e dyshes Meta-Rama. Ilir Meta do të ketë dëgjuar dhe do ta ketë njohur deputetin me të kaluar kriminale, siç e njohin të gjithë në Lezhë”, – theksoi Bardhi, duke shtuar se Kryeparlamentari duhej të ishte i pari që të dënonte aktet banditeske dhe mafioze brenda Parlamentit, jo vetëm se e ka për detyrë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency